Një komision i të drejtave të njeriut i OKB-së ka arritur në përfundimin se sulmet me dronë të Rusisë ndaj civilëve në Ukrainën juglindore përbëjnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në një raport të publikuar këtë javë, komisioni thekson se forcat ruse, duke vepruar nën një komandë të centralizuar, kanë përdorur në mënyrë sistematike dronë për të “shënjestruar qëllimisht civilët dhe objektet civile dhe për të shkaktuar dëm dhe shkatërrim”.
Raporti u përpilua nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së për Ukrainën, një organ i pavarur që raporton në Kombet e Bashkuara. Hetimi u përqendrua në tre rajone — Kherson, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk — zona afër vijës së frontit ku sulmet me dronë janë intensifikuar gjatë vitit të kaluar.
Sipas raportit, dronët rusë kanë shënjestruar në mënyrë të përsëritur civilët, shtëpitë e tyre, pikat e shpërndarjes humanitare dhe objektet e infrastrukturës kritike, si dhe ekipet e ambulancave dhe zjarrfikësve. Sulmet kanë ndodhur shpesh në të njëjtat lokacione, duke krijuar një klimë të qëndrueshme terrori.
Komisioni tha se Rusia ka përdorur dronë të vegjël, me rreze të shkurtër veprimi dhe me kosto të ulët, të pajisur me kamera dhe sisteme udhëzimi, që shpërthejnë në momentin e përplasjes ose hedhin eksplozivë nga lart. Këta janë të ndryshëm nga dronët më të mëdhenj që Rusia përdor për bombardimet e natës në qytete të tjera të Ukrainës.
Duke cituar autoritetet lokale, raporti vlerëson se më shumë se 200 civilë janë vrarë dhe rreth 2,000 janë plagosur nga dronët rusë me rreze të shkurtër veprimi në këto tre rajone gjatë vitit të kaluar. Autorët e raportit kanë zhvilluar mbi 200 intervista dhe kanë analizuar më shumë se 500 prova video.
Raporti thekson se këto sulme përbëjnë vrasje dhe krim lufte të shënjestrimit të qëllimshëm të civilëve, ndërsa kryhen “si pjesë e një politike të koordinuar për të dëbuar civilët nga ato territore”, çka përbën krim kundër njerëzimit të zhvendosjes me forcë të popullsisë. bw