Tetë muaj pasi Zeta u bë komunë e pavarur, në parlamentin e saj do të paraqitet “deklarata për anulimin” e Vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kreu i kësaj komune, Mihailo Asanoviq nga Fronti Demokratik (DF), parti kjo pro-serbe, pranon se ajo deklaratë nuk do të kishte fuqi ligjore, por duan të përcjellin se qytetarët e Zetës janë kundër politikave të qeverisë aktuale dhe asaj të mëparshme.
Ai beson se në këtë plan do t’i ndjekin edhe qytetet e tjera ku partia ka shumicë.Njeriu i parë i Zetës thotë se kjo çështje është prioritare për ta.
“Ajo iniciativë do të paraqitet në seancën e radhës, pra gjatë muajit maj, arsyeja e kësaj iniciative tonë është se para disa ditësh Qeveria ka votuar për pranimin e të ashtuquajturit shtet i Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila, sipas nesh, vazhdoi politikën tradhtare, në kundërshtim me vullnetin e popullit”, tha Asanoviq për TV Vijesti.
Ai kujton deklaratën e ish-kryeministrit malazez, Dushko Markoviq, nga tetori i vitit 2018 se qeveria malazeze kishte një vizion kur njohu pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se, siç thotë ai, më shumë se 85 për qind e qytetarëve ishin kundër.
Megjithatë, ai pranon se kjo deklaratë nuk do të kishte asnjë fuqi ligjore.
“Në kuptimin formal dhe juridik, ky vendim nuk ka asnjë rëndësi, por duam të themi se populli nuk mendon si Qeveria e Malit të Zi, si fillim duam të themi se qytetarët e Zetës nuk janë dakord me këtë vendim”, tha Asanoviq. syri.net