Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, me kërkesë të Gjykatës Speciale.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë bëjnë me dije se është ushtruar kontroll fizik i banesës së Goxhajt dhe është vënë në prangat e policisë, urdhër ky i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që ka si qëllim ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.”-thuhet në njoftimin e policisë.