(temë qe thyen tabutë, zbardhë sekretet e ruajtura deri në sotë e të patrajtuar më parë as nga historiografia e Kosovës dhe asë e Shqipërisë)
Për shkak se ka qenë një informacion i munguar dhe rreptësisht i ndaluar, shumëkujt i duket e pabesueshme që, në ato kushte, në atë vend dhe në atë periudhë, të jetë mbajtur në Valbonë një mbledhje kaq e madhe, si për nga numri i pjesëmarrësve, forcave dhe grupimeve të ndryshme, ashtu edhe për nga prania e misioneve të huaja.
Por zbardhja e së vërtetës mbi historikun e asaj mbledhjeje, e mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qëllimisht e lënë në harresë, nuk është vetëm një nga faqet më të errëta të historisë së popullit shqiptar në atë periudhë. Ajo do të shënojë gjithashtu një kthesë të madhe në çmontimin dhe “përmbysjen” e historisë së rreme, e shkruar deri më sot rreth Shtabit të KOSMET-it dhe forcave partizane nën drejtimin e tij, si dhe rreth brigadave partizane që kaluan në Veri dhe në Kosovë, me urdhër të Titos dhe të zbatuar verbërisht nga Enver Hoxha.
Zbardhja e kësaj ngjarjeje do të sillte “këndelljen” e historiografisë politike të shkruar deri tani, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Kjo konferencë u mbajt nga data 10 gusht deri më 15 gusht 1944, në fshatin Valbonë, i përzgjedhur me kujdes të veçantë si një vend i përshtatshëm strategjikisht, i fshehur mes maleve dhe i mbrojtur nga gryka të ngushta, larg syve të pushtuesit, por edhe të opinionit të gjerë publik.
Këtë vit bëhen më shumë se 80 vjet nga mbajtja e Konferencës së Valbonës, për të cilën nuk është folur dhe as shkruar zyrtarisht ndonjëherë, as në Shqipëri dhe as në Kosovë, për shkak të dominimit të historisë zyrtare nga historianë që kanë shërbyer, në thelb, për mbrojtjen e interesave të pushtetarëve.
Edhe sot, jo vetëm që opinionit të gjerë nuk i është bërë e ditur asgjë për këtë mbledhje/konferencë, por as intelektualët, studiuesit dhe historianët nuk kanë dijeni, deri në ditën e sotme, se një konferencë e tillë është mbajtur ndonjëherë.
Përse duhet të vazhdojë që edhe sot, pas kaq shumë vitesh, të mbahet mister mbajtja e Konferencës së Valbonës?
Nuk mund të mos bëjë përshtypje që për zbardhjen e kësaj ngjarjeje historike me ndikim të madh, edhe pse negative, nuk është bërë asnjë përpjekje serioze deri më sot. Kjo heshtje vazhdon të jetë një reminishencë e së kaluarës së errët, një qasje që shtrihet edhe mbi shumë ngjarje të tjera të Luftës së Dytë Botërore.
Duket qartë se dikush po e pengon zbardhjen e së vërtetës historike, me qëllim që e shkuara të mbetet e manipuluar dhe në shërbim të ndikimeve sllavo-komuniste të Beogradit. Prandaj, për sa kohë që këto të vërteta historike mbeten të pathëna, rrezikojnë të mbeten përjetësisht të shtrembëruara dhe të përdorura si mjet manipulimi, në dëm të kujtesës sonë kombëtare.
Si një parantezë për lexuesin, që në fillim duhet theksuar se Konferenca e Valbonës ishte një veprim i organizuar nga strukturat sllave, konkretisht nga Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ), dhe ndikimi i saj ishte tërësisht antikombëtar.
Që me formimin e Jugosllavisë si shtet pas Luftës së Parë Ballkanike dhe përgjatë gjithë ekzistencës së saj, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, platforma politike ndaj shqiptarëve dhe trojeve të tyre në Gadishullin Ilirik ka qenë vazhdimisht armiqësore.
Për realizimin e qëllimeve të tyre, sllavët gjithmonë kanë gjetur bashkëpunëtorë shqiptarë, zelli i të cilëve shpesh ka tejkaluar edhe vetë direktivat e tyre.
Edhe pse ndikimi sllav në Shqipëri ka qenë i vazhdueshëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore ata arritën të krijojnë filialin e tyre të drejtpërdrejtë politik, përmes formimit të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), një strukturë e ndërtuar nën ndikimin dhe drejtimin e PKJ-së.
Arritja më e madhe e këtij bashkëpunimi antishqiptar u shënua pikërisht gjatë kësaj periudhe, kur PKJ, me në krye Josip Broz Tito, arriti që në mënyrë të ligjshme në sytë e opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar të krijojë dy struktura të forta agjenturore:
⦁ në Shqipëri, PKSH dhe më pas Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare,
⦁ dhe në Kosovë, KOSMET-i dhe Shtabi i tij i përgjithshëm.

Harta e Shqipërisë etnikë, e formuar gjatë luftës së II-të Botërorë, ne të cilën janë kufizuar dy zonat (Zona e I-rë Operativë dhe Tropoja) ne te cilat PKJ,instaloj sherbetoret e sajë më të bindura dhe të tjetersuar në thelbin e tyrë të identitetit.
Në këtë kontekst, Konferenca e Valbonës ishte një veprim konkret i këtyre strukturave të drejtuara nga PKJ, në bashkëpunim me kuadro shqiptarë të lidhur me projektin politik jugosllav. Ajo përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në historinë e ndikimit të huaj në trojet shqiptare dhe mbetet, deri më sot, e heshtur dhe e pa trajtuar në mënyrë të drejtë në historinë zyrtare.
Për ta kuptuar më mirë pse u mbajt kjo konferencë dhe pse ajo ka mbetur deri sot anonim, duhet rikujtuar se në gjithë historinë e marrëdhënieve shqiptaro-sllave nuk ka një shembull tjetër kaq të qartë të krijimit të strukturave agjenturore brenda vetë trojeve shqiptare, siç ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pikërisht përmes PKSH-së dhe KOSMET-it, PKJ dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave arritën të “përligjin” të gjithë veprimtarinë e tyre politike, ushtarake dhe agjenturore në dëm të interesave afatgjata të shqiptarëve – me pasoja që ndihen edhe sot.
Megjithatë, deri në ditët tona, shumë pseudo-historianë kanë dalë me përfundime të gabuara, të nxitura shpesh jo rastësisht, mbi rrjedhën e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.
Ajo që duhet kuptuar qartë është se në ato vite, gjatë dhe pas luftës, gjithçka ishte në duart e strukturave jugosllave, dhe kjo është tashmë e dokumentuar dhe e provuar historikisht.
A mund të thuhet sot se PKJ-ja nuk ka vepruar në dëm të shqiptarëve dhe në interes të saj, ndërkohë që pretendohet verbërisht se PKSH dhe Ushtria Partizane Shqiptare kanë “vetvepruar” jashtë ndikimit dhe diktatit të jugosllavëve?
