“Beteja filloi!” Me këto fjalë, Udhëheqësi Suprem iranian Ali Khamenei iu përgjigj kërcënimeve të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili i kërkoi Teheranit të pranonte “një dorëzim pa kushte”.
Tashmë konflikti mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e gjashtë dhe shpërthimet vijojnë si në Tel Aviv dhe në Teheran.
“Ali kthehet në Khaybar”, thuhet në një postim, sipas një përkthimi nga Iran International.
Deklarata i referohet imamit të parë të Islamit Shiit dhe pushtimit të qytetit hebre të Khaybarit në shekullin e 7-të.
Postimi përfshin imazhin e një burri me shpatë që hyn në një portë si fortesë, me vija të zjarrta në qiell. Deklarata është mesazhi i parë publik i Khameneit që kur Donald Trump bëri thirrje për dorëzimin pa kushte të Iranit dhe tha se Shtetet e Bashkuara po e shtynin vrasjen e Ajatollahut “për momentin”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka thënë se raketa hipersonike u përdorën gjithashtu në sulmin e fundit ndaj Izraelit.
Ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka pasur një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump gjatë natës (18 qershor). Lajmi u bë i ditur nga mediat izraelite, duke shtuar se Netanjahu kishte folur nga bunkeri ku po bënte një bilanc të luftës me Iranin së bashku me ndihmësit e tij.
Nga ana tjetër sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka siguruar se Shtetet e Bashkuara janë “në gatishmëri dhe të gatshme” për të “mbrojtur bazat dhe interesat e tyre” në Lindjen e Mesme, edhe pse ende shpresojnë për një marrëveshje bërthamore me Teheranin
Megjithatë për momentin, “nuk ka të dhëna për një sulm të afërt iranian kundër bazave amerikane” në rajon informon NBC, duke cituar zyrtarë amerikanë. sn