Iv Kaloçi*
Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë po publikojmë të plotë dy relacione sekrete të Komitetit Qendror të PPSH-së, të muajve mars dhe korrik të vitit 1973. I pari i përket Përgjegjësit të Sektorit të Jashtëm të KQ të PPSH-së, Pirro Bita dhe bën fjalë mbi gjendjen politiko- ekonomike e sociale në Kilin e viteve ’70-të dhe marrëdhëniet e tij me Shqipërinë, ndërsa i dyti i përpiluar nga vetë pasuesi i tij po përgjegjës i Sektorit të Jashtëm pranë KQ të PPSH-së, Agim Popa (i njohur ndryshe dhe si përkthyesi i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë), drejtuar ambasadës shqiptare në Santiago të Kilit dhe veçanërisht ambasadorit të sapodërguar asokohe në këtë vend, Përparim Spahiut. Në relacionin e dytë drejtuar ambasadës sonë në kryeqytetin e Kilit, Santiago, Agim Popa shpjegon qartë të gjithë procedurën protokollare që duhet të ndiqte stafi i ambasadës dhe gjithashtu jep këshilla dhe direktiva të qarta lidhur me qëndrimin zyrtar të politikës së jashtme të Tiranës komuniste në lidhje me përkrahjen ideologjike ndaj koalicionit të majtë qeverisës në Kili, të quajtur Uniteti Popullor që udhëhiqej nga Presidenti Salvador Allende.
Kili i fillimit të viteve ’70- të do të karakterizohej nga një paqëndrueshmëri e thellë politikoekonomike dhe sociale e shkaktuar nga reformat tejet radikale të menjëhershme të Presidentit Salvador Allende dhe qeverisë së tij, ndaj sektorëve kryesorë të kësaj ekonomie, industrisë energjetike dhe asaj minerare, të shfrytëzuar prej vitesh nga firmat koncesionare amerikane. Këto reforma të nxituara do të shprehnin një pakënaqësi nga pjesa e moderuar e koalicionit të majtë, çka do të provokonte një krizë të thellë qeveritare në muajt në vazhdim. Pikërisht këtu zënë fill edhe këto dy relacione sekrete të përpiluara në formën e kabllogrameve e para drejtuar KQ të PPSH-së, ndërsa e dyta vetë ambasadës shqiptare në Santiago. Përçarja e thellë e koalicionit të majtë qeveritar të Al-lendes do të alarmonte organizmat e orientimit të politikës së jashtme zyrtare shqiptare në Komitetit Qendror, deri aty, aq sa Agim Popa do të detyrohej të jepte udhëzime të prera për një qëndrim indiferent dhe jo shumë bashkëpunues të personelit të ambasadës shqiptare me forcat e koalicionit qeveritar dhe me partitë e tjera të majta në vendin e largët amerikano-jugor.
Dhe kjo, pasi Tirana zyrtare jo vetëm që e ndjente indiferentizmin e komunistëve kiliane për zhvillimin e një marrëdhënieje tejet miqësore me ta, por do të ishte “plotësisht e aftë të parashikonte” edhe shkatërrimin e shpejtë të qeverisë të majtë hibride të Salvador Allendes. Dhe në të vërtetë eksperimenti i majtë social në Kili do të përfundonte në mënyrë tragjike në 11 shtator të vitit 1973, kur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë kiliane, gjenerali Augusto Ugarte Pinochet, së bashku me forcat e këmbësorisë, marinës, aviacionit, policisë dhe shërbimit sekret DINA (me përkrahjen e heshtur të CIA-s dhe Pentagon-it), do të kryente një grusht shteti të tmerrshëm, duke sulmuar Pallatin Presidencial, La Moneda. Sulm në të cilin vetë Presidenti Allende do të luftonte deri në vdekje. Junta ushtarake e djathtë e Gjeneralit Pinochet do ta drejtonte Kilin me dorë të hekurt për 17 vjet deri në largimin e tij në 1990. Të vetmet përfaqësi diplomatike të shteteve komuniste të vendosura në Santiago, Bashkimit Sovjetik, Kubës dhe Shqipërisë do të evakuoheshin në mënyrë të menjëhershme disa orë më pas.
Të tillë qëndrim të rezervuar duhet të mbajmë edhe me njerëz të tjerë që na vijnë në ambasadë si ml, por që ne nuk i njohim. Të ruhemi shumë nga elementë provokatorë që mund të përpiqen të lidhen me ne duke shfrytëzuar çdo rrugë.
3) Që të njohim më mirë gjendjen e lëvizjen marksiste-leniniste në atë kontinent, duhet të sigurojmë burime informacionesh të ndryshme. Kryesoret janë:
a) Vetë shtypi i Partive m-l. Ai duhet të studiohet me shumë kujdes. Nëpërmjet tij duhet që të njohim vijën dhe veprimtarinë e partisë në fjalë, problemet që preokupojnë secilin, si dhe qëndrimet ndaj Partisë sonë dhe eksperiencën e saj. Kuptohet se pa autorizimin e qendrës, ju nuk duhet që të bëni vërejtje për shtypin e tyre (me përjashtim të ndonjë rasti të rëndë që ju nuk mund të heshtni, sidomos kur ka lidhje me Partinë tonë) Është e qartë gjithashtu se me postë ju mund të merrni vetëm shtypin që botohet legalisht, por jo atë që del ilegalisht. Ky duhet që të sigurohet në rrugë të tjera. Këto rregulla duhet që t’i siguroni edhe për dërgimin e shtypit të Partive në Komitetin Qendror. Është mirë që shtypi i Partive (ai që del legalisht, të dërgohet me postë ajrore në adresën e ambasadës sonë në Romë, kurse ai ilegal, si rregull duhet që të dërgohet nga ju me korrierë diplomatikë. Partisë së interesuar nuk duhet të dinë se si veproni ju me shtypin e tyre. Ata janë përgjegjës vetë për dërgimin e shtypit të tyre në Tiranë, në rrugët që janë përcaktuar me secilën. Pavarësisht nga koha e ardhjes së korrierëve diplomatikë, ju duhet të bëni analiza tre ose katër mujore të shtypit të Partive, të cilët t’ia dërgoni me korrierët Komitetit Qendror të Partisë.