Deri sot nuk ka intelektual, studiues apo historian serioz që nuk e ka kuptuar, nuk e kupton ose nuk dëshiron ta pranojë faktin se e ashtuquajtura PKSH, në Shqipëri, dhe KOSMET-i, në Kosovë, ishin struktura të lidhura ngushtë me PKJ-në dhe, rrjedhimisht, kanë vepruar sipas interesave taktike dhe strategjike të saj.
Megjithatë, gjysmë të vërtetat, mashtrimet dhe taktikat politike të tyre, edhe sot e kësaj dite analizohen si lavdi e fitore për interesat e popullit shqiptar, ndërkohë që realiteti historik ishte krejt ndryshe.
Si mund të besohet se PKSH-ja, KOSMET-i, partizanët dhe më pas e ashtuquajtura Ushtri Nacionalçlirimtare Shqiptare, bashkë me të ardhurit “partizanë” nga Kosova, struktura që u krijuan, u drejtuan dhe u pastruan sistematikisht nga çdo element patriot shqiptar, nuk kanë vepruar plotësisht në interes të Jugosllavisë, pavarësisht kamuflimit të veprimeve të tyre si luftë kundër pushtuesit?
Tashmë është plotësisht e provuar se këto struktura: PKSH-ja, KOSMET-i, partizanët dhe Ushtria NÇSH, kanë qenë veçse vegla të verbëra në duart e emisarëve jugosllavë, të drejtuara nga shqiptarë të testuar dhe të përdorur si zbatues urdhrash. Nga çdo analizë serioze del qartë se:
Të gjitha këto struktura, ndonëse me pamje të jashtme shqiptare, kanë vepruar ekskluzivisht në shërbim të interesave të PKJ-së, dhe se interesat e kësaj të fundit kanë qenë thellësisht dhe diametralisht të kundërta me interesat tona kombëtare.


Në foto: Salih Man Mulosmani dhe Veli Niman Doçi, dy patriot të deshmuar, tek të cilet kërkuan dhe gjeten mbeshtetje e besë KOSMETI, por pas të cilëve qendronin sllavo-komunistet e Kosovës dhe të vet Titos, por qe u’pabesuan prej tyrë dhe u’menjanuan nga çdo vendimarrjë.
Pse Konferenca e Valbonës në Tropojë, ka mbetur për më shumë se 80 vjet në anonimitet? Kujt i shërben moszbardhja e saj?
Është e domosdoshme që të thuhet as më shumë, as më pak se e vërteta historike. Ashtu si për çdo ngjarje tjetër me rëndësi, edhe kjo ngjarje nuk duhet e nuk mund të mbahet përgjithmonë e fshehtë, e patrajtuar dhe pa njohur pasojat e saj – vetëm e vetëm për të mos prishur imazhin e heronjve dhe heroizmave të rreme, me të cilat është mbushur historia zyrtare e popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera etnike gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo nuk ka qenë një ngjarje pa rëndësi, që mund të kalohet në heshtje.
Edhe sipas kujtimeve të Idriz Mulosmanit, Konferenca e Valbonës u mbajt më 10 korrik 1944 dhe zgjati deri më 14 korrik 1944. Mbledhja u organizua me pjesëmarrjen e Shtabit të Kosovës, të Shtabit të Batalionit “Perlat Rexhepi”, si dhe figurave të njohura si Sadik Bekteshi, Beqir Ndou, Idriz Rexhepi, Shpend Dega, Mehmet Bajrami, Veli Nimani, Din Bajraktari etj. Pjesëmarrës ishte edhe Gani Kryeziu.
Në këtë mbledhje morën pjesë gjithashtu drejtues të partizanëve malazezë, si:
⦁ Pavle Joviçeviç (Paloka),
⦁ Dushan Mugosha,
⦁ Mileta Peroviç (Dervishi),
⦁ Bashko Çakiç (Nenadi) etj.
Ndër të pranishmit ishin edhe përfaqësues të aleatëve: një kolonel anglez, një major amerikan, një oficer francez, dhe tre të tjerë – gjithsej gjashtë vetë. Edhe pse nuk ishin kundër komunistëve, ata anonin më tepër nga Balli Kombëtar.
Në mbledhje morën pjesë gjithashtu pjestarë të batalionit të Krasniqes dhe të Rinjve, si dhe një pjesë e batalioneve “Bajram Curri” dhe “Perlat Rexhepi”.
Rëndësia e ngjarjes dhe heshtja ndaj saj
Kjo ngjarje dhe këto fakte historike, për shkak se nuk janë trajtuar asnjëherë zyrtarisht, kanë mbetur në anonimitet, duke fshehur qëllimet dhe prapaskenat e një sipërmarrjeje me pasoja të rënda antikombëtare. Kjo nuk ishte një ngjarje e parëndësishme, as për nga përmasat e pjesëmarrjes, as për nga ndikimi në rrjedhën e luftës në Malësinë e Gjakovës-Tropojë dhe veçanërisht në Kosovë, sa për t’u injoruar plotësisht nga historiografia zyrtare.
Të mos shkruhet asnjë rresht për këtë konferencë, ndërkohë që është një fakt historik i pamohueshëm, dhe të fshihen pasojat e saj në cenimin e interesave kombëtare shqiptare, është një padrejtësi e rëndë ndaj së vërtetës historike.
Fakti që kjo mbledhje-konferencë është mbajtur në një zonë të izoluar e të mbrojtur për kushtet e luftës, nuk justifikon që edhe pas më shumë se 80 vitesh të mos jetë bërë asnjë trajtim zyrtar i saj. Kjo tregon qartë se:
⦁ Ka pasur arsye të forta për ta mbajtur ngjarjen në anonimat,
⦁ Zbardhja e saj do të çmontonte mitet e rreme mbi disa prej figurave të shpallura si “heronj”, të cilët lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me këtë ngjarje.
Duke mos u trajtuar pasojat politike dhe historike të kësaj mbledhjeje, historia vazhdon të mbetet nën diktatin e interpretimit sllavo-komunist, që jo vetëm është përdorur për dekada me radhë, por vijon të dominojë edhe sot e kësaj dite.


Dy Gjakovaret Gani beg Kryeziu, nacionalis i shquar dhe Fadil Hoxha, komosllavist, të cilet e shtrin aktivitetin e tyrë gjatë Luftës së II-të Botërorë, në Malësin e Gjakovës Tropojë, por ne kahje diametralisht të kunderta
Për mbajtjen e Konferencës antikombëtare të Valbonës, Dushan Mugoshës ia kishte përgatitur terrenin pikërisht Fadil Hoxha.
Fadil Hoxha, që gjatë luftës e sidomos menjëherë pas Konferencës së Bujanit, ishte plotësisht i vetëdijshëm se vendimet e asaj konference kishin qenë thjesht formale. Kështu, kur Dushan Mugosha mbërriti në Tropojë, gjeti terrenin e përgatitur, në të gjitha aspektet, për mbajtjen e Konferencës së Valbonës, e cila, në thelb, ishte kryekëput kundër vendimeve të Konferencës së Bujanit.
