Duke lëvizur telekomandën e televizorit ndesha në një emision të analistit M. Nano me okielon “Arnautistan”!?
Ky emërtim i përdorur me bujari nga shtypi i shkruar dhe sidomos ai i pashkruar, qoftë dhe në një formë më evropianiste si Albanistan, për atdheun e shqipeve apo shqiponjave flet pak s’pakut për një padijeni apo mosnjohje (po përpiqem të shprehem shqip për të shmangur fjalë të huaja si p.sh. injorancë se sikur tingëllon edhe më keq) të thellë të historisë mesjetare dhe të re të popullit tonë. Dhe kjo padijeni apo mosnjohje kërkon të sqarohen çështje kardinale të tilla siç është rrugëtimi tejet i vështirë i bashkësive etnike të popullit tonë nëpër shekuj e shekuj qysh nga kombësia arbënore e deri te lindja dhe përforcimi i kombit modern shqiptar. Gjithë ky rrugëtim flet për presat nëpër të cilat e detyrua të kalonte ky populli shqiptar i lashtë, si rrallë kush apo dhe asnjë, i ndarë në tri fe të drejtuara nga 3-4 krerë fetar, përballë një bote kristiane jo fort për të mos thënë aspak tolerante ndaj këtij entiteti tepër të rrallë, madje pse jo edhe përveçëm, unik.
Pak rëndësi ka si përdoret dhe shpërdorohet ky term i sajuar jo vetëm për mosdijeni, ia vlen të sqarojmë, se “Arnautistani” nuk ka ekzistuar në Shqipëri, jo që jo, por as kurrkund në botë, as në histori.
Sundimi osman konsiderohet nga kinse oksidentalistët tanë të sotëm periudhë largese apo largimi, po të doni distancimi, prej përkatësisë europiane. Me këtë pretendim, pak të thuhet, harrohet që viset shqiptare më parë përjetuan sundimin bizantin, i cili vështirë se inkuadrohet në hapësirat europerëndimore për të cilat bëhet fjalë zakonisht. Veç kësaj dihet, që osmanët morën shumëçka nga bizantinët. Ndërkohë harrohet, se edhe Europa perëndimore, të paktën ajo mesjetare fetare e politike, në mjaft raste, është krejt e kundërt me atë që vlerësojmë sot si qytetërim perëndimor. Në të, të paktën për mendimin tim të përvujtë, nuk bën pjesë Rilindja Evropiane.
Orientimi i sotëm politik dhe më gjerë europian i ithtarëve të kësaj teze përpiqet të sendërtojë për shqiptarët një identitet të mundshëm virtual, jo real e pse jo dhe mburravec, kinse modern. Patër Gjergj Fishta, besohet më evropian se këta oksidentalistët tanë të sotshëm, ishte i vetëdijshëm, se kjo ishte e pamundur, kur shkruante, se te paktën, “Nga një fjalë turçe ban lazem (asht e domosdoshme).”
Trashëgimia e periudhës osmane konsiderohet tërësisht një mbetje kulturore e huaj për shqiptarët. Për më tepër, vërehet një identifikim banal i sundimit osman, me çdo të keqe të trashëguar prej tij, duke përfshirë në të, në radhë të parë, besimin islam! Prandaj, Prof. Rexhep Qosja, i madh jo vetëm në fushën e letrave, siç u theksua me rastin e përvjetorit të 85-të të lindjes, por edhe më i madh në fushën e Shqiptarisë, na mëson shumë gjëra edhe në këtë fushë. Në përballjet me ideologji të shpërbërjes në trajtesën e tij “mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare”, pa bërë dallime nënvizon, se te shqiptarët “identiteti fetar është element, pjesë e identitetit kombëtar.”
Duke veçuar nga përfundimet e sakta të profesorit vetëm besimin islam atë e anatemuan, e çkishëruan aso kohe jo vetëm fetarisht por dhe kombëtarisht madje dhe si letrar e studiues gati gati, kujtuan se e zeruan fare!
