Neo-ekspresionizmi në pikturë, si stil i modernizmit të vonë, apo postmodernizmit në pikturë, skuptlurë, apo shpeshherë e quajtur edhe si lëvizja Transavangarde, që theu konceptim mbi artin në pikturë, rreth viteve 70’ në Europë dhe SHBA. Neo-ekspresionistët, në njëfarë mënyre e tjetërsuan pikturën nga korniza e famshme e florinjtë, shmangën disi subjektet artistike nga shkëlqimi i ekspozitave dhe vendeve të posaçme, gjithashtu edhe zhveshën trupat njerëzore nga mbulesat e telajove. Pra, e zhvendosën pikturën në rrugë, në ndërtesat gjigante, në sipërfaqe lehtësisht të përkapshme nga kalimtarë të rastit, në faqe muri, në një trotuar, sigurisht që tashmë për të gjithë, këdo që tërhiqej apo bezdisej, por sidoqoftë ngacmonte në njëfarë forme, grishte ngjyra apo subjekti X, duke ndërtuar pak nga pak artin minimalist, në një mënyrë abstrakte mbi perceptimin e thelbit, e sidomos pikturat e arrira thjesht me spray, grafike, skulptura tashmë llamarine, kartoni, portrete, postera, instalacione etj, deri në një zhvillim të paimagjinueshëm, atë që sot quhet “street art”, “arti vizual” nëpër hapësira publike, i ashtuquajturi “arti i pavarur publik”, arti i lirë, larg kuptimit të dikurshëm, të largët…Është e natyrshme të mendojmë që ka ardhur si një nevojë e thellë e brendisë së shpirtit, gati si një britmë instiktive për të bërë art gjithkush. Me pak fjalë, një njeri me pak fantazi dhe dhunti atë cfarë ka në mendje e konkretizon permes duarve. Dikush që jo domosdoshmërisht ka studiuar pikturë, krijon, ndërton dhe e ndan përjetimin e tij personal me publikun e gjerë, pa patur nevojën e nje afirmimi profesionistesh apo miratimin e nje jurie kritike për të ecur përpara. Me pak guxim ky klasifikim i artit në pikturë ka thjeshtuar rrugën për t’u dëgjuar zëri i gjithkujt, duke përmbushur ndoshta një ëndërr të vjetër. E tëra krejt spontane, domosdoshmerisht , minimaliste, e thjeshtë si impakti shqisor syshikim-pikturë, skulpturë, instalacion etj, një linjë depërtuese mes së gjithës dhe asgjësë, ndikimit të harruar, të pavetëdijshëm, për të mos u përpjekur aspak të kuptojmë ç’ka dashur te derdhë krijuesi në bojëra, në telajon e qoshkut apo fasada, objekte transparente, por ajo që grish brenda nesh, trazira ndjenjash që bëjnë sens për ne, që ndryshojnë ditën dhe i japin një ngjyrë gjendjes emocionale. Ndër artistët bashkëkohorë figurativ modern është edhe piktori Luca Castellano (Lu Astell) emri i tij i artit, lindur në Napoli, ku edhe gjeneron artin e tij në vendlindje, i biri i piktorit Luigi Castellano. Lu Astell ka përcjellë një kreativitet të pakohë, duke eksperimentuar në pikturën kontemporane, përmes ngjyrave, imazheve fotografike të copëzuara, duke arritur rreth 100 piktura që nga viti 2008, duke sjellë një formë të veçantë të përvetësimit artistik, kufirit midis realitetit dhe imagjinatës, linja e hollë e dashurisë dhe sensualitetit të pashmangshëm, feminilitetit vulnerabel dhe absurditetit të reagimit njerëzor. Në pikturën e Lu Astell përfshihet krijimi i ligjeve të së bukurës dhe shëmtisë, si edhe gërshetimi i të dyjave si raporte ekzistenciale, si dukuri spirituale, duke zbëthyer nocione, për të prekur esencialen, pastrimin e mendimeve nga sekuneca të panevojshme të së shkuarës, si akt thelbësor bashkëveprimi. Lu Astell në pikturën e tij transmeton një lumë ngjyrash, trajtash figurative, vijash të panumërta, një sërë shikimesh, ku sytë evidentohen thuajse në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij, si pasqyra më e vërtetë e realitetit njerëzor dhe shikimi si shpërblimi më intim dhe më sublimi i përgjigjes së ndjenjave.


2s,