Në shumë vende të botës korrupsioni është devijim, ndërsa ligji është rregull. Në Shqipëri, prej më shumë se një dekade, ka ndodhur e kundërta: korrupsioni është bërë rregull, ndërsa ligji duket si përjashtim që vlen vetëm për të pambrojturit.
Nuk bëhet fjalë më për raste sporadike të abuzimit me tendera, për ndonjë drejtues që kapet në shkelje, apo për mungesë profesionalizmi në administratë.
Shqipëria është futur në një formë qeverisjeje ku korrupsioni është ngritur në sistem të organizuar, të dirigjuar dhe të menaxhuar nga qendra.
Ky model quhet kleptokraci — qeverisje e orientuar drejt pasurimit të elitës politike përmes mekanizmave të pushtetit.
Kontratat publike janë kthyer në mekanizëm shpërndarjeje të pasurisë publike te klientët e pushtetit. PPP-të, koncesionet dhe projektet e veçanta nuk përdoren për zhvillim ekonomik, por për transferim të pasurisë së shtetit te një rreth i ngushtë ekonomik.
Në këtë model, shteti nuk funksionon si garant i interesit publik, por si kasafortë e hapur për të afërmit e pushtetit.
Kleptokracia nuk ka vetëm pasoja financiare, por shkatërron themelet morale të një kombi.
Kur qytetarët shohin se pasuria bëhet përmes lidhjeve me pushtetin dhe jo përmes dijes e punës, humb kuptimi i meritokracisë, i arsimit, i përpjekjes dhe sidomos i besimit te e ardhmja.
Në Shqipëri sot, për fat të keq, është krijuar bindja e hidhur se suksesi nuk është rezultat i talentit dhe i meritokracisë, por i lidhjeve politike. Dhe kjo është fytyra më e shëmtuar e kleptokracisë. Pa drejtësi nuk ka shtet. Pa institucione të pavarura nuk ka demokraci. Pa ndarje pushtetesh nuk ka liri.
Shqipëria sot vuan nga një sindromë kritike: përqendrim i pushtetit absolut në një dorë të vetme, në një qeveri që kontrollon me mënyra të drejtpërdrejta ose të tërthorta institucionet e drejtësisë, ekonomisë, kontrollit, medias, ato arsimore dhe vendimmarrëse.
Një shembull konkret i këtij profili të gjithëpushtetshëm është rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku. Ajo ka qenë në qendër të skemave që tregojnë si individë me pushtet të madh ekonomik dhe politik mund të veprojnë mbi ligjin, përfitues për interesa personale dhe klienteliste.
SPAK dhe GJKKO ka ngritur akuza të rënda për shpërdorim të detyrës, duke përfshirë vendime që favorizuan përfitime ekonomike të paligjshme. Ky rast tregon qartë sesi kapardisja e pushtetit, kur nuk ndalet para asnjë kufiri ligjor, nuk është vetëm teori: individët që e praktikojnë këtë model përballen një ditë me drejtësinë, duke u përballur me pasojat e rënda të veprimeve të tyre.
Reforma në drejtësi, ndonëse nisi me entuziazëm dhe me pritshmëri të larta, ka qenë vazhdimisht nën presion të pandërprerë, të shoqëruar me diversion dhe agresion të pashpjegueshëm. Këto ushqehen nga një retorikë intimidimi dhe kapardisjeje politike, e cila synon ta zbehë pavarësinë e reformës dhe ta përdorë atë për mbijetesën e vet politike, shpesh edhe kur kjo është jashtë shinave kushtetuese dhe ligjore.
Kryeministri e ka përdorur këtë reformë si instrument propagande, por jo si mjet për të ndërtuar një drejtësi të pavarur.
Ai, në mënyrë permanente, ka treguar se është një mjeshtër i gojëtarisë dhe i manipulimit të diskursit publik, të cilin e përdor shpesh në mënyrë të pandershme për të relativizuar skandalet e pafundëme qeverisëse, duke shmangur jo vetëm përgjegjësinë politike, por dhe atë ligjore.
Reagimi i tij i fundit ndaj pezullimit të zv/kryeministres Balluku nga GJKKO është një shembull tipik i mënyrës se si ai vepron.
Përmes një statusi të publikuar në Facebook, ai nxjerr nga konteksti historik një fjalim të Robert H. Jacksonit, prokurorit legjendar amerikan, me qëllim të kundërvihet dhe të ushtrojë presion mbi SPAK-un, institucionin e drejtësisë që po heton penalisht Ballukun, duke synuar qartë të lehtësojë rrethanat e saj penale.
Ky veprim evidenton rrezikun e keqpërdorimit të pushtetit politik mbi drejtësinë dhe rëndësinë jetike të një prokurorie të pavarur e të mbështetur në standardet etike dhe profesionale.
Jacksoni e theksonte qartë se integriteti, paanshmëria dhe ndershmëria janë mburoja e vetme kundër politizimit të drejtësisë — dhe pikërisht këto parime tentohen të cenohen sa herë pushteti politik i kapardisur përdor retorikën për të ndikuar mbi proceset penale.
