“Diktatorët zakonisht frymëzohen nga diktatorët e tjerë”, tha Jakup Kalensky, i cili mendon se rehabilitimi i figurës së Josef Stalinit gjatë udhëheqjes së Putinit, tregon se udhëheqësi rus justifikon krimet e së kaluarës me qëllim që të kryejë krime të reja.
Vazha Tavberidze
Një ekspert i njohur çek për dezinformim dhe “kërcënimet hibride”, tha se Perëndimi ka shpenzuar vite të tëra duke nënvlerësuar rrezikun që vinte nga Moska. Por, sipas tij, një përgjigje e vendosur ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe “shantazhit bërthamor” rus, mund të ndihmojë në shërimin e “paralizës” shumëvjeçare në mes të “kërcënimeve boshe” që shpesh janë përsëritur nga Kremlini.
Jakub Kalensky nga Qendra Evropiane e Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE) – institut me seli në Helsinki i krijuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO – tha se do të ishte gabim që të lejohet që veprimet ndaj pushtimit të Ukrainës të bazohen në frikën e vendimeve të presidentit rus, Vladimir Putin.
Jakub Kalensky, ekspert për dezinformim.
“Nëse shikohet në mënyrë abstrakte, kërcënimi nga një sulm bërthamor absolutisht është diçka e tmerrshme”, tha Kalensky në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë.
“Megjithatë, unë nuk dua të biem në grackë dhe të nisim diskutimin se çfarë ndodh nëse Putin e bën këtë [përdor armë bërthamore], sepse besoj se kjo i ndihmon vetëm Putinit në punën e tij për të përhapur frikë për pasojat e kundërshtimit të pushtimit të paligjshëm, kriminal dhe gjenocidal, që po kryen Kremlini”, shtoi ai.
Zyrtarët në Kiev dhe Perëndim kanë akuzuar zyrtarët rusë për “shantazh bërthamor” me marrjen e kontrollit të ndërtesave bërthamore ukrainase, përfshirë centralin e Zaporizhjës – që është më i madhi në Evropë – dhe për kërcënimet e tyre për përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur territorin rus, që paligjshëm Rusia pretendon se tani përfshin edhe katër rajone në lindje të Ukrainës.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se Putini “do të nxiste një Armagedon” nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë, dhe shprehu shpresën që do të gjendet një zgjidhje për të shmangur diçka të tillë.
Kalensky i tha REL-it se pas nisjes së pushtimin rus të Ukrainës në fund të shkurtit, “ne duhet të sigurohemi që Rusia nuk do të ketë ushtri apo ekonomi për të dëmtuar dikë. Prandaj, kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe më pas ne nuk do të duhet të brengosemi se çfarë do të mund të bëjë Putini”.
Kalensky ka qenë themelues i task-forcës lindore të BE-së, StratCom, që u ngrit më 2015 për të luftuar dezinformimin rus pas aneksimit të Krimesë. Deri së fundmi, ai ka qenë bashkëpunëtor i lartë i Laboratorit për Kërkime të Forenzikës Digjitale të Këshillit të Atlantikut (DFRLab).
Ai përmendi disa prej ngjarjeve të agresionit rus që kanë ndodhur për më shumë se një dekadë, duke filluar me sulmin kibernetik ndaj Estonisë më 2007 nga IP-të ruse, duke vazhduar gjatë luftës pesëditore të Rusisë në mbështetje të rajoneve separatiste të Gjeorgjisë më 2008 dhe më pas pushtimin e Krimesë, së bashku me mbështetjen ruse për separatistët në lindje të Ukrainës.
“Si një specialist i dezinformimit ose propagandës, ajo që shoh është se 15 vjet të kërcënimeve boshe po përdoren vazhdimisht [nga Moska] thjesht sepse ata po na paralizojnë ne”, tha Kalensky. “Pra, ajo që po them është se ne nuk duhet të biem në këtë grackë sepse kjo vetëm i ndihmon Putinit që të arrijë qëllimin e tij, dhe i dëmton ukrainasit që po luftojnë për vlerat tona evropiane apo euro-atlantike”.
Dezinformimi është komponent kyç i asaj që njihet si luftë “hibride”, një term i shekullit 21 që përdoret për strategji ushtarake që përdor taktika të fshehta digjitale dhe të teknologjisë së lartë, përfshirë edhe sulmet kibernetike si dhe grupet e armatosura që punojnë në llogari të një shteti.
