Kapitalizmi shqiptar jeton e lulëzon pa kundërshtar, pa proletariat. Një mrekulli historike! Marksi do të ishte çuditur po të shihte se në Shqipëri kapitali është i qetë, i pacenuar, ndersa puntori është zhdukur. Jo fizikisht, punëtorin e sheh tek kullat e Kastratit, Manes , Shkëlzenit ,tek lagjet e bosave për ndërtimin e vilave të padronit , tek fasoneria, tek karburanti, tek guroret, por punëtori është zhdukur si vetëdije.
Këtu punëtori nuk është proletar, është skllav modern që hesht dhe thotë: “më mirë keshtu, sesa të rri pa bukë.”
Kapitalizmi shqiptar nuk ka frikë nga greva e protestat,sepse nuk ka sindikata të vërteta. Ka vetëm sindikata prej letre, që firmosin marrëveshje në zyrë me qeverinë, ndërsa punëtori djersit 12 orë për 300 euro. Një vend ku sindikatat janë të ndaluara de facto, pushteti rri 12, 14, 16 vjet i patundur. Sepse askush nuk e shqetëson, askush nuk i tund themelet..
Ndersa varfëria rritet çdo ditë, por varfëria këtu nuk prodhon revoltë, prodhon ikje, prodhon arratisje nga trualli ku lindi e u rrit.
Në vendet me proletariat të konsoliduar e funksional, gjendja e mjeruar e shtresës së ulët lind rebelimin. Në Shqipëri lind avionët, autobusët plot për Gjermani, Itali, Angli.
Proletariati ketu nuk lufton kapitalin, thjesht merr rrugën e mërgimit. Kapitalizmi shqiptar ka shpikur një recetë të re, shtyp, shtrydh, poshtëro dhe kur masa nuk duron më, e shperblen me një biletë avioni “low cost” drejt Europës. Ja kështu sigurohet pushteti jetëgjatë.
Prandaj Shqipëria është laboratori i kapitalizmit perfekt. Një kapitalizëm pa proletariat, një kapitalizëm pa kundërshtim, një kapitalizëm që sundon mbi varfëri, mbi frikë dhe mbi heshtje. Një Shqipëri qeveria ka luksin të sundojë pafund, sepse në vend të revoltës, puntori zgjedh ikjen, dhe në vend të sindikatës, kemi heshtjen.
Kjo është arsyeja pse ky sistem këtu është kaq jetëgjatë, sepse është një kapitalizëm pa të kundërtën e tij. Një kapitalizëm që ka vrarë proletariatin jo me plumba, por me indiferencë dhe skllavëri moderne. Jeto për një kothere bukë e me pension sa vlera e ushqimit të një qeni rrace vilash …