BILD
Sulm kinez ndaj avionit gjerman! Qeveria gjermane thërret ambasadorin kinez në Ministrinë e Jashtme!
“Ushtarakët kinezë kanë përdorur lazer ndaj një avioni gjerman në operacionin ASPIDES të BE,” shkruan Ministria e Jashtme në X. “Kërcënimi i jetës së stafit gjerman dhe ndërprerja e misionit janë krejtësisht të papranueshme. Ambasadori kinez është thirrur sot në Ministrinë e Jashtme”.
BILD mësoi nga burime të sigurisë: Nuk është sulmi i parë i Kinës. Ushtria kineze ka përdorur herë pas here lazer ndaj avionëve perëndimorë, duke verbuar pilotët dhe duke prishur elektronikën në avionë.
Që në vitin 2018, nga një bazë ushtarake kineze në Xhibuti dyshohet se janë përdorur lazerë ndaj avionëve ushtarakë amerikanë – disa pilotë u lënduan lehtë. SHBA protestoi zyrtarisht, ndërsa Kina mohoi akuzat.
Këta lazerë “verbues” nuk përdoren për kapjen e objektivit dhe për të lëshuar raketa më pas. Sipas burimeve të sigurisë, ata shërbejnë vetëm për të penguar avionët.
Nga burime diplomatike gjermane, BILD mësoi se takimi me ambasadorin kinez në Berlin u zhvillua të martën në mëngjes.
“Nuk pranojmë që ushtarët gjermanë të rrezikohen. Veprimi kinez ishte krejtësisht i papranueshëm”, thanë për BILD. Kjo i është bërë “krejtësisht e qartë ambasadorit sot”.
Operacioni ASPIDES (nga greqishtja “Mburoja”) është një mision ushtarak detar i BE-së që prej vitit 2024.
Qëllimi: sigurimi i rrugëve të lira detare për anijet – në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit, Detin Arabik, Gjirin e Omanit dhe Gjirin Persik.
Forcat e Armatosura gjermane marrin pjesë në këtë mision të BE-së në Detin e Kuq, përfshirë fluturime të rregullta për mbikëqyrje ajrore të hapësirës detare. sn