Kalensky tha se Putini ka zhvilluar një luftë të gjatë të informacionit, dhe me sukses ka formuluar diskursin dhe mbulimin në mediat evropiane të ngjarjeve nga aneksimi i Krimesë dhe rrëzimi i avionit të Malaysia Arilines mbi Ukrainë më 2014, deri në pandeminë dhe “pseudo-referendumet” që u mbajtën muajin e kaluar në Ukrainën e pushtuar.
“Kam frikë se lufta e dezinformimit rus është shumë kompetente, shumë e aftë dhe mund të arrijë rezultate masive”, tha ai, “dhe kam frikë se ata arrijnë ndonjëherë të ndikojnë se si bëhet debati – zërat se ‘sa më shumë ta mbështesni Ukrainën, aq më i madh do të jetë problemi, se Rusia do të zemërohet dhe se do të bëjnë diçka të tmerrshme’”.
Ai sugjeroi se përgjigje të tilla “duhet të diskreditohen duke mos marrë të plotë dhe duke e publikuar si të tillë pozicionin rus”.
Duke e pranuar se mund të jetë vetëm një dëshirë e tij, Kalensky tha se javët e fundit kanë treguar se makineria e propagandës ruse “duket se po bën disa gabime” dhe tani “nuk po iu shkojnë punët ashtu siç ata duan”.
Ai përmendi një ngjarje të zbuluar së fundmi nga Meduza –një media me seli në Riga ku punojnë gazetarët emigrantë rusë – lidhur me udhëzimet e Kremlinit për propaganduesit lidhur me mbulimin e mobilizimit ushtarak të Putinit, duke fajësuar komisarët ushtarakë lokalë për thirrje për bashkim me ushtrinë.
“Unë shpresoj që makineria e informacionit e Kremlinit po nis të bëjë gabime”, tha Kalensky. “Megjithatë, kur ne shikojmë historinë e regjimit të Putinit, kam pak frikë se ata janë mjaft të suksesshëm në ndikimin e mënyrës se si ne e kuptojmë regjimin rus dhe po ashtu të mënyrës se si ne flasim për të, dhe përfundimisht të mënyrës se si ne diskutojmë për të”.
Kalensky po ashtu e përshkroi betejën për Ukrainën si “përplasjen më të pastër të demokracisë kundër autokracisë, të të drejtave të njeriut kundër paligjshmërisë, në mes të sundimit të ligjit dhe fuqisë që bën ligjin”, dhe shtoi se “ne realisht duhet të jemi më të vendosur në mbështetjen e atyre që po luftojnë për vlerat tona”.
Ai tha se mendon se qeveritë demokratike duhet që menjëherë të ndalin ndërveprimin me Rusinë dhe ta largojnë atë nga ekonomia ndërkombëtare.
Përderisa shumë shtete perëndimore kanë vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë në sektorin e tregtisë, ekonomisë dhe në sektorë të tjerë dhe me Moskën që është përgjigjur me kundërmasa, varësia e Evropës ndaj naftës dhe gazit rus, i ka lënë shtetet e BE-së dhe shtetet aspiruese në një gjendje të rëndë, që ka rezultuar me krizën energjetike.
Në mars të vitit 2022, të 27 shtetet e BE-së miratuan Deklaratën e Versajës, duke u zotuar se do të heqin dorë nga energjia ruse “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Që atëherë, shtetet e BE-së kanë importuar qindra miliardë dollarë karburante fosile ruse dhe debati për varësinë nga burimet e energjisë së Rusisë po vazhdon brenda bllokut.
“Unë nuk po them se kjo do të zgjidhte të gjitha problemet, por si ekspert i komunikimit, më duket një mesazh shumë i keq kur paratë perëndimore ende po shkojnë në Rusi”, tha Kalensky. “Mendoj se është gabim”.
Përderisa disa krahasime perëndimore të Putinit me Adolf Hitlerin e Gjermanisë naziste mund të jenë të pavenda, eksperti i dezinformimit Kalensky tha se mendon se presidenti rus “që një kohë është duke mbajtur fjalime të ngjashme me ato të Hitlerit dhe kjo lidhet me propagandën e Kremlinit, gjuhën dehumanizuese ndaj Ukrainës, duke pretenduar se Ukraina nuk është as komb”.
