Sot pas 104 vitesh të nëntorit të vitit 12 të shekullit XX , duke shikuar këtë vepër të pikturuar që nuk ia di autorin se do tia përmendja emrin,me gjithë dëshirë do të flisja e do të shkruaja histori duke ju drejtuar të gjithëve që i lexojnë shkrimet e mia, me fjalët që i kemi dëgjuar me miliona herë : – “Më kujtohet …” !
Nuk e kam këtë të drejtë sepse nuk isha atëherë.
Kam lexuar kujtime nga rrëfimet dhe kronikat e zverdhura të kohës. Nuk e harroj kurrë epikën artistike të tekstit të skenarit të shkruar nga Kiço Blushi dhe Dhimitër Shuteriqi që aq bukur e bëri të gjallë para botës regjisori Viktor Gjika, 70 vite më vonë në vitin 1982 me filmin “Nëntori i dytë”.
E kam parë me shumë kurreshtje këtë film , bile më kujtohet që i patëm kërkuar profesorit të kimisë në shkollë të mesme që mos ta mbanim orën e tij që të iknim më heret në shtëpi për ta shikuar filmin që jepej si premierë diku kah mesdita e 27 Nëntorit 1982. Kujtoj që kishte kaluar saktësisht një vit e gjysmë nga shpërthimi i demostratave të studentëve dhe të popullit të Kosovës të pranverës 1981 që dridhën në themel Federatën e Jugosllavisë.
Shumë herë kam menduar se ende ka lexues që më shumë i ka mbajtur në ankth, karroca me kuaj që po e qonte drejt Vlorës Ismail Qemalin se sa pritat e pengesat tjera të autoriteteve turke, që bashkë me fqinjtë sllavë dhe grekë po mundoheshin ta zhbënin popullin shqiptar.
E kemi parë se sa unikë duken të gjithë të deleguarit nga të gjitha krahinat e Shqipërisë kur lexohet nga Plaku i Vlorës , Ismail Qemali , Deklarata e shpalljes së Pavarësisë me 28 Nëntor. Pastaj momumentale është atmosfera dhe momenti i ngritjes së Flamurit kuqezi.
Kjo gjithmonë ka qenë motiv për të festuar Shqip.
Ishte edhe frymëzim dhe betim për brezin tim që ti përkushtohemi veprimtarisë atdhetare e të vazhdojmë punën e brezave para nesh. Sakrifica ishte deri me çmimin e gjakut dhe vargun e pafund të lapidarëve të dëshmorëve shqiptar që ngulitin në dhe e në kujtesën historike që – për shqiptarët me ra në luftë për flamur e për atdhe është si me le.
Më ka tjerrur dhe shtjerrur ndër vite e dekada ajo ditë e sidomos mbrëmja e 27 nëntorit 1912.
Për ta shpallur Shqipërinë të pavarur nuk do të ketë qenë e lehtë të ishin të gjithë dakord sepse patjetër ka pasur edhe njerëz që bisneset e tyre i kanë pasur edhe me Turqinë edhe me Serbinë, Malin e Zi apo Greqinë. Nuk ishte e lehtë heqja e robërisë më shumë se 500 vjeqare. Sepse gjatë historisë ndosh që edhe robi të mësohet me shtërngimin dhe peshën e prangave.
Do të ketë qenë e vështirë për Ismailin, Luigj Gurakuqin me shokë sepse mungonte Isa Boletini. Mungesë e arsyeshme po vonesë e pa arsyeshme. Vonesa nuk paguan kurrë.
Erdhi edhe Isa . Mbërriti duke sjellur pas erën e gjakut dhe tymin e shtëpive të djegura nga ushtria serbe në Kosovë. Po ia vlejti sepse Ismailit ia hoqi menjëherë disa probleme. I rrahu me dru ata që po shanin Flamurin kuqezi dhe donin ende flamurin e Turqisë.
Se as Isa Begu nuk kishte harruar amanetin kur me 28 Nëntor 1443 Gjergj Kastrioti ngriti të njëjtin flamur në Krujë.
Edhe atëhere nata e 27 Nëntorit do të ketë qenë tmerrësisht e dhimshme kur gjeti në konak turqit që mbanin të pushtuar tokat e arbërve.
Erdhi edhe një 27 Nëntor , pas 104 vitesh dhe neve ende duhet ta dijmë se si ta kapërcejmë këtë natë sepse 28 Nëntori është amanet.
Ata na lanë shtetin që ende nuk iu shëruan plagët e shqepjes. Kurse në Kosovë Nata e gjatë e 27 Nëntorit duhet të kryhet sa më shpejt sepse pas 17 shkurtit 2008 ende ka disa politikanë e afaristë bashkë me njerëz që flasin dhe rrejnë në emër të Zotit që me dëshirë kujtojnë kohën e prangave dhe robërisë. Për hir të zanateve dhe bisneseve të vjetra dhe të pasurimit të paligjshëm janë në rrezik ti hapin rrugë tradhëtisë kombëtare.
Pra mos harroni amanetin e gjakut dhe lirisë.
Nesër është 28 Nëntori. I lirë e i pavarur. I yni. Përjetë.
27 nëntor 2016
Komentet