Natë vere. Një dialog i rrallë impresiv. Ish-prefekti i Palermos, Leoluca Orlando shpalos profilin e tij: dinamik e i pasionuar në përpjekjet kundër së keqes.
Kishte ardhur në Prishtinë dhe, një mbrëmje vonë, rrëfente përshtypjet e bukura për Kosovën dhe mënyrat që ai kishte stërholluar për të luftuar mafinë.
Në eksplorimin e përvojës së tij, ai do klasifikonte dy tipe përgjithsore mafiozësh: mafioz, por i jashtëm dhe mafioz, por i brendshëm.
Të parët, përskajon i ardhuri i veçantë, janë kryesisht të vegjël. Vjedhin bankën, ndonjë dyqan artari a thyejnë një portë shtëpie…
Të dytët, m’anë tjetër, bëjnë rrëzomën e vërtetë: janë manjatët që urdhërojnë nga thellësitë anonime krimin e hajnisë. Të tillë, mistikë përherë, ata nuk shfaqen gjëkundi në skenë. Qëndrojnë në larginë e terr. Japin shenjën e koduar, orën e shifrën dhe akti i vjedhjes përlanë miliona që kushtojnë, madje shpesh në pako, jetë të lume njerëzore.
Ballkani, pjesa e integruar europiane dhe tjetra që pret, kanë strehuar qysh në fillet pasrendëse të diktaturës një shëmbëllesë të dytë, anise pak më të zbehtë, të arenës nga vjen i ftuari plot hir.
Një rrip dhéu, një oazë e ngushtë bën, ndërkaq, kontrastin e shpresës.
Kosova, betejat saj të reja kundër fuqisë së errët paralele që kanos vetë sovranitetet shtetërore, i dërgon botës një shenjë mrekullie: ballkanësit nuk janë të pandreqshëm.
Gëzojnë, posi Europa e tyre, aftësinë e kulturës së epërme të ligjit dhe demokracisë.
Ky fanar, prandaj, nuk mund të shuhet pa një “pakt kuq e bojëkafe” (për ç’shkruan Thierry Wolton) kundër lirisë, që vajton e rrëmon gropa për të konservuar regjimin e tashëm në Tiranë dhe, njëkohësisht, për të rikthyer Republikën e vjetër në Prishtinë!
Tirana e Ramës, nuk shkëputet dot nga ideologjia e vëllamërisë serbiane. Pajuar njëj stolie teorike, trajtimi i nismës vëllamërore
ideologji e kulluar është, e asgjë tjetër. Madje e njohur qëkur…
Dhe, ndaj, Premieri shqiptar fortifikohet tutje në bedenat e saj. Deklamon me patos: fillesë e dobësimit, njëlloj shkrifje e influencës ruse në Ballkan qenka pikërisht hapja e tij.
Por a s’është Ballkani i hapur?
Veçse nismëtarët duan një tjetër hapje. Hapje ndaj atyre që nuk diktojnë kushte demokracie, por kërkojnë vetëm një gjë të vogël: hemisferë gjeopolitike. Prirja e tillë i shpjen natyrshëm drejt Lindjes. Mirëpo njëj ndryshimi të madh: Serbinë për interesa kombëtarë dhe Shqipërinë e Ramës për interesa regjimor.
Justifikimi është një truk që fsheh poentën kryesore të temës. Domethënë filozofia e hapjes i’a del të absorbojë vetishëm anësinë, më saktë aleancën sfidante të Belgradit me Rusinë? E, për rrjedhojë, pastaj të përnxisë një humbje të shpejtë ndikimi të Kremlinit në Ballkan?
Është pikërisht e kundërta: shteti i bërë i Kosovës, njohur dhe nga Serbia, i firon, i vdes pretendimet e vjetra ruse për sferë interesi në hapsirën sebosllave të tij.
Nuk ishte thjeshtë një parullë populiste libri i botuesit rus Vladimir Zotov “Kosova është Rusi”. Sepse, vërtetë, kryerja e plotë e shtetësisë së Kosovës varros Rusinë në Ballkan.
Argumenti ngjan logjik dhe i thjeshtë: është vjega e Kosovës që mban Belgradin të plagosur. Dhe, si qahen serbët, të keqkuptuar në perëndim. Ndaj dhe përgjërimi i Serbisë i shkon sërish Moskës që mirëpret e lumtur vuajtjen e saj!
Ne do kallim e asgjësojmë gjithçka dhe pastaj kthejmë shpejt në Berlin.
Në Berlin? Ç”fantazi dhe lojë e dyfishtë e tiranit rus.
Ish-kancelari i kompromituar Schröder, një kasnec privat i Zotnisë së Kremlinit, solli mesazhin e tij të ri: Rusia është gati për një mbarim të negocijuar të luftës në Ukrainë.
Por, po atë kohë, në Televizionin shtetëror Roosija 1, kryeagjitatori regjimor W. Solowjow, me patos marcial do të shpallte Gjermaninë një të “Keqe ultimative”!
Dhe toni i tij nuk ishte emocional, por manifest i vullnetit politik që Roosija transmeton gjithherë nga Kullat e Kremlinit!
Meqë Gjermania mbështet Ukrajinën, do villte vner fortafolësi i Putinit, aherë ajo është poaq një “Nazi-Staat”. Dhe shfrynte se vendi i tij urren kancelarin Scholz dhe gjithë fashistët politikë…
Nëse liferoni sërish gjithë ç’mundeni, përfshirë dhe pushtimin, ne ju shkatrrojmë dhe hapim frontin e dytë, do hallakatej Solowjew i Putinit.
Shpirtërat politikë rusë janë robëruar nga demonët e luftës dhe përse aherë ky kumt i Kancelarit Schröder? Se rusët duan t’i japin fund luftës?
E, tutje, ç’janë këto shenja të përziera që dërgon diktatori i stepave?
Me gjasë është lodhur, sfilitur dhe, kësodore, shtrëngohet të bëj një shantazh të deshpëruar taktik: përfundim i traktatuar ose, ndryshe, ja, erdhëm në Berlin.
Nuk besoj, nuk do të doja të ndodhte që Perëndimi të bisedojë kushtet e paqes me Hitlerin e kohës sonë.
I ka hyrë aventurës dhe le të shkojë e gjitha deri në fund: me fitimtarë e të mundur historikë!
Komentet