Vetë fakti i mbajtjes së Konferencës së Valbonës, por edhe shumë të tjera që e pasuan atë, dëshmojnë për qëllimin e saj të vërtetë. Në këtë shkrim, do të mjaftohemi me dy burime, të cilat e shpjegojnë qartë se mbajtja e Konferencës së Valbonës kishte për qëllim:
⦁ Të kundërvihej ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit, si dhe ndaj çdo përpjekjeje për vetëvendosjen e Kosovës, që buronte nga vendimet e Bujanit.
⦁ Të mashtronte patriotët e Malësisë së Gjakovës–Tropojë, të cilët ishin të interesuar në mënyrë jetike për fatin e Kosovës, për ta përdorur më pas këtë zonë si bazë logjistike dhe politike për planet e strukturave jugosllave kundër Kosovës.
⦁ Të testonte dhe më pas të eliminonte nacionalistët komunistë shqiptarë, të cilët u konsideruan të papërshtatshëm për strategjitë e PKJ-së – një pjesë e tyre u eliminuan, të tjerë u përndoqën në Jugosllavi dhe në Shqipëri.
Fakti që Fadil Hoxha kishte marrë në dorë iniciativën për organizimin e Konferencës së Valbonës, sipas direktivave jugosllave, konfirmohet qartë edhe në një dokument të mëposhtëm:
Bëhet fjalë për një letër të ruajtur, që nuk është e vetmja, ku Fadil Hoxha i drejtohet një të njohuri të tij: Zeqir Duq Hajdarmetaj nga Ahmagjokaj i fshatit Markaj, i cili anon nga nacionalçlirimtarja, dhe ku, ndër të tjera, thuhet tekstualisht:
I Dashtuni shok Zeqir Duqi,
Situata po krijohet gjithnji e ma tepër në favorin t’onë.
Kjo situatë na ngarkon detyrë me randësi, aq ma teper sepse ndodhemi para ngjarjesh të shpejta dhe vendimtare.
Ti, si luftar i liris qi je, duhet patjeter të marrish pjesë nder keto ngjarje.
Prandaj, mblidh sa ma tepër burra e djemë t’armatosun, qi e duan me të vertet vatanin e popullin e tyne, dhe nisuni për Valbonë, ku do të mirren vendime me randësi.
Të Marten me II Korrik, duhet të jesh patjeter, me gjithë luftarët që ke, në Valbonë.
Po të vijsh ma vonë asht njisoj si mos me ardhë.
Po e përsërisim: Nuk duhet të mungoni n’ asnji mënyrë.
VDEKJA E FASHIZMIT- LIRI POPULLIT!
Për Shtabin Kryesur Komandant (Fadil Hoxha) d.v. Valbon, 2/VII/1944.
Vertetohet se asht e njejtë me origjinalin
KRYEARKIVISTI I KOM. EKZ. K. P. RRETHIT
B. Curri 15/V/1969. (Muhamet Seci) (firmë e vulë origjinale)
Nga kujtimet e një të “deklasuari” nga Dragobia, familja e të cilit, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të çlirimit, u “damkos” si kundërshtare e sllavo-komunistëve, del në pah një detaj domethënës. Kjo vetëm sepse kryefamiljari i asaj shtëpie, në një takim të asaj kohe, pyeti dhe u shpreh hapur kundër qëndrimit të Fadil Hoxhës, kur ky i fundit deklaroi se Kosova do të mbetej nën Jugosllavi.
Ishte një moment kritik kur forcat partizane të drejtuara nga Shtabi i KOSMET-it, si dhe forcat e Çetës “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, të cilat ishin në drejtimin e komunistëve malazezë, së bashku me malësorë që u ishin bashkuar, po rigrupoheshin gjatë pranverës së vitit 1944.
Ky rigrupim vinte pas shpartallimit të rëndë që kishin pësuar gjatë Operacionit gjerman të dimrit 1944, i cili i kishte detyruar të tërhiqeshin dhe të riorganizoheshin në zonat malore të Tropojës dhe më tej.
Nga dëshmitë e Mal Metalisë, marrë nga Dashnor Kaloçi, për Memorje.al, mësohet sa vijon:
Në pranverën e vitit 1944 në fshatin tonë Dragobi, që ishte dhe qendra e gjithë krahinës, u bë një mbledhje e madhe ku morën pjesë disa nga krerët komunistë të asaj treve dhe bashkë me ta ishte dhe kreu i komunistëve kosovarë, Fadil Hoxha.
Në atë kuvend ku ishin mbledhur të gjithë burrat e katër fshatrave të zonës sonë, Fadil Hoxha me krerët e tjerë të dërguar nga Partia Komuniste Shqiptare, u shprehën se fitorja e tyre ishte punë ditësh dhe të gjithë ne malësorët që ishim aty duhet të bashkoheshim rreth asaj Partie dhe vëllezërve jugosllavë me në krye Josif Broz Titon. Ata e cilësuan Titon dhe Jugosllavinë si “Vëlla të Madh” të shqiptarëve dhe kush ishte kundër tyre ishte dhe kundër Shqipërisë. Ndërkohë që ata na kërkuan t’u jepnim besën për ato fjalë që binin erë tradhëtie, i pari i familjes sonë, Sali Jaha, që megjithëse ishte rreth 75-vjeç, u ngrit në këmbë dhe sipas të gjitha rregullave të kuvendit të burrave, kërkoi leje për të folur. Pasi i’u dha fjala, ai i iu drejtua Fadil Hoxhës dhe të gjithë komunistëve të tjerë që drejtonin atë mbledhje, duke u shprehur:
‘Desha me thanë, mirë se na e fituem luftën, po Kosova me kë do të jetë (mbetet), pas kësaj?! Një nga ata që ishte më afër Fadil Hoxhës, i’u përgjigj: ‘Kosova mbeti me Serbinë, por ne jemi vëllezër me jugosllavët dhe nuk kemi gjë të ndame’. Pas kësaj, Sali Jahës, i rrëshqitën disa pika lot prej syve dhe duke e përmbajtur veten, i’u drejtua atyre:
‘Paçi faqen e zezë, se ju e paski shit Kosovën’. Pas fjalëve të Sali Jahës që u miratuan në heshtje nga shumë prej të pranishmëve në atë kuvend, mbledhja u prish. Ndërsa Fadil Hoxha ishte duke ikur, la porositë që të shikohej qëndrimi i atij burri dhe emrin e tij e shënoi me laps në bllokun që kishte me vete”, dëshmon Mal Metalia, lidhur me atë ngjarje të vitit 1944, kur i pari i familjes së tyre, Sali Jaha, akuzoi përfaqësuesit Partisë Komuniste Shqiptare dhe kreun e komunistëve kosovarë, Fadil Hoxhën, për shitje të Kosovës.
