Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dhënë një mesazh të fortë për situatën globale dhe sfidat me të cilat po përballet Evropa, duke theksuar se bota ndodhet në një fazë ndryshimesh të thella.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e Unionit Kristian Social (CSU) në Mynih, Merz vuri në dukje se këto zhvillime nuk janë thjesht luhatje të zakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por ndryshime strukturore që do të kuptohen plotësisht vetëm pas shumë vitesh.
Ai deklaroi se epoka e ashtuquajtur “Pax Americana” ka marrë fund, duke shtuar se SHBA-të po mbrojnë interesat e tyre me forcë, çka, sipas tij, e detyron Evropën dhe Gjermaninë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Nostalgjia nuk do të na ndihmojë”, theksoi kancelari.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Merz nënvizoi se kërcënimi rus nuk kufizohet vetëm në këtë vend. Ai rikujtoi se situata aktuale ka nisur që në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë dhe paralajmëroi se, nëse Rusia do të arrinte qëllimet e saj në Ukrainë, Bashkimi Evropian mund të ishte objektivi i radhës.
“Nuk jam i gatshëm të rrezikoj periudhën më të gjatë të paqes që ka njohur kontinenti ynë”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Merz renditi katër prioritete kryesore: mbështetjen e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, forcimin e kohezionit brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe investime të mëdha në kapacitetet mbrojtëse.
Kancelari iu drejtua gjithashtu të rinjve gjermanë, duke folur për shërbimin ushtarak dhe duke shprehur besimin se ata janë të gatshëm t’i shërbejnë vendit. Ai sqaroi se, në fazën fillestare, angazhimi do të jetë vullnetar, por nuk përjashtoi mundësinë e ndryshimeve nëse situata e kërkon.
“Gjermania ofron shumë mundësi, por pret edhe një kontribut për të ndërtuar të ardhmen mbi vlerat e lirisë”, tha Merz.
Në fund, ai theksoi se një nga objektivat kryesore të qeverisë së tij është ristrukturimi i thellë i vendit dhe rikthimi i konkurrueshmërisë ekonomike.
Gjermaninë e përshkroi si “një rast që ka nevojë për rinovim nga themelet”, duke theksuar se ky proces kërkon kohë dhe bashkëpunimin e qytetarëve. Panoram