Prej shekujsh ata janë vetëmbyllur nëpër shpella,
Atje ku bora alpine përjetësisht i ka ngrirë,
Kujtojnë lavditë kur si akullnaja zbrisnin grykave të thella
E me bëmat e tyre mitike i patën mbjellë!
Sot zbardhin Lugjeve të Verdha ku s’i kap dielli
E veç ndonjë rreze të tij mund të kthejnë mbrapsht,
Vargje tallava e izma gjithfarësh i rrethojnë si pah mielli
E një smog si smërç tashmë u është bërë helm në asht!
Rrinë e lotojnë si stalaktike nëpër shpella
E thikat e shpatat u ngrihen pikë-pikë si stalakmite,
Presin kur përfundimisht mbi kokë t’u shembet zgafella
E oqeanit të kohës të treten a lartësohen si mite!