Kjo gjë u bë shkak për prishjen përfundimtare të Metaliajve me komunistët, të cilët më pas filluan dhe reprezaljet ndaj tyre. Sikurse mbledhja me popullin e Dragobisë, pati edhe organizime të tjera nga ana e Shtabit të KOSMET-it, të cilat duket se u zhvilluan menjëherë pas riorganizimit të forcave partizane në Malësinë e Gjakovës-Tropojë, pas operacionit gjerman të dimrit 1944, por edhe pas Konferencës së Bujanit, në vigjilje të mbajtjes së Konferencës së Valbonës.
Këto të dhëna, së bashku me shumë fakte të tjera, tregojnë qartë se Shtabi i KOSMET-it kishte bërë kompromis lidhur me fatin e Kosovës pas luftës.

Nga e majta: Selim Malë (Hoxha) Bajraktari, Ali Brahim Zherka, Baram Ukë Aliaj, nga krahina e Bytyçi, të cilet ishin pjesë e shtabit, komandantë çetash, drejtues luftë dhe baza kryesore e mbeshtetjes se levizjës nacionalistë të drejtuar nga Gani beg Kryeziu në Malësin e Gjakovës-Tropojë.
Prag-përgatitja e mbajtjes së Mbledhjes-Konferencës së Valbonës
Sipas një dokumenti që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, forcat e ndryshme të armatosura që kishin vepruar dhe qëndruar në Tropojë para operacionit të dimrit 1944, sapo filloi të ngrohej koha, nisën të riktheheshin në zonat ku ishin më parë dhe të riorganizoheshin.
“Komanda e Rrethit e Gjandarmesise Tropoje, njoftonte nga Gjakova, me 18.6.1944, Komanda e Qarkut te Gjandarmesise Kukes: “Lutemi teper urgjent dergimin e nje fuqie te mjaftueshme ushtarake te organiuzuem mire, si keshtu per tu pre hovin nje her dhe e mire Çetave te Gani Begut dhe te Sali Manit, te cilat jane tuj leviz dhe tuj shetit lirisht dhe tuj u organizue per dite si ne katundin Valbone, ashtu edhe ne Majen e Dobrejt dhe sidomos ne katundin Markaj ne shtepine e Zenel Ademit.”
Komandanti
Kapit. I Tahir Hoxha
⦁ Q. Sh. Fondi 254, D.156, fq.79. Viti 1944
Që më 10 korrik 1944 u organizua mbajtja e Mbledhjes-Konferencës së Valbonës, e cila vijoi deri më 15 korrik 1944. Gjatë këtyre ditëve u zhvilluan takime, kontakte dhe mbledhje, si dhe skena e prapaskena me brrylime, përgatitje për eliminime dhe eliminime kundërshtarësh.
Mbledhja në dukje u organizua me iniciativën e Shtabit të Kosovës, por në të vërtetë pas këtij organizimi qëndronin emisarët jugosllavë, dhe e gjithë ngjarja ishte në interes praktik, taktik e strategjik të PKJ-së, pavarësisht se në skenë dilte Fadil Hoxha.
Ismet Shaqiri, një nga drejtuesit kryesorë dhe më aktiv gjatë luftës në Shtabin e KOSMET-it, i cili pas Luftës së II-të Botërore pati përparësi nga regjimi i PKJ-së, në librin e tij “Më Kujtohet”, vëllimi i II-të (shtator 1943-maj 1945), Prishtinë 1985, mes të tjerash ka sjellë edhe këtë informacion për fazën e organizimit të Mbledhjes së Valbonës dhe disa të dhëna të veprimtarisë së tyre në ato ditë, të cilat sipas tij janë si më poshtë vijon:
Gjatë muajve Maj-Qershor, Komiteti Krahinor dhe Shtabi i Zonës Operative të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Rrafshit të Dukagjinit ia dolën të grumbullojnë në Malësi të Gjakovës te stani i Çelit, rrezë majës së Hekurave, ku edhe ishte vendosur atëherë një pjesë e udhëheqësisë nacionalçlirimtare krahinore për Kosovë dhe Rafsh të Dukagjinit, gati të gjithë partizanët e shpërndarë gjatë ofensivës dimërore të okupatorit gjerman dhe kuslingëve, nëpër Rrafsh të Dukagjinit Malësi e Gjakovës, Has dhe Lumë.
(Faqe 177)
Atëbotë u kthyen nga Mali I Zi edhe Paloka me Zikerja Rexhën. Nuk ia dolën të arrinë pranë Shtabit Suprem të UNÇ dhe Kryesisë së AVNOJ-it, për ku ishin drejtuar, mirëpo kishin siguruar lidhje me ta me anë të njësive NÇL që vepronin në atë krah dhe të radiostacionet që kishin në dispozicion.
(Faqe 178-179)
Edhe Dushan Mugosha së bashku me Elhami Nimanin, Sveto Vuçiqin dhe Selko Muderizin, të përcjellë nga tre partizanë të Brigadës së Parë Proletare të Shqipërisë, erdhen sipas kërkesës që pat bërë Komiteti Krahinor në pranver të ati viti.
(Faqe.179)
…Ndërsa Dushani diftoi dhe shpjegoi gjerë e gjatë për luftërat që zhvillonte Brigada e Parë Proletare e bashkuar me njësitet e tjera të UNÇ të Shqipërisë nëpër Shqipëri kundër okupatorit gjerman, pushtetit kuisling, ballistëve, zogistëve dhe veglave të tjera tradhtare të astuquajturës “Shqipëri e Madhë”.
(Faqe 179)
GRYKA E VALBONËS vlonte si zgjua bletësh nga partizanët dhe malësorët. Fadili dhe Hajdari erdhën nga Hasi dhe Luma ku kishin qene me punë. Dushani ishte nisur në drejtim të Shtabit Suprem, siç thoshtë ai, për të referuar për situatën në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit.
Pavli, Mehmeti, Boshko, Zekirjaj dhe une me një grup partizanësh, mjaft sish të paarmatosur mirë, u kthyem nga Gucia dhe Plava ku kishim shkuar që të takohemi me njësitet partizane që operonin në ato vise, me qëllim që të armatosemi mirë dhe të sigurojmë lidhjet e bashkëpunimit më të mirë e të sigurt operativ në operimet e ardhshmeluftarake. U grumbulluam të gjithë. Formuam batalionin partizan të cilin e pagëzuam me emrin “KOSOVA”. Emruam edhe shtabin e batalionit nga shokët: Salko Muderizi, komandant, Shaban Haxhija zëvenëskomandant, Elhami Nimani, komisar politik dhe Çedo Mijoviqi, zëvendëskomisar politik, përgjegjës partie.
Partizanëve të radhitur, të armatosur mjaft mirë, në praninë e një numri mjaft të madh malësorësh, u foli Boshki Çakiqi, komesar politik i shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të aradheve partizanë të Jugosllavisë për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit.
