E imagjinoni dot Parisin pa kullën e tij të famshme? Dikur kryeqyteti francez ka qenë pa kullën Eiffel, e cila i shtoi bukurinë më 31 mars të vitit 1889. Kulla Eiffel festoi të martën 126-vjetorin e hapjes për publikun. Që prej asaj dite kjo kullë është shndërruar në një destinacion turistik për miliona persona dhe simbol identifikues i Parisit.
Pyesni këdo që ka qenë në Paris se çfarë duhet të shohë dhe padyshim gjëja e parë që do të thotë, është Kulla Eiffel. Kjo kullë është një strukturë e dukshme, e lartë dhe krenare në horizontin parizien. Megjithatë, shumë prej nesh nuk e dinë historinë dhe qëllimin e Kullës Eiffel.Kulla është gjëja e parë që shohin të gjithë turistët sapo mbërrijnë në Paris.
Historia e Kullës Eiffel
Kulla Eiffel, e cila ka marrë emrin e inxhinierit Gustave Eiffel, u ndërtua fillimisht për të shërbyer si portë hyrëse për “Exposition Universelle”, panairi botëror i mbajtur në vitin 1889. Ky panair u organizua në nderim të 100-vjetorit të Revolucionit Francez.
Ndërtimi i Kullës filloi në vitin 1887 dhe u nevojitën përpjekjet e më shumë se 300 punëtorëve për ta përfunduar. Për të krijuar strukturën janë përdorur më shumë se 18,000 copa hekuri të pastër.
Atë kohë, Kulla Eiffel nuk konsiderohej një copë gjeniale arkitekturore, siç cilësohet sot. Për shkak të strukturës së hapur të kullës, procesi i ndërtimit të saj ka qenë shumë i rrezikshëm. Gustave Eiffel e dinte këtë, dhe ndërmori një sërë masash sigurie, përfshirë skela dhe struktura të tjera mbrojtëse lehtësisht të zhvendosshme. Gjatë procesit të punës, është regjistruar vetëm një punëtor që ka humbur jetën.
Kritikët e artit e urrenin këtë kullë. Atyre u vriste sytë dhe e kritikuan ashpër, madje edhe duke publikuar letra të shumta në gazetat lokale që ankoheshin për pamjen e shëmtuar dhe ndikimin që kishte në horizontin e qytetit. Ata prisnin me padurim të përfundonte garancia 20-vjeçare e kullës. Sipas garancisë, në vitin 1909, pronësia e kullës do t’i rikthehej bashkisë së qytetit. Bashkia kishte planifikuar ta çmontonte kullën, por me mbërritjen e afatit të skadencës, u vendos që të mbahej, për arsye se shërbente si mjet komunikimi. U përdor si e tillë edhe gjatë Betejës së parë të Marne.
Statistikat e Kullës Eiffel
Kulla Eiffel ka një lartësi 324 metra, pra, sa një pallat 81-katësh. Në kohën e përfundimit, ka qenë struktura më e lartë në botë. Ajo ka qenë struktura më e lartë deri në vitin 1930, kur ia kaloi ndërtesa e Chrysler në Nju Jork. Sot, Kulla Eiffel është struktura e dytë më e lartë në Francë.
Mahnitëse dhe e bukur, Kulla Eiffel është kthyer në një klishe filmash kinematografikë. Pjesa më e madhe e filmave të xhiruar në Paris tregojnë pamje të Kullës Eiffel dhe shikuesit mund të besojnë se ajo është e dukshme nga të gjitha këndet e qytetit. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e ndërtesave në Paris nuk janë më të larta se 7 kate, kështu përveç ndërtesave pranë saj, shumë pak të tjera mund ta shohin kullën nga dritaret.
Kulla Eiffel u hap për herë të parë më 31 Marsin e vitit 1889. Ndërtimi zgjati 2 vjet, 2 muaj e 5 ditë.

Vizita e Kullës Eiffel
Kulla Eiffel është e hapur për vizitorët çdo ditë, nga ora 9:30 deri më 23:30. Nga mesi i qershorit, deri në fund të gushtit, Kulla hapet në orën 9:00. Ka tri kate për t’u vizituar dhe kostoja e biletës varet nëse doni të shkoni në katin e tretë apo të dytë dhe nëse doni të shkoni me ashensor apo në këmbë nga shkallët. Çmimet variojnë nga 3 deri në 13 euro, në varësi të moshës së vizitorëve dhe dëshirës për të eksploruar.
Vizitorët kanë mundësi të ngjiten me shkallë ose me ashensor. Ka tre ashensorë, megjithëse vetëm dy janë të hapur në të njëjtën kohë. Ashensori i tretë ngjitet nga kati i dytë në të tretin. Duhet të dini se këta ashensorë mund të jenë shumë të ngarkuar, sidomos gjatë sezoneve turistike dhe radha e pritjes për t’u ngjitur në ashensor mund të jetë shumë e gjatë.
Ju rekomandojmë gjithsesi të keni durimin për t’i vizituar të tria katet. Në katin e parë do të mësoni rreth historisë së Kullës, së kaluarës e së tashmes së saj. Këtu do të mësoni për rolin që luan kulla në teknologjinë moderne, si dhe do të mund të shikoni pajisje që kanë qenë pjesë e kullës origjinale. Këtu përfshihet një pjesë e shkallëve spirale origjinale (që nuk përdoren më), një nga pompat hidraulike të përdorura në sistemin e ashensorit, si dhe “FerOScope”, pajisja që përdoret për të krijuar shfaqje drite nga kulla.
Në katin e dytë mund të shijoni një pamje 360 gradë të qytetit. Fotot që do bëni këtu, mbeten kujtime të paharrueshme. Gjithashtu do të gjeni një restorant dhe një bar të vogël.
Kati i tretë është i jashtëzakonshëm. Do t’ju duket vetja si në majë të botës. Do t’ju pëlqejë si platforma e brendshme ashtu edhe e jashtme, si dhe do t’ju duket shumë interesante një model i zyrës origjinale të inxhinierit Gustave Eiffel.
Komentet