Dashnor KALOÇI
Nga fundi i vitit 1948, kur Enver Hoxha prishi dhe ndërpreu marrëdhëniet tejet miqësore me Jugosllavinë e Marshallit Josif Broz Tito, me të cilin ishte lidhur ngushtë që nga viti 1941, (kur ata e ndihmuan për krijimin e Partisë Komuniste dhe zgjedhjen e tij në krye të saj) dhe, gjithashtu, largimin e Beogradit nga Blloku i Lindjes që kontrollohej nga Moska, në drejtim të Shqipërisë filluan të vinin mjaft shtetas jugosllavë që e konsideronin veten besnikë të Stalinit dhe ishin kundër politikës së liderit të tyre të cilin e akuzonin si revizionist dhe “të shitur te borgjezia perëndimore”. Po në këtë kohë, krahas shtetasve jugosllavë, në drejtim të kufirit me Shqipërinë filluan të vinin ilegalisht edhe mjaft shtetas jugosllavë me kombësi shqiptare që banonin në viset e tyre të trevave shqiptare, si; Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni, të cilët detyroheshin të largoheshin nga vatrat e tyre për shkak të klimës politike antishqiptare që po ndërmerrte regjimi titist pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë e vendet e Bllokut Lindor në përgjithësi.
Ardhja e shqiptarëve të Jugosllavisë në Shqipëri filloj të bëhej me e dendur sidomos pas vitit 1955 kur Beogradi zyrtar dhe Ankaraja nënshkruan marrëveshjen tashmë të njohur, Tito-Bajar (Xhelal Bajar, presidenti i Turqisë në atë kohë), për shkëmbimin e ndërsjellët të shtesave të tyre. Kështu që në atë periudhë kohe e në vazhdim, deri nga fundi i viteve ’60-të, edhe për shkak të politikës antishqiptare dhe persekucionit e gjenocidit, që ndiqte ndaj tyre regjimi i Beogradit (i zbatuar nga Rankoviçi), nga Jugosllavia për në Shqipëri erdhën ilegalisht një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët fillimisht u sistemuan nëpër disa kampe si ai i Llakatundit të Vlorës, etj.
Në këto kampe, ata patën një jetë tejet të vështirë, duke punuar e jetuar njësoj si të internuarit e tjerë shqiptarë në fshatrat e Myzeqesë, si Savër, Shtyllas, Sheqëz, Bedat, Plug etj. Ndër ata shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë që erdhën asokohe në Shqipëri, janë më të njohur disa prej tyre si: Gani Demiri Ratkoceri, Zef Gjeloshaj, Preloc Margilaj, Kapllan Resuli, Pashko Camaj, Esat Myftari, Sadri Ahmeti, Namik Luca, Ded Berisha, Hil Kamani, Selim Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Estref Kelmendi, Agim Gjakova etj., shumica e të cilëve iu dha e drejta dhe ndoqën shkollat e larta në Tiranë, duke u diplomuar kryesisht në Fakultetin Filologjik. Por edhe pse ata fillimisht arritën që të integroheshin në atdheun e tyre amë, me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata, duke u akuzuar si agjentë të UDB-së etj.
(Pati prej tyre edhe që vdiqën në burgje, si p.sh. arsimtari Selim Kelmendi, në burgun e Burrelit në vitet ’80-të). Diskriminimi dhe persekutimi i tyre fillonte që në kufi kur ata dorëzoheshin pranë autoriteteve zyrtare shqiptare të Ministrisë së Brendshme dhe më pas kur ata detyroheshin të kalonin nëpër një filtër të hollë, si në Degët e Punëve të Brendshme në rrethet kufitare ku ata vinin, apo më pas në vendet ku i dërgonin, si në rrethet e Krujës, Beratit, Fierit, Vlorës etj.
Madje, asokohe e deri në fundin e viteve ’80-të kur edhe u rrëzua regjimi komunist, për shqiptarët e Jugosllavisë që vinin në atdheun amë, ka pas ekzistuar një “Qendër filtrimi”, e cila ndodhej në periferi të qytetit të Laçit, e cila njihej si Kulla e Gjeneral-Previzit (pronar i saj, ish-Komandant i Mbrojtjes Kombëtare në vitet 1943-’44), ku ata i mbanin të izoluar për muaj me radhë deri sa Sigurimi i Shtetit kryente verifikimet e nevojshme dhe vendoste për ta; për t’i kthyer përsëri në Jugosllavi, apo për t’i mbajtur e sistemuar në Shqipëri. Ndryshe ndodhte me shtetasit jugosllavë (me kombësi jugosllave) që vinin në Shqipëri duke kërkuar strehim politik si antititistë dhe stalinistë, të cilët mbaheshin dhe trajtoheshin në kushte mjaft më të mira se kosovarët që vinin këtu. Madje ata kishin edhe një gazetë të tyre si dhe një emision posaçërisht për ta në Radio Tirana.