Ai tha se fjalimi që Putin mbajti vitin e kaluar për “unitetin historik” të rusëve dhe ukrainasve, ishte paralajmërim për pushtimin dhe se ky fjalim “ishte i marrë drejtpërdrejtë nga fletorja e Hitlerit”.
Kalensky e lidhi fjalimin me rehabilitimin që vazhdimisht i bëhet diktatorit sovjetik, Josef Stalin, gjatë dy dekadave të udhëheqjes së Putinit. “Diktatorët zakonisht frymëzohen nga diktatorët e tjerë”, tha ai. “Kjo tregon në njëfarë mënyre se nëse dëshironi të kryeni krime në të ardhmen, sigurisht se do t’iu ndihmojë nëse filloni të justifikoni krimet e së kaluarës”.
Ai po ashtu përmendi faktin se Putin ka rifutur në përdorim melodinë e himnit sovjetik gjatë fjalimeve më 2000 dhe 2005, teksa ka folur për rënien e Bashkimit Sovjetik.
“Sërish, kjo më tregon mua se ne në Perëndim duhet të jemi më të alarmuar kur shohim dikë që përdor himnin e Stalinit”, tha Kalensky. “Kur pamë dikë që fliste për ‘katastrofën më të madhe gjeopolitike’ të shekullit 20, ne vërtetë do të duhej të ishim më të ndjeshëm ndaj kësaj, sepse kjo sinjalizon se krimet do të kryhen sërish, dhe ato po kryhen sërish”.
Tre persona, përfshirë dy oficerë policie, janë vrarë në një shpërthim në Moskë, thanë autoritetet ruse.
Dy oficerët e policisë rrugore panë një person të dyshimtë pranë një makine policie në rrugën Yeletskaya të qytetit dhe, kur iu afruan të dyshuarit për ta ndaluar, u shpërtheu një pajisje shpërthyese, tha Komiteti Hetues i Rusisë.
Dy oficerët e policisë vdiqën nga plagët e marra, së bashku me një person tjetër që ndodhej aty pranë.
Shpërthimi ndodhi pranë vendit ku një gjeneral i lartë rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë në kryeqytet të hënën.
Gjenerallejtnant Fanil Sarvarov vdiq pasi një pajisje shpërthyese – e cila ishte vendosur nën një makinë, shpërtheu.
Zëdhënësja e Komitetit Hetimor, Svetlana Petrenko, tha në një deklaratë se një çështje penale po hetohej në Moskë “lidhur me një përpjekje për të vrarë oficerët e policisë së trafikut”. gsh
Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.
Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.
Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.
Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.
Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.
Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.
Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.
Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës.
Tronditje ka shkaktuar rrëzimi i një avioni, në të cilin udhëtonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, gjenerali Mohammed al-Haddad, gjatë kthimit të tij nga një vizitë zyrtare në Turqi. Qeveria e Tripolit ka konfirmuar vdekjen e gjeneralit, si edhe të katër personave të tjerë që ndodheshin në bord.
Mohammed al-Haddad ishte një nga figurat më të rëndësishme të udhëheqjes ushtarake libiane në vitet e fundit. Ai lindi në vitin 1967 në qytetin Misrata dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake të Libisë në vitin 1987.
Gjatë luftës civile të vitit 2011, al-Haddad iu bashkua forcave revolucionare që luftuan kundër regjimit të Muammar Gaddafit, duke u afirmuar si një komandant me ndikim në Libinë e pasluftës.
Pas rënies së regjimit, ai mbajti poste të rëndësishme në strukturat ushtarake të vendit dhe në vitin 2021 u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Libiane.
Në këtë rol, al-Haddad ishte një nga arkitektët kryesorë të përpjekjeve për riorganizimin dhe ribashkimin e forcave të armatosura nën Qeverinë e Unitetit Kombëtar.
Gjatë mandatit të tij, ai u fokusua në forcimin e kapaciteteve ushtarake, integrimin e grupeve të armatosura në një strukturë të vetme shtetërore dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas mediave libiane, strategjia e tij konsiderohej kyçe për përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend, si edhe për bashkëpunimin rajonal me vendet e Afrikës së Veriut dhe Evropës.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi shkaqet e rrëzimit të avionit, ndërsa priten hetime zyrtare për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Panorama
Gjenerali rus, Fanil Sarvarov është vrarë të hënën si pasojë e shpërthimit të një bombe në makinën e tij, kanë bërë të ditur zyrtarët rusë.
Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se gjenerali ushtarak ka vdekur në mëngjesin e së hënës pas shpërthimit të pajisjes shpërthyese që duket se i ishte vendosur nën makinë.
Sarvarov, 56 vjeç, ka qenë udhëheqës i Departamentit të stërvitjes operative të forcave të armatosura, ka bërë të ditur Komiteti.
Sipas tij, një teori që po hetohet është që bomba është vendosur me përfshirjen e shërbimeve ukrainase të inteligjencës. Ukraina nuk ka komentuar ende në këtë drejtim.
Hetuesit janë në vendin e ngjarjes, afër makinës, e cila gjendet në qoshen e parkut të një blloku banesash në jug të kryeqytetit të Moskës.
Nga fotografitë që janë bërë në vendin e ngjarjes shihet një makinë e bardhë e dëmtuar rëndë.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, në Moskë janë shënjestruar një numër zyrtarësh ushtarakë rusë.
Gjenerali Yaroslav Moskalik është vrarë në një sulm me makinë në prill të këtij viti, derisa gjenerali Igor Kirillov ka vdekur në dhjetor të vitit 2024 kur një pajisje e fshehur në skuterin e tij është aktivizuar prej distance.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Një cisternë nafte 58.000 tonë, e quajtur Mikati, ishte duke lundruar mbi ujërat e Oqeanit Indian një ditë kur mori lajme të këqija nga Brukseli i largët: ishte shtuar në listën e anijeve të sanksionuara të flotës në hije të Rusisë.
Historia e Mikatit, e cila tani po kalon përmes Kanalit të La Manshit, pasqyron pikat e forta dhe të dobëta të regjimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian, i cili ka goditur tashmë rreth 600 anije.
BE-ja e përfshiu Mikatin në listën e sanksioneve në korrik, pas një vendimi të ngjashëm nga Britania në nëntor të vitit të kaluar. E ndërtuar në vitin 2003, mosha e saj e bën atë anije tipike të flotës në hije – njëlloj siç e bën edhe sjellja që i parapriu sanksionimit.
Sjellje e dyshimtë
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë i siguroi nga Windward – një kompani e inteligjencës detare – Mikati e ndryshoi emrin disa herë, iu shit një pronari anonim dhe e fikte vazhdimisht sistemin e identifikimit automatik (AIS) të vendndodhjes në periudhën para se të sanksionohej.
Kjo e fundit konsiderohet një praktikë e rrezikshme e transportit detar nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe lejohet vetëm në rrethana të veçanta. Mikati gjithashtu ndryshoi flamurin nën të cilin ishte regjistruar, duke kaluar në Sierra Leone.
“Qeveria e Sierra Leones ia ka deleguar menaxhimin e regjistrit të anijeve një kompanie private me bazë në Qipro”, i tha REL-it analistja e Windward, Michelle Bockmann, duke shtuar se ky vendi ishte “i preferuari” i anijeve të flotës në hije për t’u regjistruar.
Këta tregues ishin prova të mjaftueshme që Mikati të futej në listën e zezë. BE-ja e përfshiu anijen në paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë më 18 korrik. Kjo pati ndikim të menjëhershëm.
Dy ditë më vonë, anija mbërriti në ujërat pranë Koçit, ku ndodhet një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Indi. Por, ajo nuk e shkarkoi të gjithë ngarkesën që kishte marrë një muaj më parë në portin rus të Murmanskut, në Detin Barenc.
Anija Mikati ndalet pranë brigjeve të Indisë më 29 korrik.
Mikati ndaloi në brigjet e Indisë më 29 korrik. “BE-ja tani ka aftësinë të sanksionojë porte në vende të treta për atë që ata e quajnë pengim të masave kufizuese të BE-së”, tha ekonomisti Benjamin Hilgenstock.
Nuk është e qartë nëse pati ndonjë problem apo nëse Mikati po ndiqte plane të paracaktuara.
“Ndonjëherë anijet sanksionohen kur janë në lëvizje, ndaj dikush duhet t’i telefonojë blerësit dhe ta pyesë nëse marrëveshja qëndron ende”, i tha REL-it Benjamin Hilgenstock, ekonomist në Institutin KSE me bazë në Kiev.