Vlen të theksohet se bëjmë fjalë as për tolerancën madje as për harmoninë, por për Bashkëjetesën ndërfetare unikale, tradicionalisht të përveçme të mbarë shqiptarëve. Kjo është feja jonë kombëtare, së cilës i kanë kënduar të gjithë rilindësit tanë qysh me Pashko Vasën katolik, ndoshta jo më katolik se papa i Romës, por më katolik se këta oksidentalistët tanë të sotshëm supermodernë.
Mirëpo pretendohet që besimi islam është pengesë për integrimin tonë në familjen evropiane. Në një shoqëri demokratike, e cila pretendon të konsolidohet, nuk duhet të ketë vend për komplekse të tilla. Nga çfarë shkruan Profesori, siç shihet sot e kësaj dite, nuk janë nxjerrë mësime nga mjaft shkrues.
Identiteti kombëtar i shqiptarëve hodhi rrënjë, u konsolidua dhe u manifestua fuqishëm pikërisht në periudhën osmane. Me që nuk bën pjesë në atë trashëgimi që duhet braktisur, ia vlen të hedhim dritë për aspekte të pa vëna re apo dhe të kuptuara, jo pa qëllim, jo drejtë të problemit në fjalë.

***
Emërtimi “arnaut” po përdoret çdo ditë e më tepër si në rastin e analistit të sipërpërmendur, në mediet tona në mënyrë përbuzëse jashtë kuptimit real dhe kontekstit historik për njerëz të pacivilizuar, kryesisht myslimanë, madje, fanatikë, pa përjashtim, deri në fondamentalizëm!
Përpjekja e paradokohshme, në mjediset akademike, për t’ia kundërvënë etnonimin shqiptar atij arbëresh, duke u nisur nga perceptimi i gabueshëm i trajtës së tij të turqizuar Arnaut, ndikoi jo pak në përhapjen e mendimeve të gabuara lidhur me këtë temë. Përpjekje të këtilla në këtë fushë me gjithë makijazhet vërehen sërishmi.
Pretendohet, me të madhe, se emërtimin etnik arnaut e paskemi “peshqesh” nga turqit. Fjala duhet të jetë për osmanët dhe ky aktualizim i dinastisë osmane dhe barazimi i tij me besimin islam, me sa duket, nuk bëhet pa qëllim. Këta na paskan quajtur arnautë për të na detyruar ta harrojmë emërtimin arbën e arbënesh, sepse vetëm ky na lidhka me epokën e Skënderbeut. Me të paskan pasur për qëllim të na shkëputnin nga Europa, kuptohet, vetëm ajo katolike. Këto mendime hyjnë në jo në fantashkencë, por as në fantahistori.
Në kundërshtim me pretendimet e mësipërme, zotërimet e Kastriotëve, Zenebishëve, Topijave, Dukagjinëve e prijsave të tjerë shqiptarë sunduesit e rinj osmanë fillimisht i përfshinë në një njësi administrative të vetme të quajtur Sanxhaku i Arbënisë (Sanxhaku Arvanid), pra i Abënisë, Shqipërisë moderne. Ky dokument me vlera unikale tejet i rëndësishme për historinë skendebegiane u zbulua nga historiani i mirënjohur turk Halil Inallçik. I përkthyer prej kohësh nga turkulogu ynë Myqerem Janina ai u shfrytëzua nga mjaft studiues pa u cituar Myqerem beu asnjëherë me pretekste biografie. Ndonjë prej tyre në këtë rast e të tjerë si ky, donte të paraqitej, si njohës i gjuhës dhe bile dhe i paleografisë osmane.
Kush interesohet ta konsultojë sot këtë “Defter” Osman, sot nuk ka nevojë të shkojë në Arkivin e Institutit të Historisë, sepse tashmë e kemi të botuar nga turkologu ynë i ri Eduard Cakaj, shembull për respektin e treguar për punën e përkthyesit Myqerem Janina.