Menjëherë pas formimit batalioni partizan “KOSOVA” u nis për aksione në drejtim të minerave të kromit në Kam, Kepenek, duke i qëmtuar ato dhe duke çliruar territorin e Malësissë së Gjakovës, Hasit dhe Lumës për t’u bashkuar me njësitet partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë qe luftonin në drejtim të Dibrës. Me batalion shkuan edhe shokët udhëheqë të Krahinës. Kaluan në territorin e Lumës për të organizuar aksione të armatosura, kurse unë me Zekirja Rexhën dhe një grup shokësh Xhevdet Hamzen, Kolë Shirokën, Milivoje Bajkiqin, Shabo Gutiqin, Mehmet Maliqin, Xhije Hanën, më vonë Millosh Jovanoviqi e ca të tjerë, në fillim u vendosëm në fshatin Cahan dhe më vonë te shpella përmbi fshatin Pogë në anën tjetër të Pashtrikut.
Kishim për detyrë që të sigurojmë ndërlidhjet me korrjerë dhe radiostacion në mes të udhëheqësisisë krahinore dhe organizatave të Partisë dhe ato Nacionalçlirimtare, të Rrafshit të Dukagjinit, t’i ushëhiqnim , t’i ndihmojmë dhe të organizojmë tërheqjen e sa më shumë luftëtarëve të rinj për njesitet tona partizane.
(Faqe 180-181).
Sipas kujtimeve të Idriz Mulosmanit, i cili, pavarësisht kufizimeve të kohës, është i pari pjesëmarrës në atë konferencë që ka folur më qartë dhe më hapur se kushdo tjetër, ai mes të tjerash ka thënë:
…Kjo ishte Mbledhja e parë masive e partizanëve mbas ofensivës së Dimrit. U grumbulluem në Breg të Hakajve (kështu quhej atëherë vendi ku sot kanë shtëpinë Rexhep Brahimi e Elez Sherbeti). Vendi ishte plot me bredha shekullorë, nën të cilët po të binte shi të gjithë natën, nuk lageshe, por as dielli ditën nuk të shihte me sy. Për pjesëmarrësit e mbledhjes gatimi bëhej në breg të Valbonës. U diskutua çështja e organizimit dhe zgjerimit të veprimeve luftarake në Malësi me një komandë drejtuese. Për këtë qëllim u zgjodh Shtabi i Zonës Operative për Tropojën. Nga ana e Shtabit të Kosovës u ftua Gani Kryeziu që t’i bashkohet Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por ai nuk e pranoi propozimin. Megjithëse nuk iu bashkua Frontit Nacionalcionalçlirimtra, Gani Kryeziu premtoi se nuk do t’i sulmonte në asnjë rast partizanët, premtim që e mbajti deri në fund të luftës. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Ramë Hoxha, i cili drejtonte një efektiv prej 60 vetësh, i cili nuk mori pjesë në mbledhje, qëndroi në Gash, por nuk hyri në luftë kundër partizanëve dhe mbajti pozicion asnjanës deri në tetor 1944.
Konferenca e Valbonës është një ngjarje historike që nuk mund të mohohet apo të anashkalohet.
Megjithatë, pavarësisht nëse është folur apo jo për të, nëse është shkruar apo jo për të, apo do të shkruhet në të ardhmen, ajo ka ndodhur dhe nuk mund të harrohet, sepse ekzistenca e saj është e pakundërshtueshme.
Ky organizim i Konferencës së Valbonës u zhvillua pa u mbushur ende tetë muaj nga Konferenca e Bujanit, e cila ishte mbajtur në Malësinë e Gjakovës-Tropojë dhe kishte zhvilluar punimet e saj nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944.

Mbledhja e zhvilluar në Valbonë ishte kryesisht një takim midis forcave partizane të drejtuara nga Shtabi i KOSMETIT dhe forcave nacionaliste të drejtuara nga Gani Kryeziu, dhe ajo vazhdoi gjatë periudhës 10-15 korrik 1944. Për këtë flitet edhe në një dokument që gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, F.MPB, D.187, faqja 6, viti 1944.
Në një tjetër dokument, ku shkruhet një letër e Zëvendës-Nënprefektit të Malësisë së Gjakovës-Tropojës drejtuar Prefekturës së Kosovës, tekstualisht thuhet:
SHTETI SHQIPTAR
Tropjë më 19/7/1944
NENPREFEKTURA E M. GJAKOVËS
Nr. 47/31 Res P. T.
PREFEKTURES KOSOVËS
Kukës
Vijon teli Nr. 47/25 Res. Dat 9/7/944.
-Siç ju kemi parashtrue me telin e mësipërmë, çetat Partizane dhe komuniste me datën 10 të vazhduesit e deri me 15 kan vazhdue mbledhjen e tyne në katundin Valbon duke asistue afer 400 veta prej çdo krahine, dhe me sa kemi mundur me hetue, Gani Kryeziue me shoket e tij kan kundrashtue Cetat partizane e komuniste duke ju than se unë nuk baj pjes me me juve por jam thjesht Nacjonalist Shqiptarë dhe kështu Gani Kryeziu asht ndar krejtsisht me partizanët dhe ç’drejtim ka marr nuk dim.-
Fadil Hoxha, Zeqir Jah Rexha dhe Sali Mani në fjalimet qi kan mbajt kan kërkue prej partizaneve të sulmojn Plaven, Gucin dhe ket qender qi kështu të lidhen e të koresponden lirisht me çetat e Tites, fjalimit të sipërme, Gani Kryeziu ju ka kundrashtue kryekput duke than se une Plaven e Gusis ne rast se kan per t’u sulmue prej Malazezve do tu shkoj në ndihem, në mbledhjen e siperme paska marrë pjese dhe nji Frat i qujtuni Patër Lek Lulashi i cili në fjalimin e mbajtun i ka ofendue komunistat duke ju than se Partija komuniste asht e rrejshme dhe shum e keqe qi nuk pajtohet me Nacjonalizmen Shqiptare dhe ju ka deklarue se une jëm Shqiptarë i veretet dhe baj pjes në partin Zogiste, dhe mbledhja asht shpërnda duke u shpartalle se kush ne veti dhe nji sasi partizanësh, komunist kan qindrue në Valbon bashk me Sali Manin.
Rreth datës 16-17, Pater Lek Llulashi duke u kthy nga Valbona për në Shalë ne vendin e qujtun Rrogami i Shalës asht vrar vdekun prej Cetave komuniste të Valbones.-
Për t’i pre hovin nji herë e mirë ne ket rrethstrehimit të çetave komuniste e partizane, lutemi Asaj P.T.Prefekture me pas mirsin e me demarshue ku duhet për dergimin ma par të nji fuqije Ushtarake Gjindarmari ose Ushtri, direkt nen Komanden Këtyne cetave helmuse.