“Ata mund të thonë: ‘na duhet ta sqarojmë këtë fillimisht, kështu që mbase prisni pak’, ose ‘do ta marrim naftën, por vetëm nëse na e jepni për më pak para’”, shtoi ai.
Lidhja me Samoan
Sidoqoftë, diçka po ndodhte prapa skenave.
Më 25 korrik, Mikati ndryshoi pronarin e regjistruar dhe menaxherin tregtar, duke kaluar nga Azerbajxhani në Samoa – një shtet me rreth 200.000 banorë në Paqësorin Jugor, i cili nuk njihet për industri të zhvilluar të transportit detar.
Kompania e listuar, Alga Oceanic Ventures, duket se nuk është fare e pranishme në internet.
Adresa e saj është një kompleks biznesi i quajtur La Sanalele, ku fqinjët e saj kanë përfshirë një tjetër menaxher anijesh, Faleola Nexus Ltd, operator i një cisternë nafte të quajtur Orion, e cila është e sanksionuar nga Britania dhe Ukraina për tregti të paligjshme me naftë ruse.
Një fqinj tjetër ishte një kompani tajvaneze, Pro-Gain Group Corporation, e cila u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 në lidhje me marrëveshje të paligjshme për qymyr dhe naftë nga Koreja e Veriut.
Ndryshimi i papritur i pronësisë së Mikatit u pasua nga një udhëtim i ri, drejt veriut përgjatë bregdetit deri në Mangalore. Atje, më 3 gusht, anija sinjalizoi se kishte shkarkuar ngarkesën.
“Vonesa prej 11 ditësh mund të jetë për shkak të sanksioneve dhe nevojës për të gjetur një sigurim të ri”, tha Bockmann. “Ky është një shembull shumë i mirë se si sanksionet e BE-së janë penguese. Por, ato kanë shumë pak ndikim”.
Në të vërtetë, pavarësisht sanksioneve, Mikati shkarkoi naftën dhe vazhdoi të ishte në shërbim. Anijet e sanksionuara nuk mund të vizitojnë porte të BE-së, nuk mund të marrin sigurim perëndimor dhe e kanë të vështirë të gjejnë ekuipazh profesional. Por, ato ruajnë “të drejtën e kalimit të pafajshëm” nëpër ujëra ndërkombëtare.
Një studim i tetorit nga kpler, një kompani për analizimin e tregtisë, zbuloi se “Rusia ka ruajtur eksportet e saj të naftës së papërpunuar, pavarësisht sfidave logjistike të shkaktuara nga përshkallëzimi i fundit i sanksioneve që synojnë tonazhin e flotës në hije”.
Sanksionet e BE-së kundrejt atyre të SHBA-së
Sanksionet e vendosura nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së u vlerësuan si dukshëm më efektive se ato të BE-së.
“Kjo bazë të dhënash tregon se India është në rregull me pranimin e anijeve të sanksionuara nga BE-ja dhe Britania, por nuk dëshiron të pranojë anije të sanksionuara nga OFAC”, i tha REL-it analisti i kpler, Panagiotis Krontiras.
“Kjo ndoshta tregon se India është më e kujdesshme për të mos u përballur me rrezikun e sanksioneve dytësore nga SHBA-ja”, sipas tij.
Të dhënat e kpler tregojnë ulje të produktivitetit, të matur përmes rënies së kilometrave të përshkuar dhe tonazhit të ngarkesës së transportuar, për anijet nën secilin regjim sanksionesh. Për SHBA-në, rënia mesatare ishte 70 për qind; për BE-në ishte 30 për qind.
I dërguari i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan, i tha REL-it se “sanksionet janë gjithmonë paksa të përshkueshme” dhe se gjithmonë është e mundur të gjenden “shembuj të një anijeje që megjithatë ka vazhduar” të punojë.
Por, shtoi ai, “shifrat tona tregojnë se sapo një anije sanksionohet, mundësia e saj për të transportuar naftë ruse bie për rreth 73 për qind.”