Diferencimi e emigrantëve jugosllavë me ata kosovarë nuk kishte të krahasuar jo vetëm nga kushtet ekonomike, por edhe politikisht, pasi kreu i tyre, ishte i ftuar në çdo kongres të Partisë së Punës së Shqipërisë, ku përshëndeste nga tribuna përkrah Enver Hoxhës?! Ashtu siç theksuam pak më lart, ndër ata dhjetëra shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë që erdhën në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre patën një fat tragjik, duke përfunduar burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, saqë për ta që në atë kohë hapur apo nën zë thuhej; “Ikën nga shiu dhe ranë në breshër”.
Një nga ata që patën këtë “fat”, është dhe Kapllan Resuli, (me origjinë nga Ulqini dhe i shkolluar e diplomuar në Prishtinë e Beograd), i njohur që në fundin e viteve ’60-të, kur atij iu botua romani “Tradhëtia”, i cili bëri bujë të madhe. Kapllan Resuli, i cili ishte vendosur me banim në rrethin e Lushnjës ku dhe punonte si arsimtar, diku nga viti 1971, u arrestua me akuzën tashmë të njohur, “agjent i UDB-së”, dhe vuajti për shumë vjet në burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Ashtu siç do të shohim edhe nga ky dokument arkivor që publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, ndërsa shkrimtari Kapllan Resuli mbahej i izoluar në hetuesi në kushte çnjerëzore, në një moment të një dëshpërimi të thellë dhe i bindur në pafajësinë e tij, ndoshta dhe idealist, ai detyrohet që t’i shkruajë një letër në formë lutje Enver Hoxhës?! ku pasi i argumenton shkurtimisht se është i pafajshëm, se në shtëpi e presin dy fëmijët e tij të vegjël që me arrestimin e tij kanë mbetur jetimë, Resuli i kërkon mbrojtje personale Enver Hoxhës?!
Madje ai i shkruan atij, e bardhë në të zezë, se lidhur me arrestimin e dënimin që po i bëhej, mund të ketë gisht UDB-ja…?! Gjë e cila as më pak dhe as më shumë ishte një akuzë tejet e rëndë që behej prej Resulit, që indirekt implikonte Sigurimin e Shtetit me UDB-në, në një bashkëpunim të tyre. Por edhe sa më sipër, ajo që bie në sy është fakti se lidhur me këtë gjë, nuk ka asnjë reagim me shënimet përkatëse në letrën në fjalë, siç ka ndodhur edhe me letra të tjera të të dënuarve politikë në atë kohë?! Por ashtu si në mjaft raste të tjera, siç dhe bëhet e ditur nga dokumenti në fjalë, letra e shkruar me aq shpresë nga Kapllan Resuli, nuk i ka rënë kurrë në dorë Enver Hoxhës.
Sipas shënimit që ka lënë Hysni Kapo më dorën e tij në shkresën shoqëruese përkatëse të letrës së Resulit, “Shoku Enver nuk merret me letrat e të burgosurve dhe çështjen e tij e kanë në dorë organet e drejtësisë…”?! Dhe pas këtij shënimi, letra e Resulit i është kthyer përsëri ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, njeriut që kishte vendosur dhe ekzekutuar arrestimin e tij, natyrisht duke marrë më parë dhe aprovimin e firmën e Hysni Kapos, sekretarit përkatës të Komitetit Qendror të PPSH-së, (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit), i cili zbatonte me përpikëri vijën politike të Enver Hoxhës.
Gjë e cila e mbyllte dhe i “vinte kapak” çështjes Resuli, duke bërë që ai të vuante për vite me radhë burgjeve dhe internimeve të atij regjimi diktatorial, bashkë me mjaft shkrimtarë dhe artistë të tjerë nga atdheu amë. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe kjo letër e Kapllan Resulit dhe shkresat e tjera shoqëruese, botohen të plota dhe pa asnjë shkurtim.

………………………………………….
Kapllan Resuli
Shokut Hysni
Reparti 313 Tiranë
Kërkon të merret nën mbrojtje nga shoku Enver e të shkarkohet nga akuza që i kanë ngritur. Ndodhet i arrestuar dhe i është dorëzuar akuza për të dalë në gjyq. Si arrestimin dhe akuzën i quan të padrejta e pa asnjë bazë. Thotë se s’ka kryer asnjë krim dhe se ato që i atribuohen janë intriga të kurdisura. Lutet të caktohet një komisjon të rishqyrtojë çështjen e tij e do të dali ashtu si mendon ai. Thotë se dënimi I tij do të ketë pasoja për shtetin shqiptar e sidomos për çështjen kosovare. Mendon se në këtë çështje të kurdisur do të ketë gisht UDB-ja.