Kemi dergue informator per të ba hetime ma të imta dhe për çdo gja kemi për t’ju vue ne dijeni.-
Zav.Nenperfekti:
Kapiten I-rë
(Tahir Hoxha)
Njëra nga arsyet kryesore që Gani Beg Kryeziu nuk u pajtua me forcat partizane dhe drejtuesit kryesorë që ishin në atë periudhë në Valbonë, ishte fakti se ai dhe forcat e tij ishin kundër nisjes së luftës kundër vëllezërve të tyre shqiptarë në Plavë-Guci, dhe jo kundër forcave gjermane që ndodheshin në Malësinë e Gjakovës-Tropojë.

Komiteti i shpëtimit të Plave Gucisë- Foto e bëre në vitin 1941.Nga e majta në këmbë:1. Gjergj Gjeka 2. Nikoll Kaçeli 3. Avdi Avdia 4. Mark Miri 5. Prek Cali 6. Ded Coku 7. Rexh Hoti 8. Hilmi Ferri.Ulur nga e majta: 1. Dodë Syku 2. Sali Nikoçi 3. Fra Rroku (prift) 4. Shemso Ferri
5. Gjon Syku 6. Gjokë Marku
Vendimet antishqiptare të asaj konference-mbledhjeje, ndër të cilat ishte edhe vendimi për të sulmuar, sipas tyre “armiqtë”, apo më saktë shqiptarët “irridentistë” në Plavë-Guci, të cilët kërkonin që ajo zonë të mbetej pjesë e Shqipërisë amë, janë shprehje e qëndrimeve të ashpra dhe kundërvënëse ndaj interesave kombëtare.
Sipas të dhënave nga një dokument që do ta referojmë më poshtë, sulmimi i forcave partizane që ndodheshin në Valbonë u bë i pashmangshëm.
“Komanda e Gjandarmësisë Pejë, njoftonte Komandën e Përgjithshme të Gjindarmërisë Tiranë, me 23.07.1944 se, “…Plava esht ne rrezik me ra ne duar te partizaneve, dhe se popullsia nuk ka arme” (per te kundershtuar. D.P) A. Q. Sh. Fondi 254, D.156, fq.70. Viti 1944
Po aty, në fq. 71, thuhet: “…me 18 korrik 1944 në rajonin e Plavës u zhvilluan luftime…”
Edhe atëherë kur flitej nën zë për Konferencën e Valbonës, asnjëherë nuk ishte shkruar zyrtarisht, dhe thuhej se ajo kishte qenë një “përballje” ndaj ndërhyrjeve jugosllave, megjithatë në të vërtetë gjithçka shkoi sipas programit të tyre.
Por tani, përmes këtij punimi dhe më pas të librit që do të dalë, është bërë e qartë më shumë se kurrë më parë se Konferenca e Valbonës ishte një organizim i inspiruar dhe drejtuar nga emisarët jugosllavë, veçanërisht nga Dushan Mugosha. Ai, pasi kishte përmbushur me sukses misionin e tij agjenturor në Shqipëri, kaloi në Tropojë për t’i dhënë dorën e fundit planit jugosllav, ku diktoi dhe dha direktivat, duke drejtuar nga afër Shtabin e KOSMETIT.
Pjesën kryesore të misionit të tij antishqiptar, Dushan Mugosha e kreu jo vetëm duke asistuar në Mbledhjen e Valbonës, por edhe duke e kontrolluar dhe monitoruar atë. Menjëherë pas saj, me detyrat e përmbushura, kaloi nëpër Malin e Zi për të raportuar dhe orientuar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane Jugosllave lidhur me Shqipërinë dhe qëndrimet ndaj saj.

Dushan Mugosha, i cili u’përcoll përzemërsishta në Helmas të Skraparit nga Enver Hoxha, i shoqëruar nga rojet e ti më të mira, largohet për herë të fundit nga Shqipëria, prej Valbona, për në Shtabin e Titos.
Konferenca e Valbonës ishte një veprim armiqësor i hapur i PKJ-së dhe një tradhti e hapur ndaj shqiptarëve të ndikuar prej saj, kryesisht anëtarët e Shtabit të KOSMETIT, pjesa e të cilëve kishte marrë pjesë edhe në Konferencën e Bujanit. Pa u tharë mirë boja e atyre vendimeve formale dhe të monitoruara, të cilat duhej të zbatoheshin në praktikë, ato u hodhën praktikisht poshtë nga disa prej tyre.
Megjithatë, një gjë është e saktë: ajo ishte injektuar dhe organizuar nga misionarët jugosllavë të Shtabit të KOSMETIT, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Dushan Mugoshës. Synimet, veprimet dhe qëllimet e tij tani nuk janë më anonimë, prandaj edhe organizimi dhe mbajtja e saj u realizuan në funksion të qëllimeve taktike dhe strategjike të UNÇJ-së dhe PKJ-së.
Por historia e turpit nuk është zbardhur kurrë deri sot, pasi ajo, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është shkruar nga pseudohistorianë sipas udhëzimeve të pushtetarëve dhe vazhdon të përcillet edhe sot nga mbështetësit e komunizmit dhe trushplarët e atij sistemi. Për këtë histori turpi, e cila rrezikoi në ekstrem interesat tona kombëtare, vazhdon të thuhet edhe sot se është: “Historia e shkruar me gram të arta”.
Kjo tregon më së qarti se si dje, ashtu edhe sot, ndikimi i mbartësve të asaj historie të pasur antikombëtare vazhdon të ketë jo vetëm ndikim, por edhe sundimin e saj të plotë. Kjo është shumë alarmante, sepse, së bashku me ndikimin e historisë së rrejshme, krijohet edhe një botëkuptim i gabuar, i cili sjell moskuptimin dhe nënvlerësimin e pasojave negative.
Prandaj, edhe Mbledhja e Valbonës, e mbajtur nga data 10 deri më 15 korrik 1944, ka qenë pasojë e kushteve dhe rrethanave të asaj kohe, si dhe e vendimeve dhe qëndrimeve të Shtabit të KOSMETIT dhe jugosllavëve, të cilat kanë qenë dhe mbeten aq negative e antikombëtare, saqë “njollosin” të gjithë ata që u dirigjuan nga emisaret jugosllavë. Për këtë arsye, ata nuk kanë pasur kurajën të flasin hapur për të.
Vendimet e Konferencës së Valbonës ishin të diktuara nga misionarët e PKJ-së dhe ishin në interes taktiko-strategjik të UNÇJ-së, e drejtuar nga marshali Tito, dhe të Jugosllavisë federative që po formohej.
Konferenca e Valbonës, si rrallë ndonjë ngjarje tjetër që ka ndodhur në trojet etnike shqiptare gjatë Luftës së II-të Botërore, jo vetëm që u realizua në një vend të fshehtë, por u mbajt sekret gjatë luftës, pas luftës dhe nuk është trajtuar kurrë si një ngjarje historike në historiografinë zyrtare deri më sot. Gjithashtu, nuk është folur asnjëherë hapur për arsyet e kësaj heshtjeje.