Për më tepër, ndërsa O’Sullivan vlerëson se BE-ja tani ka sanksionuar dy të tretat e flotës në hije të Rusisë, OFAC ka goditur rreth 40 për qind, sipas të dhënave të kpler. Ndërkohë që BE-ja ka shtuar vazhdimisht anije të reja në listën e zezë këtë vit, OFAC nuk ka shtuar asnjë që nga janari.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Megjithëse Mikati ka vazhduar të lundrojë, ajo nuk ka qenë shumë frytdhënëse. Të dhënat e Windward tregojnë se pas shkarkimit në Mangalore, ajo kaloi përmes Kanalit të Suezit dhe u ankorua në Port Said për një javë në gusht, ku mori naftë përmes një transferimi anije-me-anije (STS) nga një tjetër cisternë e futur në listën e zezë, Noctis.
Këto transfere nuk janë të paligjshme, por janë një praktikë e shpeshtë për shmangien e sanksioneve.
Mikati përfshihet në transferimin e naftës nga një anije në tjetrën me një tjetër anije të sanksionuar, Nocturnis, pranë brigjeve të Egjiptit më 22 gusht.
“Qëndrim pezull” pranë Kinës
Mikati e çoi naftën në Ningbo të Kinës, duke mbërritur më 29 shtator, por nuk e shkarkoi deri më 15 tetor. Sërish, arsyeja e vonesës nuk është e qartë. Bockmann vuri në dukje se anija “qëndroi duke u endur rreth zonës së portit për një periudhë të zgjatur”, pjesë e një modeli “sjelljeje shumë joekonomike”.
Edhe kjo është tipike për anijet e sanksionuara.
“Sapo sanksionohesh, ke dy zgjedhje: ose Rusi–Indi, ose Rusi–Kinë. Dhe kjo është arsyeja pse e ka këtë rënie të madhe të produktivitetit”, tha analisti i kpler, Krontiras.
Një anije e pasanksionuar do të përpiqej të merrte një ngarkesë të re diku tjetër, në vend që të kthehej bosh në atë që njihet si “udhëtim ballast”.
“Por tani ata nuk e kanë këtë mundësi… ata duhet të kthehen në Rusi, të marrin një tjetër ngarkesë, dhe ky është një udhëtim ballast shumë i gjatë”, tha Krontiras.
Mikati bëri pikërisht këtë. Të dhënat e Windward tregojnë gjithashtu se ajo e fiku sërish sistemin e saj të transmetuesve midis 10 dhe 12 dhjetorit, pranë portit kryesor rus të eksportit të naftës së papërpunuar në Baltik, Ust-Luga. Më 18 dhjetor, ajo po lëvizte drejt jugperëndimit përmes Kanalit të La Manshit.
“Destinacioni ka të ngjarë të jetë India ose Kina, ose edhe një transferim STS. Nuk ka asnjë tregues”, theksoi Bockmann.
Dronët ukrainas goditën një anije luftarake ruse dhe një strukturë shpimi nafte të operuar nga Lukoil në Detin Kaspik gjatë natës.
Mediat e Kievit raportuan këtë, duke cituar Shtabin e Përgjithshëm.
Anija që u godit ishte 22460 “Okhotnik”, e cila po patrullonte një zonë pranë një impianti nafte dhe gazi.
“Disa dronë goditën anijen; shkalla e dëmit po përcaktohet aktualisht”, tha ajo. Një platformë shpimi në fushën e naftës dhe gazit Filanovsky, në pronësi të Lukoil, u godit gjithashtu. bw
Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.
RUSI- Gjashtë burime për Reuters kanë deklaruar se CIA vazhdon të paralajmërojë se Presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-Bashkimit Sovjetik.
Sipas njërit prej burimeve, raporti më i fundit daton që nga fundi i shtatorit dhe është diametralisht i kundërt me pamjen e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe negociatorët amerikanë, të cilët kanë deklaruar se Putini dëshiron t’i japë fund konfliktit në Ukrainë. Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.
Në të kundërt, raportet e CIA-s pajtohen kryesisht me udhëheqësit evropianë dhe agjencitë evropiane të inteligjencës se Rusia dëshiron të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e aleancës së NATO-s, sipas burimeve.
“Informacionet e inteligjencës kanë qenë gjithmonë se Putini dëshiron më shumë. Evropianët e besojnë fuqimisht këtë. Polakët janë absolutisht të bindur. Vendet baltike besojnë se do të jenë të parat,” tha në një intervistë për Reuters, Mike Quigley, një anëtar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.
Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat përbëjnë zemrën industriale të Donbasit, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, si dhe Krimenë, gadishullin me rëndësi strategjike në Detin e Zi.
