Policia e Kosovës i ka ndaluar përkohësisht për t’i marrë në pyetje kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozhac, pasi ata u përpoqën ta mbulonin me ngjyrë të kuqe zemrën e gjelbër në shenjën “E dua Mitrovicën”, e cila ishte vendosur nga pushteti i mëparshëm i udhëhequr nga ish-kryetari shqiptar Erden Atiq.
Pasi u liruan, Radojeviq u tha gazetarëve se pushteti lokal vetëm po i zbatonte vendimet që kishte miratuar paraprakisht.
Policia e Kosovës njoftoi se kishte marrë informacion për largimin e shenjës “E dua Mitrovicën”, pas së cilës inspektorët komunalë ishin njoftuar se zbatimi i atij vendimi duhej të shtyhej derisa të merrej një vendim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila mbikëqyr komunat në vend.
Policia tha se në vendngjarje hasi edhe në kryetarin Radojeviq, i cili, pasi komandanti i stacionit policor e njoftoi për situatën, deklaroi: “Tani do ta ngjyrosim emblemën”.
“Pavarësisht kërkesës dhe urdhrit për të ndërprerë dëmtimin, përkatësisht ngjyrosjen e objektit publik, të pranishmit filluan ta ngjyrosnin atë, për çka zyrtarët policorë u detyruan të ndërhyjnë dhe t’i shoqërojnë në stacion policor dy persona”, thuhet në komunikatë.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – u rikthye në pushtet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.
Deri atëherë, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku drejtoheshin nga kryetarë shqiptarë, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e largimit kolektiv nga institucionet e Kosovës me qëllim pengimin e zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë, Lista Serbe kishte bërë thirrje dy herë për bojkotimin e zgjedhjeve, por më pas pranoi se largimi nga institucionet kosovare ishte gabim dhe, pasi u rikthye në pushtet, njoftoi se do t’i zhbënte të gjitha vendimet e marra nga pushteti i mëparshëm shqiptar.
Kështu, në fund të muajit maj, asamblistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut votuan pro propozimit për largimin e shenjës “E dua Mitrovicën”.
Më parë, në atë vend ishte i vendosur një konstruksion me zemër të kuqe dhe mbishkrimin “E dua Mitrovicën e Kosovës”.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në Kosovë nuk përcakton në mënyrë të qartë nëse një pushtet i ri komunal mund të shfuqizojë vendimet e pushtetit paraprak.
Megjithatë, në pjesën e ligjit që lidhet me mbikëqyrjen e ligjshmërisë, thuhet se nëse organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës – vlerëson se një vendim ose akt i komunës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ai mund të kërkojë që komuna ta rishqyrtojë atë vendim ose akt.
Nëse organi komunal nuk i përgjigjet kërkesës për rishqyrtim, organi mbikëqyrës mund ta kontestojë aktin përkatës para Gjykatës Themelore kompetente për territorin e komunës brenda 30 ditëve nga mosmarrja e përgjigjes, nga refuzimi ose nga konfirmimi i vendimit apo aktit të kontestuar.
Gjykata mund të urdhërojë, përmes një mase të përkohshme, pezullimin ose shfuqizimin e vendimit apo aktit të kontestuar, si dhe masa të tjera të përkohshme në përputhje me ligjin në fuqi.
Pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, Bashkimi Evropian deklaroi për Radion Evropa e Lirë se pret që autoritetet e reja komunale në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullsisë përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjin.
Pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, me iniciativën e Listës Serbe, tensionet u rritën vazhdimisht si rezultat i përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në veri të vendit.
Gjendja u përshkallëzua në shtator të vitit 2023 kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter policor.
Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, për të cilin besohet se tani ndodhet në Serbi.
Kosova e fajëson Serbinë për përfshirje në këtë sulm, gjë që është mohuar nga ajo.