Në këtë dokument osman dokumentohet pa mëdyshje, se koncepti i njësuar neoarbëresh i Skënderbeut, të vetëquajtur epirot, për shtrirjen territoriale të shqiptarëve të sotëm iu imponua dhe pushtetit osman të sapovendosur në këto troje.
Më vonë për interesa të kuptueshme, sulltanët osmanë ndoqën politikën e përçarjes administrative të këtij sanxhaku protoshqiptar të arnautëve të shekullit XV në vilajete dhe sanxhaqe të shumta, Për më tepër ato u përzien jo pa qellim etnikisht me popullsitë fqinje. Të përziera kështu keqas në funksion të politikës përçaj e sundo ato u shfrytëzuan nga politika aneksioniste të pushteteve shoviniste fqinje. Këta fituan autonominë dhe pavarësinë para shqiptarëve në shumicë myslimanë në saj të mbështetjes politike dhe ushtarake të fuqishme të Fuqive të Mëdha, midis të cilave dallohej Rusia cariste, të cilat kujdeseshin vetëm e vetëm për popullsitë e krishtera veçanërisht ato sllave.
Për ata që nuk e kanë të qartë ende, vlen të theksohet dhe një herë, se emërtimi i turqizuar në Arnaut, bazën e vet e ka te emërtimi etnik i përbashkët i parardhësve tanë që nga mesjeta paraosmane arbën, arban, alban, raban, arvanid, arnavud, arnaud. Këto ndryshime gjuhëtarët tanë i kanë shpjeguar me ligjet fonetike të gjuhëve të popujve fqinjë, pra dhe të turqve, të cilët i kanë përcjellë ato trajta në shekuj.
Pra, etnonimi arban ka mbijetuar as për meritë dhe e as për faj të turqve osmanë. Është meritë madhore historike e arbanëve epirotë, siç i quajti ato dhe veten Skenderbeu i Madh, qofshin arbëneshë katolikë e arvanitas ortodoksë apo dhe arnautë myslimanë, të cilët edhe kur filluan të islamizoheshin, që të gjithë bashkë u paraqiten para sundimtarëve të rinj të bashkuar me prejardhjen, gjuhën dhe traditat historike. Shqiptarët sot e kësaj dite në Turqi i quajnë me respect arnautë.
Pra, osmanët vijuan t’i quanin nënshtetasit e tyre të ri me etnonimin e vet historik, në thelb, po arbën (pra, arnaut), pa farë kompleksi për lidhjet aq të pretenduara sot të këtij emërtimi vetëm e vetëm me katolicizmin. Ortodoksët arbën/shqiptarë të emigruar nga Perandoria Osmane në Ballkan e deri në Rusi mbajnë dhe sot etnonimin mesjetar Arnaut, pa e cenuar fare kristianitetin e tyre dhe ajo që ka më shumë rëndësi dhe shqiptarësinë e vet deri dhe shqiptarinë tyre. Pra, etnonimi arbën baras Arnaut sa na lidhte me kristianizmin po aq na lidhte dhe me islamizmin pavaresisht ndryshimit fonetik të përdorimit të tij. Njëjtësimi i arbënve mesjetarë vetëm me katolikët edhe në kohët e reja, sikurse ndodh dhe në botimin e Concileve të Arbënit të vitit 1807 dhe sidomos e atij të vitit 1868, nuk mund të thuhet se i ka shërbyer shqiptarësisë e aq më pak Shqiptarisë së tyre..
Osmanët vendin tonë nuk e quajtën asnjëherë, siç pretendohet, Arnautistan dhe aq më pak Albanistan. Jetojme, siç lexojmë në internet, në një kohë kur dhe në Kazakistanin aziatik, shteti më i madh pa dalje në det, me shumicë myslimane, me 35 % të popullsisë ruse, nuk qenka pranuar ndonjë mendim për t’ia hequr këtë prapashtesë të afirmuar historikisht të emërtimit të vendit të tyre.