Për shqiptarët e zakonshëm, drejtësia vazhdon të jetë selektive: e butë me të fortët, e ashpër me të dobëtit.
Shteti nuk ka më frikë nga ligji, sepse e ka në dorë, por qytetarët kanë frikë nga shteti, sepse sjelljet e tij arrogante e represive nuk i parashikon dot më askush.
Në një vend normal, media është syri kritik i publikut, arma e transparencës, ura që lidh qytetarin me të vërtetën, por në Shqipëri një pjesë e madhe e medias është kthyer në zgjatim të zyrës së komunikimit të qeverisë.
Shumica e televizioneve të mëdha financohen nga bizneset që varen nga tenderat publikë. Moderatorët që pretendojnë neutralitet shpesh janë figurat më të devotuara të propagandës.
Dhe kjo nuk ndodh rastësisht: kur ekonomia është e kapur, edhe media kapet automatikisht.
Modeli i sotëm mediatik bazohet në heshtje për skandalet e rënda dhe shumë të rënda, amplifikim të retorikës së pushtetit dhe prodhim të spektaklit që shpërndan vëmendjen.
Në këtë klimë, qytetari mbetet i paarsimuar politikisht, i çorientuar, i lodhur dhe i manipuluar. Dhe pushteti e di: sa më pak informacion i vërtetë, aq më shumë kontroll. Sa më shumë propagandë, aq më shumë kapardisje.
Nuk ka tragjedi më të madhe për një komb sesa braktisja e atdheut nga vetë bijtë e tij. Ikja masive e shqiptarëve nuk është fenomen ekonomik, por një akt akuze morale ndaj qeverisë.
Njerëzit nuk largohen vetëm për paga më të larta, por edhe pse nuk besojnë se vendi i tyre mund të ndryshojë, ngase nuk kanë besim te drejtësia, nuk shohin asnjë mundësi, nuk gjejnë dinjitet, as meritokraci dhe as institucion që i mbron.
Shqipëria po humbet brezin më të aftë, më aktiv, më punëtor. Dhe qeveria, në vend të reflektimit, kapardiset me shifra të fabrikuara dhe të përpunuara nga propaganda, me slogane të lodhura, me premtime që nuk përkthehen asnjëherë në realitet.
Ikja masive është votimi më i qartë i popullit kundër mënyrës si drejtohet vendi. Por kapardisja zyrtare e pushtetit e mohon këtë, sepse arroganca nuk pranon përgjegjësi.
Shqipëria ka vite që e përdor retorikën europiane si flamur, por jo si reformë. Në realitet, distanca me Bashkimin Europian nuk po shkurtohet, por zgjatet.
Arsyeja është shumë e thjeshtë: BE kërkon rregulla, por qeveria shqiptare kërkon tolerancë për shkeljen e rregullave. Europa kërkon institucione të pavarura, gjyqësor funksional, administratë efikase dhe profesionale, ekonomi konkurruese, kontroll të vazhdueshëm, media të lirë e të pavarur me standarde të larta etike.
Asnjë nga këto nuk mund të ekzistojë në një sistem të bazuar te kapardisja dhe kleptokracia. Shqipëria nuk ngel pas Europës për shkak të gjeografisë — por për shkak të qeverisjes së saj.
Sa kohë pushteti ndërtohet mbi arrogancën dhe jo mbi përgjegjësinë, Shqipëria do të mbetet jashtë Europës në formë dhe përmbajtje.
Modeli Rama u prezantua fillimisht si model i modernitetit, i urbanizimit, i transformimit estetik. Por gradualisht ai është shndërruar në një model i personalizimit të pushtetit, një regjim ku qeveria identifikohet me një njeri të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm, propaganda zëvendëson transparencën, estetika zëvendëson etikën, arroganca zëvendëson dialogun, centralizimi zëvendëson institucionalizimin dhe kapardisja zëvendëson përgjegjësinë.
Ky është modeli që ka prodhuar varfëri masive dhe ka deformuar shtyllat kryesore të kohezionit socal, polarizim ekonomik, kapje të shtetit, ikje masive të rinisë, mediatizim të pushtetit dhe dobësim të institucioneve.
Regjimi i kapardisjes nuk është thjesht stil komunikimi, por një strukturë e të menduarit politik, një filozofi udhëheqjeje që e sheh popullin si spektator, jo si sovran.
Shqipëria sot është para një dileme historike: të vazhdojë me modelin e kapardisjes që prodhon varfëri, pabarazi dhe ikje masive, apo të kërkojë një model të ri të bazuar mbi ndershmërinë, përgjegjësinë, dinjitetin dhe peosperitetin.
Shteti nuk mund të jetë teatër, pushteti nuk mund të jetë spektakël dhe politika nuk mund të jetë kapardisje.
Populli shqiptar meriton përfaqësim më të denjë, më të arsyeshëm, më njerëzor.
Nëse qeverisja aktuale dështon ta bëjë këtë, e ardhmja do të kërkojë llogari, dhe Historia nuk do të falë kurrë arrogancën e pushtetit të korruptuar ndaj popullit të vet.
Tiranë, e shtunë, 22 nëntor, 2025