Prishtinë, tetor 2025
1.
Ironia përtallëse
Ishte një ditë e bukur vjeshte, tash tre vjet, kur forcat ukrainase depërtonin thellë e lehtësisht në ngulimet ushtarake të armikut rus.
Dhe menjëherë, disi
mezipritshëm, në mediat e Kinës do të niste një përtallje e ushtrisë ruse deri në përçmim.
Ironia e kulluar shprehej me tituj të ndryshëm përulës. Një prej tyre ishte dhe “cai’e (菜鹅)“ që shqip do të thotë “patë e dobët”. Në fakt, tekstualisht është “perime”, por në zhargonin publik kinez përdoret për të shprehur diçka me cilësi të ligë, madje fare të pavlefshme. Dhe jepte kështu një paralele simbolike me Rusinë e pafuqishme.
Vështrimi përçmues s’është vetëm elokuencë publicistike. Është pozicion i epërsisë, që vjen nga ndjesia e deshpërimit historik kur rusët rrëmbenin toka kineze dhe impononin traktate poshtëruese.
2.
Humbësi i vetmuar
Dhe, vërtetë, a nuk ishin të tillë Traktati i Nertshinskut (1689), pas luftërave të para kufitare dhe, më vonë, Traktati i Aigunit (1858) që përcaktonte dhe Traktati i Pekinit (1860) që sanksiononte humbjet e Dinastisë së ligështuar Qing?
Ndaj pra, dy Traktate kompromisi mes të pabarabartëve ose si quhen “Fauler Kompromis”, (kompromis i ndyrë) që do t’i grabisnin Kinës territore të mëdha përgjatë lumit Amur dhe në tokën e bukur të Manxhurisë (rajoni i sotëm i Primorjes – Primorski Krai).
Mirëpo, grindjet mes tyre nuk do të përfundonin as në këtë kohë, e as në këtë territor të humbur.
Dhe kinezët nuk e njohën disfatën. Një përballje e re sovjeto-kineze do të kallej sërish përgjatë lumit Ussuri, krejt vonë, viti 1969 i kohës sonë.
3.
Rusia, një armike natyrale
Pas carëve të Rusisë, perandoria Çing do disfatohej në luftë edhe nga europianë të tjerë.
Është një histori e dhimbshme humbjesh dhe turpi qindvjeçar.
Ishin luftërat e Opiumit me britë, e para (vitet 1839–1842) dhe, e dyta, me britë e francezë bashkë (vitet 1856–1860). Herën e parë, me Traktatin e imponuar të Nankingut (1842), britëve do t’u dhurohej Hong Kongu, kurse herën e dytë, kur trupat e huaj pushtuan Pekinin dhe dogjën Pallatin e Verës, kinezët detyroheshin të hapnin portet dhe të legalizonin tregtinë fatale të Opiumit.
Argumenti i refuzimit fillestar kinez ishte se Opiumi që tregtohej përmes Indisë në Kinë, rrënonte ekonominë dhe shëndetin e popullit të saj.
Po cili ishte motivi i invadorëve europjanë?
Lumi Amur nuk ishte i shenjtë dhe as Opiumi nuk ishte aq jetik që të përcyste një plojë gjaku… Gjeopolitika, përfitimet dhe yshtja e dominimit mbi Azinë, përndizte flakën e tyre.
Ndjesia e turpit të një njeriu, sado sedërhollë të jetë, është kohëshkurtër në tallazet e jetës. Por turpërimi i një kombi i kalon shekujt.
Pikërisht kjo gjëmë do t’i ndodhte Kinës nga tri më të fuqishmet e Pentarkisë së Europës: kishte shpallur qindvjeçarin e mëpasmë “shekulli i turpit”! Dhe ishte një referencë përkujtese e nënshtrimit dhe robërisë. E, poaq, e pritjes (si thotë një urti e tyre) proverbiale kineze tek bregu i lumit që valët të sillnin kokën e armikut…
Ndërsa një fundjavë të qetë vjeshte vështroja tituj të rinj në librarinë e njohur në Ku’Damm, ndalova një çast. Një prej tyre (nga autorë: Stefan Aust e Adrian Geiges) që do t’më vëmendësonte, ishte: “Xi Jiiping, njeriu më i pushtetshëm i botës”.
O Zot, thashë, e në mendje më erdhi papritur, urtia kineze, lumi dhe koka e armikut që vjen sipër valësh…
Ç’bezdisje, pësherëtija, dhe një fill droje e largët hynte vetimthi në mua. Aty ku zemra gjithçka përgjon…
Mirëpo, mblodha veten e mendova: revanshi ndaj anglofrancezëve, e pra ndaj Europës, nuk besohet kurrë i mundur. Distanca fizike, territoret e largëta, kohezioni perëndimor a panëvojshmëria vitale për këtë anë bote, e bëjnë atë një dëshirim të pafat.