Ndërsa midis nesh ka jo pak “intelektualë”, midis tyre shumë gazetarë dhe analistë, kinse të europianizuar, të cilët mendojnë dhe shkruajnë që vendit tonë, i njohur qysh në mesjetë thjesht Albania i shkoka për shtat kjo prapashtesë gjuhësisht e huaj dhe historikisht e panjohur as në Shqipëri, as në botë dhe as në Perandorinë Osmane, madje, as si Albanistan.
Se sa evropianë mund ta dëshmojnë veten këta intelektualë, që këmbëngulin për aktualizimin dhe me demek deislamizimin dhe deotomanizimin e traditës sonë arbënore. Ata e arkaizojnë në këtë fare mënyre etnonimin tonë historik qindravjeçar me një prapashtesë osmane e konsideruar prej tyre pa diskutim dhe islame. Ajo, mund të thuhet, se ka lindur dhe para lindjes së Islamizmit, par pa diskutim shumë kohë para përhapjes së tij në trojet arbënore.
Osmanët e shekullit XV e emërtuan vendin tonë jo “stan” i arbënve, arnautëve, por Arnavutlluk. Ky fakt merr shumë rëndësi për sa po diskutojmë. Paraardhësit tanë që nga shek. XV, megjithë mungesën e një tradite perandorake në rrugën e shtetformimit të tyre, iu imponuan sulltanëve më të fuqishëm të kohës me vetëdijen e tyre etnike të rrënjosur thellë. Ata dëshmuan se në Ballkanin perëndimor osmanët kishin të bënin jo vetëm me trojet e neoarbëreshëve, të shqiptarësisë, që po lindte, por, për më tepër, dhe me hapësirat e banorëve të vetëdijshëm për përkatësinë tyre të lashtë arbënore, tashmë të shqiptarisë, shqiptarizmit. Dhe mos harroni, se jemi disa shekuj më parë se sa turqizmi (türklük) të lindte dhe të zinte vend në Anadoll nën udhëheqjen e Ataturkut, i diferencuar qartë nga veshjet dinastike dhe fetare dhe shteti osman të quhej Republika e Turqisë. Turkistan apo dhe Turkmenistan në Azi quhet një vend dhe një shtet tjetër.
Pavarësisht nga lindja e etnonimit të ri kombëtar pas vetemërtimit të neoarbëreshëve epirotë si shqiptarë etnonimi i mëparshëm paraosman arbën vijoi të përdorej nga të huajt si në Perëndim në trajtën arbënore, sipas Skënderbeut epirote, alban ashtu dhe në Lindje në trajtën arvanid apo Arnaut duke u ndërkombëtarizuar në Albania.
Këtë realitet etnik të rrënjosur thellë në këto troje nuk paten interes ta njihnin zyrtarisht deri më 1912 as sulltanati osman me Sheh yl Islamin, as qendrat politike e fetare në Ballkan dhe në Europë. Ky është problem që kërkon trajtim në mjaft rrafshe. Një politikë jo vetëm ballkanike por dhe kontinentale dhe më gjerë pati si rrjedhojë që Çështja shqiptare të injorohet jo vetëm në Stamboll por dhe në qendrat vendimmarrëse evropiane që nga Lidhja e Prizrenit e deri në më 28 nëntor 1912. Mos të harrohet që Fuqitë e Mëdha nuk paten interes të merreshin me Çështjen Shqiptare qysh nga Kongresi i Berlinit e deri në Konferencën e Londrës më 1913. Madje, dhe vetë aktin sovran të Shpalljes së Pavarësisë nga përfaqësuesit e mbarë trojeve shqiptare në Vlorë më 28 nëntor 1912 Evropa nuk e njohu edhe për disa muaj , deri në korrik të vitit 1913.
E pra, shqiptarët, pasardhësit historikë të arnautëve mesjetarë, kishin gati katër vjet qysh nga viti 1909, që luftonin për të drejtat e veta kombëtare për mbarë Arnautët dhe Arnavutllukun, dhe jo vetëm për atë pjesë që u përfshi në shtetin e përgjysmuar të njohur në Londër.”
Komentet