Putini pretendon se Krimea dhe katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që ende e kontrollon si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të propozuar, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, një kërkesë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shumica e ukrainasve e refuzojnë.
“Ekipi i presidentit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës dhe Trump ka thënë se një marrëveshje paqeje është më afër se kurrë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pa komentuar mbi raportet e inteligjencës, raporton Reuters./Dosja.al
Presidenti rus tha se Moska nuk beson se Ukraina është gati për bisedime paqeje.
RUSI- Zhvillimet e fundit nga fronti në Ukrainë u diskutuan nga Vladimir Putin në intervistën e tij vjetore. Presidenti rus tha se Moska nuk beson se Ukraina është gati për bisedime paqeje. Rusia, nga ana tjetër, është “e gatshme dhe e gatshme” të përfundojë luftën në Ukrainë bazuar në parimet që i paraqiti Ministrisë së Jashtme ruse në vitin 2024.
Mediat shkruajnë se, ndërsa Putini po fliste, ambienti përfshinte mesazhe shumë të synuara për Ukrainën dhe aleatët e saj. Konkretisht, në murin pas presidentit rus ndodhej një hartë e madhe e Rusisë, e cila përfshinte, përveç skicës së Krimesë, katër rajonet lindore të Ukrainës që Moska aneksoi në vitin 2022: Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson. Forcat ruse mund të mos i kenë pushtuar ende plotësisht këto rajone, por kjo nuk e ka ndaluar Putinin t’i pretendojë ato si territor rus.
Projeksioni i këtyre territoreve në sfondin e paraqitjes së sotme duket se dërgon një mesazh të qartë nga Kremlini: se nuk ka ndërmend të braktisë pretendimin e tyre. Vërehet se territori është pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociatat për një marrëveshje paqeje, dhe kjo sugjeron se do të mbetet kështu, pasi Moska ende nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të bërë kompromis për këtë çështje./Dosja.al
Një raketë hipersonike ruse, e quajtur Tsirkon, duke u lëshuar nga një luftanije. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Radio Evropa e Lirë
Udhëheqësi bjellorus, Aleksandr Lukashenko, njoftoi se raketa e re e zhvilluar nga Rusia, që është armë hipersonike me kapacitet bërthamor, që njihet me emrin Oreshnik, është dislokuar në Bjellorusi.
Vitin e kaluar, Rusia bëri publike se e ka zhvilluar këtë armë, pasi e përdori atë gjatë sulmeve në qytetin ukrainas të Dnipros, në një përshkallëzim të konfliktit që tani po i afrohet përvjetorit të katërt.
Moska ka dislokuar në Bjellorusi më 2023 armë bërthamore taktike dhe kishte deklaruar më herët se mund ta dislokonte Oreshnikun në këtë shtet në fund të vitit 2025.
“Orshenik është në Bjellorusi që nga dita e djeshme. Dhe është vënë për detyrë luftarake”, tha Lukashenko gjatë adresimit vjetor më 18 dhjetor.
Bjellorusia, ish-republikë sovjetike, është aleate kyç e Rusisë. Moska përdori territorin bjellorus për të nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Në muajin gusht të këtij viti, Misku tha se do të praktikojë dislokimin e raketave Oreshnik gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake Zapad-2025 (Perëndimi-2025), pranë kufirit me Bashkimin Evropian dhe krahut lindor të NATO-s.
RUSI- Tre persona, përfshirë dy anëtarë të ekuipazhit të një anijeje mallrash, u vranë në sulmet me dronë ukrainas gjatë natës së shkuar në portin rus të Rostov-on-Don dhe qytetin e Bataysk në rajonin jugor të Rostovit, tha të enjten guvernatori lokal.
Zjarri u shua, shkroi Yuri Slyusar në kanalin e tij të aplikacionit të mesazheve Telegram. Reuters shkruan,Kreu i Rostov-mbi-Don, Alexander Skryabin, tha më parë se ishte shmangur një rrjedhje e produkteve të naftës.
Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulm të qëllimshëm ndaj anijeve civile. Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar ta “ shkëpusë Ukrainën nga deti” pasi sulmet e Kievit dëmtuan tre cisterna të “flotës në hije” që po shkonin drejt Rusisë për të eksportuar naftën e saj në fillim të këtij muaji.
