Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima i është përgjigjur nga Gjirokastra akuzave të ish-kryeministrit Berisha, duke i kujtuar se me reformimin e thellë që po bën Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet e 2017-s dhe do pastrojë vendin nga “Saliu dhe palaçollëqet e salizmit”.
Gjatë fjalës së mbajtur në turin e radhës në Gjirokastër, “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, Kokëdhima ka folur për nevojën e hapjes së PS dhe reformimin e radhëve të saj.
“PS është aseti më i çmuar në duart e popullit tonë, nuk është e përsosur, por është parti atdhetare, serioze, e hapur, me përgjegjësi të lartë ndaj vendin dhe popullit dhe atdheut dhe në këtë rrugë e me këtë përgjegjësi do të modernizohemi dhe do të aftësohemi për një drejtim sa më të shëndoshë”- tha ai.
Sipas tij, 25 vite PS ka qenë në reformim të vazhdueshëm, gjithmonë është reformuar PS sepse situatat janë të ndryshme, sfidat të ndryshme dhe përgjegjësitë ndryshojnë.
“PS është në një reformë të strukturës politike dhe ekzekutive se dëshiron të jetë më funksionale, të japë më shumë mundësi qytetarëve dhe anëtarëve të përfshihen në bashkëqeverisje, të marrin pjesë në këtë qeverisje. Me këtë synohet që përbërja sociale e organizatave sociale të jetë më e përshtatshme për sfidat tona, që në organizatat tona të përfshihen grupet e interesit. Kemi mirëkuptimin për të papunët të shumtë në numër dhe i kanë familjet në vështirësi të mëdha ekonomike, por papunësinë nuk e luftojnë ata, papunësinë e zgjidh zhvillimi sipas atyre politikave dhe programeve që duhet të përpunohet në njësinë bazë të debatit politik, si është organizata socialiste”- tha ai.
Sipas Kokëdhimës, duhet shkurtuar distanca mes PS dhe anëtareve.
“Nuk është për t’u marrë partinë të vjetërve, se ka edhe ndonjë kryetar organizate që thotë ca do bëjnë do më merrni partinë, PS është e hapur për të pranuar në radhët e veta më shumë gra, të rinj, të vetëpunësuar, kemi shumë vlerësim për familjet e lidhura me fis me PS por nuk na bëjnë punë organizatat socialeste kur ndërtohen si organizata fisnore, duam parti të hapur e përfaqësues me shtrirje kudo. Me këtë parti të reformuar padyshim ne do t’i fitojmë zgjedhjet e 2017 dhe me programet do t’i thellojmë reformat dhe do ecim të sigurtë për një Shqipëri më të mirë të pastër nga informaliteti dhe palacolleqet e Saliut dhe salizmit”- tha ai.
Komentet