Ajo ka qenë një ngjarje jo pa rëndësi, dhe megjithëse nuk është folur shumë për të, nuk mund të thuhet se nuk ka ndodhur. Sa dhe si kanë qenë ndikimet historike të saj, duhet të analizohen në harmoni me provat që gjenden dhe në korrelacion me ngjarjet e tjera historike, si dhe me ndikimet shoqërore, ushtarake dhe politike që ajo ka shkaktuar.
Konferenca e Valbonës, që ka mbetur e pazhvilluar deri më sot, u administrua në mënyrë të njëanshme, duke marrë një seri vendimesh në prani ose mungesë të palëve pjesëmarrëse në atë organizim. Vendimet u morën pas shpine për të tjerët dhe në kulisa, por kryesisht u zbatuan direktivat dhe detyrat që vinin nga Shtabi Kryesor i UNÇJ-së dhe PKJ-së.
Nga përfundimi i çorientuar i asaj konference dolën kryesisht vendime deklarative, të cilat si të tilla u shpallën në marrëdhënie me pjesëmarrësit e shumtë që kishin vershuar në Valbonë pas thirrjeve të Shtabit të KOSMET-it, por u morën edhe shumë vendime të tjera konspirative.
Ajo konferencë u administrua kryesisht përmes “vendimeve” të emisareve jugosllavë, të cilat ishin konspirative dhe të marra dikund tjetër, ndërsa ato që u morën në vend, ishin në përputhje me detyrat dhe situatën.
Në atë konferencë u morën rrugë dhe u zbatuan edhe shumë vendime të kulisave, të marra para dhe gjatë vetë mbledhjes, nga strukturat e “shtira” të shqiptarëve, pasues verbër të emisarëve jugosllavë, të cilët kishin për detyrë të zbatojnë vendimet, direktivat dhe urdhrat e tyre të ardhura nga Shtabi i UNÇJ-së.

Partizanet e Kosoves, 1943-Fadil Hoxha me partizanet ne Malsine e Gjakoves-të cilet u’shperdoruan kunder interesave të tyre nacionalë.
Konferenca e Valbonës ishte atentati më i madh i shekullit të XX-të që i është bërë ndonjëherë çështjes kombëtare nga vetë shqiptarët në “tokat e lira”, dhe kjo përmes një organizimi të sofistikuar, të mirëpërcaktuar dhe legalisht të pranuar, që kishte arritur të bënte PKJ-ja e udhëhequr nga Josip Broz Tito, përmes Shtabit të KOSMET-it dhe filialit të saj, PKSH-së.
Organizatorët e Konferencës së Valbonës, përfshirë edhe emisaret jugosllavë që morën pjesë drejtpërdrejt, kishin në synim që në këtë konferencë të rrëzohej çdo iluzion që shqiptarët kishin krijuar me Konferencën e Bujanit, si dhe çdo çështje kombëtare shqiptare që ishte vendosur taktikisht, praktikisht ose strategjikisht në atë konferencë.
Ajo konferencë nuk u kufizua vetëm në këtë, por u mblodh edhe për përcaktimin e detyrave operative që dilnin dhe shtroheshin për një zgjidhje sa më funksionale të mundshme, për jetësimin e objektivave të tyre taktike dhe strategjike kundër nacionalizmit dhe çdo forme të organizimit nacionalist shqiptar në Shqipëri që rrezikonte planet e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe trojet e tjera shqiptare që kishin qenë nën monarkinë serbo-sllave para luftës.
Por fokusi kryesor i asaj konference ishte kundër “pasojave irridentiste” që ishin krijuar gjatë organizimit të “shtetit shqiptar” gjatë pushtimit nazi-fashist, së bashku me zgjidhjen e fatit të tokave të liruar që i ishin shkëputur Jugosllavisë së paraluftës.
Ndonëse emisaret jugosllavë, ashtu si edhe në Shqipëri, edhe në Malësinë e Gjakovës-Tropojë, e cila ishte nën “juridiksionin” organizativ të PKJ-së, ruanin ende fshehtësinë e tyre për të mos dalë haptazi, sepse do t’u prishte planet djallëzore, prandaj qëndronin “gjysmë të maskuar”, pa pasur nevojë të dilnin në ballë dhe në skenë përpara të tjerëve.
Në “ballë” dhe në skenë dolën strukturat politike dhe ushtarake formalisht shqiptare, të parapërgatitura dhe të kujdesshme, me largpamësi që nga themelimi dhe konstituimi i tyre, të cilat përveçse ishin të komanduar, ishin të inspyruara dhe monitoruara nga agjentët sekret të tyre.
Duhet theksuar se të gjithë bashkëpuntorët e PKJ-së dhe Ushtrisë NÇJ-së, të cilët u gjetën apo u rekrutuan ndër shqiptarë, jo vetëm që nuk ishin largpamës në çështjen kombëtare, por ishin të verbër ndaj sloganeve dhe propagandës shabllone që propogandonin, pa nxjerrë asnjë mësim nga historia e marrëdhënieve ekspansioniste të sllavëve ndaj shqiptarëve.
Ndër ata pasues verbër të PKJ-së ishin edhe veglat qorrë të tyre, të cilët gjetën mbështetje ndër shqiptarë të grupuar në Shtabin e KOSMET-it, pasuar nga të paorientuarit, ata që ishin në lajthitje, të gënjyerit dhe të mashtruarit, të cilët nuk ishin të pakët, por edhe të pabindurit, që atëherë dhe gjatë gjithë jetës së tyre vazhduan në gabimet e tyre antikombëtare.

Shtepia e kryezezvë në Gjakovë, ku u’lujt akti i fundit i tradhetisë dhe tragjedisë për eleminimin përfundimtar të nacionalistëve të levizjes nacionalistë të Malësis së Gjakovës-Tropojë e Kosovë, drejtuar nga Gani beg Kryeziu.
Konferenca e Valbonës, një organizim tërësisht antikombëtar, synoi dhe arriti të bëjë:
⦁ Së pari, rigrupimin e forcave partizane të shpartalluara plotësisht pas operacionit nazist të quajtur “Pik” (13-20 shkurt 1944), i cili u zhvillua në rajonin e Gjakovës, Tropojës dhe Kukësit. Këto forca ishin kryesisht ato të ish-Aradhës Partizane “Bajram Curri” me kosovarë dhe malësorë të Malësisë së Gjakovës-Tropojë, të Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, si dhe forcat e terrenit, territoriale, vullnetare apo vetëmbrojtëse të fshatrave.
⦁ Hapi i dytë ishte rifitimi dhe marrja e iniciativës së humbur në terrenin fillestar që kishte shërbyer fillimisht brenda Malësisë së Gjakovës-Tropojë, e më pas edhe jashtë saj, si dhe rehabilitimi në opinionin e gjerë, i cili ishte i papërshtatshëm pas shpartallimit të forcave, pa ia bërë “çak e as bam” deri atëherë.