Një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën në qytetin Bataysk, ku dy shtëpi private u përfshinë nga flakët si pasojë e një sulmi me dron, tha gjithashtu Slyusar./Dosja.al
Këto janë të ardhurat nga shitja e klubit Chelsea FC, të cilat miliarderi rus kishte premtuar t’ua paguante viktimave ukrainase – Kryeministri Starmer kërcënon: “Respektoni premtimin tuaj dhe paguani.”
VOAL- Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi, gjatë Kohës së Pyetjeve të fundit në Dhomën e Komunave para pushimeve të Krishtlindjeve, vendimin e tij për të transferuar 2.5 miliardë paund (2.66 miliardë franga zvicerane) nga fondet e ngrira te oligarku rus Roman Abramovich për të ndihmuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Ish-pronari i Chelseat, kur shiti klubin në vitin 2022, ishte zotuar t’ua paguante të ardhurat viktimave të pushtimit rus.
“Sot,” tha Starmer, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një anëtar i Parlamentit që i kërkonte të përsëriste mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për ukrainasit, në sfondin e luftës së ndezur nga Rusia e Vladimir Putinit, “mund të njoftoj se kemi ndërmend të lëshojmë një licencë për transferimin e 2.5 miliardë paundëve të ardhura nga shitja e Klubit të Futbollit Chelsea, të ngrira që nga viti 2022.”
“Mesazhi im për Abramoviçin,” vazhdoi ai, “është ky: ora po ecën, respektoje premtimin që bëre [lidhur me ndarjen e aseteve të tij britanike për rindërtimin e Ukrainës] dhe paguaje tani. Nëse nuk e bën, ne jemi të përgatitur të shkojmë në gjykatë për t’u siguruar që çdo qindarkë të shkojë për ata që janë shkatërruar nga lufta e paligjshme e Putinit.” ATS/RSI
Donald Trump ka njoftuar një “bllokadë totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës që transportojnë naftë për në dhe nga Venezuela , duke pretenduar se vendi është i rrethuar nga forca më e madhe detare e vendosur ndonjëherë në Amerikën e Jugut dhe duke akuzuar regjimin e Nicolas Maduros për terrorizëm, trafik droge dhe trafikim qeniesh njerëzore. Në një deklaratë, Donald Trump pretendon se Venezuela është “plotësisht e rrethuar” nga një forcë ushtarake detare e paparë, e cila, siç vëren ai, “do të vazhdojë të rritet”. Sipas tij, presioni me të cilin do të përballet Karakasi do të jetë “siç nuk e ka përjetuar kurrë më parë” derisa “e gjithë nafta, toka dhe asetet” që, sipas tij, janë marrë në mënyrë të paligjshme nga interesat amerikane t’u kthehen Shteteve të Bashkuara.
Trump e përshkruan regjimin e Nicolas Maduros si “të paligjshëm” dhe e akuzon atë për përdorimin e të ardhurave nga “fushat e vjedhura të naftës” për të financuar, ndër të tjera, “narkoterrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet”. Për këto arsye, si dhe për “terrorizëm, trafikim droge dhe trafikim qeniesh njerëzore”, siç pohon ai, qeveria venezueliane është përcaktuar nga SHBA-të si një ” Organizatë e Huaj Terroriste “.
Në këtë kontekst, Donald Trump njofton se po urdhëron një “bllokim total dhe të plotë të të gjitha cisternave të naftës nën sanksione” si kur hyjnë ashtu edhe kur dalin nga Venezuela, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi metodën e zbatimit ose kohëzgjatjen e masës.
Në të njëjtën kohë, ai i referohet çështjes së imigracionit, duke pretenduar se “emigrantët dhe kriminelët e paligjshëm” të cilët, sipas tij, u dërguan në Shtetet e Bashkuara nga regjimi i Maduros gjatë periudhës së administratës së Joe Biden, tani po kthehen “me një ritëm të shpejtë” në Venezuelë.
“Amerika nuk do të lejojë që kriminelët, terroristët ose shtetet e tjera të grabisin, kërcënojnë ose dëmtojnë kombin tonë”, thotë Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë “një regjim armiqësor” që, siç thotë ai, përvetëson naftën, tokën ose pasuritë e tjera amerikane. Së fundmi, ai bën thirrje për kthimin “e menjëhershëm” të të gjitha pasurive të kontestuara në Shtetet e Bashkuara. bw
Komentet