Porse, ndërkohë, ngjan të jetë krejt realist një rikthim në kujtesën e Amur-as, lumit më të gjatë në botë që ndjekë heshtur shtegun prej 2000 klm. mes Rusisë, Kinës e Mongolisë, për t’u prehur në Paqësorin e pafund.
Dhe, thuase miti i lumit do t’i kujtonte vonesën e hakmarrjes ndaj triumfit rus pranë brigjesh të tij, farkohej kauza e prerë: rusët janë armiqë natyralë!
Rrjedhimthi, një tjetër fushë e lëndueshme, ashtu si tymnajash të hershme, mban tani gjithnjë zgjuar strategët kinezë: Siberia e pasur dhe e paanë, me energjentët e së cilës Rusia ushqen popullin e saj dhe shantazhon botën.
4.
Tokë e shumëkujt
Siberia, ndërkaq, është një kronikë e gjatë përplasjesh, por kinezët nuk i’a dolën akoma të riktheheshin gjurmëve të mançurëve të lashtë.
Siberianët kanë dy kohë historike: pararuse dhe ruse. Jetuan andej skithët, fiset mongole, kirgizë e uzbekë turqishtfolës, pastaj, përtej popujve të stepës, samojedët, Jurchenët e Kinës veriore, pararendës të mançurëve, madje dhe dyndjet hungareze dëshmojnë praninë e tyre.
Veçanërisht i fuqishëm do të ishte (historiani persian Rashid ed-Din, rreth vitit 1303) gjallërimi i mançurëve. Kishin dhe qendra urbane, varreza, tempuj budistë…
Ndërkaq vonë, në Epokën e re, Sovjetët do të behnin në Siberi me sund dhe atë mashtrimin e largdëgjuar rus.
Evokoj vetishëm një intervistë të Leh Valesës për median perëndimore, akoma në Poloninë socialiste, kur i pyetur për bashkëpunim me Sovjetët, thoshte: është i shkëlqyer! A nuk është, njëmend, i tillë, shprehej ai, kur ne u japim atyre sheqer, e ata ne na marrin vaj?
Rusët, pra, merrnin e sërish merrnin nga siberianët e vetmuar. Por ata nuk u mashtruan nga dogma, e as nuk iu nënshtruan vdekshëm fuqisë së armëve ruse.
Në vitet e bolshevikëve të Leninit, 1919, deklaruan shkëputjen që, mjerisht, do të zgjaste bukur e shkurt si feksja e xixëllonjës.
Por, si rëndom, ideja nuk vritej dot. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, viti 1991, do të rizgjonte ëndrrat e dremitura. Lindte ngadalë koncepti i Siberisë sovrane, i quajtur “Shtetet e Bashkuara të Azisë Veriore”.
Do të valonte flamuri bardhë-e-blertë, pastaj, do të nismëtoheshin atribute tjera sovraniteti: policia, kushtetuta, valuta, buxheti dhe sistemi i pavarur gjyqësor.
Po në vitin 1992 (27 e 28 mars) do të mblidhej Kongresi i deputetëve popullorë që themelonte
“Asociacionin Ndërrajonal të Subjektëve Siberianë”
(MASS), i përbërë nga shtatë rajonet të saj: Tjumen, Omsk, Tomsk, Novosibirsk, Kemerovo, Krasnojarsk dhe Hakasia.
Ata rivalizuan një kohë Kremlinin duke firmosur, madje, marrëveshje të llojit ndërshtetëror, por, mjerisht, një vit më pas, lanë jetime ëndrrën sovrane!
Deri kur? Përgjithmonë?
Selia e MASS-it siberian ndodhet ende në Novosibirsk…
Ndaj, mësova se viti 2049, tashmë është parashestuar për të ndarë kohën: para e pas ndërhyrjes kineze në Siberinë e pavdekshme Gjurmëve të vjetra të mançunëve, qyteteve dhe tempujve të lashtë budistë…
5.
Dekolonizimi, një elaborat
E mohoi të kishte thënë, por gjuha e mohit s’ishte veçse një floskulë e hollë diplomatike. E Madhja dhe e Mira Madeleine Albright, do t’a qarkullonte qysh herët, me pak qesëndi, tezën e tillë. E pra, se është e padrejtë që një popull relativisht i paktë të mbajë në zotërim gati gjysmën e botës…
Dhe, pikërisht, a s’është Rusia e vetmja fuqi kolonialiste e Europës që ka mbetur një fosil tragjik në gërmadhat e carizmit, të zi apo të kuq?
Kremlini refuzon ende idenë rilindëse të dekolonizimit që, në vitet 60-të, hapte faqe të re lirie ndër robnorë. Madje, as një të vetme shkallë autonomiteti nuk do t’u njihte popujve të shtypur.
Përkundrazi.
Mbajtja dhunësore e Çeçenisë së përgjakur, Dagestanit, Tatarstanit e Çerkezisë, si shkruan Aleksandër Motli, do të shtrihej mbi harkun e shumë kohëve të errëta.