⦁ Hapi i tretë ishte riorganizimi në parametra të rinj, i domosdoshëm pas rigrupimit të forcave partizane të mbledhura në Valbonë. Forcat, të cilat më parë ishin vetëm të “konservuara” në Malësinë e Gjakovës-Tropojë, u kursyen për t’u përdorur në një ditë të përshtatshme për UNÇJ-në, siç ndodhi në realitet kundër interesave kombëtare shqiptare.
Riorganizimi u bë pikërisht në atë fazë të Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimeve në Shqipëri, Kosovë dhe Jugosllavi, për t’u angazhuar në ripushtimin sllavo-komunist të Kosovës, si dhe të viset tjera shqiptare që kishin qenë nën mbretërinë jugosllave.
Pra, në atë fazë forcat e riorganizuara u aktivizuan në bashkëveprim me forcat partizane të UNÇSH-së, në një kohë kur Shqipëria ishte akoma e pushtuar, për:
⦁ Spastrimin e Veriut të Shqipërisë nga forcat nacionaliste shqiptare.
b) Të largoheshin së bashku nga Shqipëria akoma e paçliruar nga ushtria gjermane, për t’u futur në Kosovë, si dhe në Maqedoni dhe viset shqiptare në Mal të Zi, për të luftuar “pa kompromis” me forcat “armikë”, që ishin forcat e armatosura të irridentizmit shqiptar në trojet e tyre etnike.
⦁ Rinisjen si forca të mobilizuara nën armë, për të vazhduar aktivitetin e mëparshëm, për të fituar së pari pozitat e humbura dhe më pas ato konkuruese, e në fund pozitat dominuese në Malësinë e Gjakovës-Tropojë, me qëllim të bëheshin palë në radhët ndërluftuese.
⦁ Në atë rast, u shfrytëzua dalja nga “letargjia” e mëparshme dhe aktivizimi me veprimtari të ndryshme luftarake, kryesisht kundër “armiqve”, si nacionalistët dhe irridentistët shqiptarë, por edhe në ndjekje të okupatorit për të legjitimuar ekzistencën e tyre, duke ruajtur forcat për luftën kundër armiqve kryesorë.
⦁ Marrjen nën kontroll dhe ndikimin e mundshëm të situatës prej Shtabit të KOSMET-it, si dhe forcave partizane jugosllave të Malit të Zi, nga grupimet dhe forcat partizane të Malësisë së Gjakovës.
⦁ T’i jepej zgjidhja më e përshtatshme Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, nëse Malësia e Gjakovës zotërohej nga komunistët dhe nëse ishte më mirë të ishte nën drejtimin e Qarkut të Shkodrës, duke qenë në vartësi e kontroll nga Mali i Zi apo nga KOSMET-i.
⦁ Të shtrihej ndikimi i plotë i Partisë Komuniste Jugosllave, duke legjitimuar qeverinë kukull që kishte dalë nga Kongresi i Beratit.
⦁ Më hir apo pahir, të vendoste nën komandën e saj forcat nacionaliste të drejtuara nga Gani Beg Kryeziu, të cilat dominonin skenën e luftës në Malësinë e Gjakovës.
⦁ Më hir apo pahir, të eleminonte ndikimin dhe forcat nacionaliste të drejtuara nga Gani Beg Kryeziu, të cilat jo vetëm dominonin luftën në Malësinë e Gjakovës, por kishin ndikim të madh edhe në Kosovë, duke qenë kërcënim kryesor për synimet e PKJ-së për pushtimin dhe nënshtrimin e Kosovës.
⦁ Të sigurohej një korridor i hapur, i sigurt dhe funksional për komunikim, bashkëpunim dhe bashkëveprim me forcat partizane jugosllave të Malit të Zi.
⦁ Të kontribuonte në shtypjen dhe likuidimin e të gjitha forcave irridentiste-nacionaliste shqiptare që vepronin pas datës 10.7.1944 në territorin e Plavë-Gusisë.
⦁ Defakto, largimin e drejtuesve të KOSMET-it nga zbatimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit.
⦁ Defakto, abrogimin e vendimeve të Konferencës së Bujanit.
⦁ Të kursehej nga betejat frontale me pushtuesit gjermanë të dislokuar në territorin e Malësisë së Gjakovës, rrethinën dhe qytetin e Gjakovës, të cilat ishin evidente për t’u luftuar, me qëllim ruajtjen e forcave për nevoja të tjera.
⦁ Sigurimin e kushteve për bashkëpunim me forcat partizane të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të cilat kishin misionin për të nënshtruar Veriun e Shqipërisë, i cili ishte nën ndikimin e forcave nacionaliste.
⦁ Sigurimin e kushteve për bashkëpunim me forcat partizane të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që kishin misionin të hynin në Kosovë, Mal të Zi, Sanxhak dhe të luftonin pa asnjë lehtësim forcat irridentiste-nacionaliste që vepronin atje.
⦁ Të kontribuonte maksimalisht në mobilizimin me dhunë në Malësinë e Gjakovës-Tropojë dhe më pas në Kosovë të gjithë forcave të afta për luftë, me qëllim keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në frontet kundër “armiqve”, irridentistëve, nacionalistëve dhe gjermanëve.
⦁ Të shitej sa më mirë tek ndërkombëtarët që po kontribuonin në luftë kundër okupatorit nazi-fashist.
⦁ Si kontribues kryesorë të mundshëm, të terhiqnin vëmendjen dhe të përfitonin sa më shumë ndihma materiale e ushtarake nga emisaret anglezë.
⦁ Vendimet e asaj konference ishin kryesisht konspirative, marrë në kulisat e drejtuara nga agjentët e PKJ-së dhe Josip Broz Tito.
⦁ Më kryesorja është se vendimet e asaj konference, deklaruar apo jo në ato ditë, ishin direktiva, porosi dhe urdhëra që vinin përmes të ngarkuarve përkatës nga PKJ-ja dhe vetë Josip Broz Tito, si drejtues politik, i luftës dhe i shërbimeve sekrete, të cilët kishin organizuar dhe vepronin mirë në terren.
⦁ Edhe drejtuesit e formacioneve të ndryshme luftarake, sipas taktikës dhe direktivave jugosllave, u zgjodhën formalisht shqiptarë me influencë ose që ishin plotësisht të besuarit e tyre, por në të vërtetë ishin kuadrot serbo-malazezë të luftës të vendosur në ato njësitë.

Ishte Konferenca e Valbonës që shoi çdo iluzion dhe hamendësim që ishte krijuar tek komunistët nacionalistë dhe nacionalistët pjesëmarrës në Konferencën e Bujanit, vendimet e së cilës mbetën formale, iluzive, dezinformuese dhe zhgënjyese, sepse që në fillim të marrjes së tyre nuk u zgjedh asnjë organ me atributet e një qeverie.