Berlin, dimër 2016
1. Hipokrizi…
Samantha Power, ambasadore amerikane në Kombet e bashkuara shfryn e deshpërohet: rusët e persët duhet te kenë turp për Alepon. E kanë humbur vallë këtë ndjesi njerëzore?
Tani: kategoria morale është princip apo shenjë e dobësisë ose dorëzimit përballë atij që, në vend të etikës, i qaset forcës – gjuhës së vetme që njohin qyshkur marrëdhëniet ndërkombëtare?
Ndërkaq, eprori i saj, Kryebanori në ikje i Zyrës ovale, Obama, thotë plot pezm e helm, se do hakmerret ndaj Putinit të Rusisë që futi dorën në zgjedhjet humbëse për zonjën e Klinton.
Njeriut, dikur më i fuqishmi i botës, që gatitet të lamtumiret me Shtëpinë e bardhë, tash, vetëm tash i kujtohet ripozicionimi i ashpër ndaj Rusisë së Putinit!
Athua do ta bënte këtë parullë, këtë makiazh përmbyllës sikur hakerët e mallkuar rusë të atakonin kompromitueshëm biografinë e pretendentit republikan?
Nuk e di, por kjo më ngjan një hipokrizi, një shplarje duarsh Pilati për krimin që nuk desh a s’ia doli ta ndalonte…
2. Ëndërr mullokrate…
Prijësit shpirtërorë e politikë të Tehranit, Hamnei e Ruhani, nuk e fshehin: pikësyojnë statusin e fuqisë së madhe. Dhe ndryshe nga pararendësi Nexhad që fliste, këta tashmë kërcënohen e përcaktojnë afatin e shuarjes së Izraelit. “Shteti i Zotit” ia ka bërë benë të prishë “popullin e zgjedhur të Zotit”: për 25 vjet, krijesa shtetërore hebreje do të shndërrohet në kujtim.
Kështu kanosej dikur dhe koloneli Gadafi që tani gjendet andej, në prehërin e Hadesit. Ai, madje, kje më i prâjtë e human. Nuk predikonte zhdukjen, por vetëm zhvendosjen e tij në Alaskë!
Anipse një paralele krahasimi e Libisë e Persisë ngjan i pamundshëm, “çlirimi” i Jerusalemit nuk mund të mos kalojë: ose n’për vetërrënim, ose n’për një luftë të tretë botërore. Dhe aherë shpalosen tjera fletë e fate që mund ti kapin në beft ajatollahët persë…
Bibla parathotë se shenjë e sigurtë e Apokalipsës është kur “bijtë e Izraelit” të gjejnë sërish tokën e vet. Ata tashmë e kanë gjetur dhe, kushedi, ndoshta pikërisht duke i rikthyer në kohët e robnisë dhéhumbur, mullokratët duan ta shtyjnë perëndimin e botës. Ç’filantropi flijimtare..!
Por, natyrisht, s’duhet rënë pré e herezisë. Ajatollahët pohojnë doktrinarisht të jenë ndëmjetës mes njeriut e Allahut dhe, ndaj, mesazhet e epërme që marrin janë të pazbërthyeshme për vdektarët e shkretë…
Uratë për shéjtnínë e tyre!
3. Dashuri…
Një përfaqësues partie (Fronti nacional) në zjarrishtën elektorale, shpallte të shtuar dashurinë për Francën. Por protagonisti i rrëfimit (“Nënshtrimi”) të Houllebecq, do të pyeste: mirë, por cilën, çfarë France?
A nuk mund tu bëhet po këjo pyetje dhe dinastëve politikë të Prishtinës?
Vërtetë ata e duan Kosovën. Shumë. Nyjëtueshëm e fatalisht. Dhe tani, pra, ajo pyetja e vështirë e François: mirë, por çfarë Kosove?
Ata e duan vetëm të tillë çfarë duket nga mjeshtëri e tyre: pronë e paprekshme gjyshnore…
Dashuria që kanë për të është, ndaj, përplot vegëza e ngjyra të thella, t’parrokshme për syrin a ndjesinë e thjeshtë njerëzore.
Ç’dashuri flijuese! E Hyu, nuk i shpërblen – por rr’feja e tij, si kjahet Fishta, gjuan lisat n’për male kot..!
Komentet