(Shënimi i Hysni Kapos)
Shoku Enver nuk merret me çështje të të burgosurve.
Letra t’i jepet për ta parë shokut Kadri dhe të mbesë në arshiva pa i dhënë përgjigjie. Meqënse çështjen e tij e kanë organet e drejtësisë dhe ta ndjekin ato deri në fund të skjarojnë të vërtetën.
Hysni Kapo
20/V/1971
………………………………………….
Sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së
Shokut Enver Hoxha
Tiranë
Lutje
I nëshkruari Kapllan Resulli, shkrimtar kosovar nga Ulqini, i arratisur nga Jugosllavia në R.P. të Shqipërisë në vitin 1960 si emigrant politik, i martuar me dy fëmijë të vegjël që tani kanë mbet jetima se jam i arrestuem në burgun Nr.313 të Tiranës, ju parashtroj këtë lutje si vijon:
Pardje hetuesi më dorëzoi akt-akuzën dhe kështu m’u bë e qartë se organet e pushtetit dashkan me më nxjerrë në gjyq.
Jam i pafajshëm, se edhe ato gabime që mund të kem, nuk kanë karakterin e ndonjë veprimtaria armiqësore, por janë rezultat i një trajtimi jo të drejtë që më asht ba që nga dita e ardhjes në R.P. të Shqipënisë, janë rezultat i provokimeve të vazhdueshme, të një intrige monstruoze që asht kurdis kundra meje dhe të nxitjeve të hapura që më janë ba për të ba gabime edhe ma të randa, faje që unë fatmirësisht nuk i kam ba, tue pas besim te Partia dhe tue shpresua se një ditë Partia do të vejë dorë në këtë trajtim që po më bahet dhe do të më marrë nën mbrojtjen e saj.
Çashtja ma nuk pret. Prandej po Ju drejtohem që të më merrni në mbrojtjen Tuej personale, të anulloni procesin gjyqësor dhe të caktoni një komisjon për rishqyrtimin e çashtjes sime.
Po Ju drejtohem me këtë lutje e me bindje se në trajtimin që më asht ba, në intrigën që asht kurdis kundër meje, mund të ketë gisht UDB-a, por jo edhe Partia e Punës Shqipërisë.
Edhe njëherë po e përsëris se jam i pafajshëm dhe se për këtë gja jam në gjëndje të parashtroj edhe prova të pakontestueshme.
Dëshiroj që të vazhdoj punën time si shkrimtar në gjirin e kombit shqiptar dhe nën flamurin e Partisë së Punës të Shqipërisë.
Kujdesi Juej për mue do të më bajë të mundun këtë gja, kurse dënimi i pamerituem që po pregaditen me më dhanë mbas gjithë atyne vuejtjeve, sakrificave dhe të atij kontributi që i dhashë kombit e atdheut shqiptar, Partisë së Punës të Shqipërisë, do të më shkatërrojë familjen dhe do të më marrë në qafë jo vetëm mue, por edhe ata dy fëmijë të mitun, Arbenin dhe Arbanën, Nga ana tjetër dënimi i pamerituem do të ketë pasoja të damëshme edhe për kombin e atdheun shqiptar, edhe për partinë, e veçanërisht për çashtjen e Kosovës. Unë nuk e dëshiroj këtë gja, prandaj edhe po ju drejtohem me këtë lutje.
Me shpresë dhe me nderime
Tiranë
Më.6.V.1971
Shkrimtari kosovar
Kapllan Resuli
………………………………………….
PARTIA E PUNES
SHQIPERISE
KOMITETI QENDROR
Tiranë, më 26 / 5/ 1971
Nr. K 96/1 Prot.
LANDA: Dërgohet letra e Kapllan Resulit
MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDESHME
(Shokut Kadri Hazbiu)
TIRANE
Me porosi të shokut Hysni Kapo ju dërgojmë për të parë letrën që i drejton shokut Enver i quajturi Kapllan Resuli.
Pasi të mbaroni punë, letra të kthehet pa i dhënë përgjigjie të interesuarit.
E NGARKUAR ME PUNEN E LETRAVE DHE ANKESAVE
Vangjelo Sotiriadhi
Shoku Kadri e pa dhe e ktheu letrën
a-a 1.5.71
Lidhje cop 1
A ka mundesi te ma dergoni adresen e ketij sajti, se kam nje artikull, qe vendin e ka ne faqet e ketij sajtit tuaj ?
Te fala e me nderime
Kapllan RESULI