Q’andej, tashmë, vijnë lajme për ngjizjen e “Lëvizjeve çlirimtare” që dëshmojnë ndërgjegje të konsoliduar etnike dhe flijimtare…
Dhe, prandaj, një doktrinë konturohet mbi perëndimin e saj të vonuar imperial. Është doktrina e copëtimit të Rusisë në pjesë natyrale të Rajoneve dhe identiteteve të tjerë në hapsirën e saj. Por, e redizajnuar për tregtizën gjeopolitike, quhet elaborat i “dekolonizimit të Rusisë”.
Rusët, që këtej, përfundimisht, do të duhej të mbeteshin pa perandorinë e vet.
Që në natën e Luftës çlirimtare të Kosovës, viti 1997, i dëgjuari Z. Bzhezhinski, ideonte konceptin e ndarjes së Rusisë në tri njësi republikane: në Rusinë europjane, pastaj në Republikën siberike dhe atë Larglindore.
Mirëpo, mote më vonë, ideja do të rishihej e pamjaftë. Kejsi Michel, thërret tani në “Atlantik-un” ndikestar që ajo, më në fund, të kryhet. Të përmbarohet projekti i gjysmëmbetur nga viti 1991 dhe toka e hapsirshme e Rusisë të ndahet në nëntë subjektë të së drejtës ndërkombëtare.
Rusia etnike, vetëm ajo, duhet tkurrë me territor e kulturë afër Europës. Pjesë e Lindjes së saj…
Në dokumentin interesant, pozicioni i justifikuar është fjalëprerë: dekolonizimi i Rusisë, një imperativ moral dhe strategjik i kohës! Pjesë e këtij elaborati është dhe mobiliteti i fuqive perëndimore, amerikane sidomos, për t’a prerë nxitin e ndërhyrjes kineze me ushtri e kolonë, në botën e Siberisë…
Por a duhet të ndërkalojë kjo përmbysje epokale portën e Armagedonit?
Vështirë të thuhet. Është vetë koha, sosja e ditëve a vyshkja e shpirtit jetik të saj, që gropojnë
hullinë e rënjës.
Kështu i rr’fen prorë natyra ligjet e saj…
6.
Ndërdyshje dhe vigjëlim
Kina, një viktimë e hershme historike, parë me sytë e mëshirës, do të ngjallte ndjesinë e keqardhjes.
Por kjo nuk është bota. Është fare tjetër: pa dhimbje e pëndesë! Që këndej, në mbyllje shkrimi, gjykimi do të dalë patjetër i ftohtë.
Është i qëmotshëm, prandaj, labirinti në trekëndëshin gjeostrategjik Amerikë, Rusi e Kinë. Dy tyresh duhet të jenë aleatë kundër një të treti, por rolet janë alternuar vazhdimisht ndër vite.
Në kohën e hemisferës së kuqe në Rusinë me vise, Amerika i rezervonte Kinës statusin e privilegjuar në tregtinë dypalëshe: caksynohej fuqizimi i Kinës dhe hedhja e farës demokratike në rendin e papllenuar të saj. Aty ku liria e njeriut është e huaj dhe Konfuçie qeverisë mistershëm shpirtin e tij.
Këtë kishte provuar deri në prekje të afërt dhe një publicist Europe të cilit, ndërsa qëndronte atje, i thanë: ne urrejmë konflikt-demokracinë tuaj perëndimore.
E pra, si do të rrjedhonte më pas, Kina vjeli e mashtroi tinëzisht aleatin e madh provizor përtej Atlantikut: do të pasurohej, por nuk do të demokratizohej.
Madje, do t’a sfidonte atë ballas: njësonte radhët me armikun e tij, Rusinë. E, njëkohësisht, duke mbajtur në sy Europën e lodhur nga civilizimi i vet…
Gjithnjë brenda lojës së fshehtë, Kina, si një përzierje kartash fati, i dërgonte, së voni, rusëve një lajm të keq. Do të vështirësojë ftohtësisht qasjen e ekonomisë ruse në makineritë e sofistikuara. Kjo do të përfshinte dhe furnizimet për industrinë ushtarake.
Dha ja, pra, dhelpëria e koduar kineze: të vriten e shterrojnë, pa humbur a fituar kush. Një statu-quo lufte, e rëndë dhe sfilitëse për të gjithë…
Kurse tani, Amerika, e vjedhur poshtërisht prej saj, do të lëvizte boshtin drejt Rusisë për të provuar një bllok të fortë përballjeje kundër Kinës dhe lojës së dyfishtë të saj.
Por kushedi, mbase, sërish në kohën apo në shtegun e gabuar…
Aziatët e largët (a s’është dhe Rusia aziate?) ashtu si hieroglifet kineze, janë përherë të drynuar e t’palexueshëm.
Posi vitesh të mugëta të historisë…
r.