b) Të dhënat nga bisedat që zhvillohen në takime të ndryshme. Si rregull përfaqësuesit e Partive m-l në çdo takim ngrenë probleme të ndryshme. Shpesh ata nuk i ngrenë problemet drejtpërdrejt, por tërthorazi, me nënkuptime, ose edhe duke hetuar më parë pozitën tonë për njërën ose tjetrën çështje. Në këto raste duket sikur biseda nuk ka ndonjë rëndësi për ta mbajtur shënim. Por, kjo nuk është kurdoherë kështu. Prandaj sikur thamë më lart, çdo bisedë duhet regjistruar brenda ditës. Grumbullimi i rregullt i këtij informacioni do të jetë i dobishëm më vonë dhe do të bëjë të kuptohemi më qartë për probleme të ndryshme. Dokumenti i Sektorit të Jashtëm të KQ: “Shoku Beniks nuk tregohet i sinqertë për përçarjen e së majtës”. Ai informacion do të na japë mundësi që të njohim më mirë përfaqësuesit e Partive m-l, vlerësimet që bëjnë ata lidhjeve me K.Q të Partisë sonë, aftësinë, tipin dhe karakterin e gjithsecilit. Na ka bërë përshtypje fakti që shoku Beniks ka ardhur disa herë në ambasadë (apo në shtëpinë ku banoni), por asnjëherë nuk ju ka folur për përçarjen e madhe që kanë në udhëheqje. Komiteti Qendror i joni ka të dhëna se Mario Arancibia, piktori Ventureli, etj., janë ndarë nga Beniks, Palacio etj. dhe janë krijuar dy grupe rivale. Thuhet se i pari ka edhe përkrahjen e shokëve kinezë. Mbi këtë përçarje dinë shumë njerëz kilianë e jo kilianë. Por informacioni që keni ju është tepër i cekët. Dihet se nuk do të jetë mirë që të pyesni direkt Beniksin ose Palacion për këtë çështje. Por rrugë të tjera mund të gjenden, p.sh. mund të gjendet preteksti për një takim me Marion ose gruan e tij, me Venturelin ose të shoqen e tij, mund të shfrytëzohet takimi me shokët brazilianë, natyrisht me kujdes dhe me takt. Me këtë rast ju kujtojmë se nuk është e lejueshme për ne që të japim mendimet tona përfaqësuesve të një Partie për një Parti tjetër, sidomos kur është fjala për vërejtje dhe kritika. Ndërkaq ne kemi të nevojshme të dimë opinionin që kanë ata për Parti të tjera m-l, por këtë duhet ta sigurojmë me shumë kujdes dhe të mos bëhemi ortakë në pikëpamjet që kanë ata për një Parti të tretë.
c)Të dhënat e miqve të tjerë jomarkistë- leninistë, por në pozita revolucionare në përgjithësi. Në Kili nuk është e vështirë që të krijohen miqësi dhe lidhje nëpërmjet Institutit të Miqësisë kiliano-shqiptare, ashtu dhe nëpërmjet njerëzve të tjerë. Mendimet e këtyre për Partitë m-l të vendeve të ndryshme mund të kenë interes për ne. Padyshim ne nuk duhet të bëjmë pyetjet tona hapur, pa kujdesin dhe taktin e nevojshëm. Kështu duhet të veprojmë edhe për mendimet që mund të na shprehin përfaqësuesit e grupeve të tjera të majta.
d) Shtypi i Partive i grupimeve të tjera politike. Të ndiqet ai me kujdes edhe për çfarë shkruan për lëvizjen m-l, për përfaqësues të ndryshëm të saj etj.
e) Njohja e udhëheqësve kryesorë të çdo Partie m-l ka rëndësi të madhe. Kjo duhet të përfshijë edhe jetën e tyre personale, profesionin, të ardhurat me të cilat jetojnë, mënyrën e jetesës së tyre, gjendjen familjare, qëndrimin politik të anëtarëve të familjes, prirjet dhe dëshirat personale, të kaluarën politike personale të familjes, me pak fjalë çdo gjë që ka të bëjë me qëndrimin politik dhe moral të tyre. Këto të dhëna mblidhen hap pas hapi shënohen rregullisht në kartën personale të secilit, duke i seleksionuar të dhënat me kujdes e duke treguar kurdoherë burimin e tyre me kohën kur janë marrë të dhënat në fjalë. Të gjithë këto studime, evidence dhe të dhëna që do të sigurohen, do të kenë kuptim kur të jenë sa më të sakta dhe të përgatitura në kohë për t’ia dërguar Komitetit Qendror. Bashkë më këto, ju duhet të na dërgoni herë pas here libra që flasin për problem politike ekonomike shoqërore për vendet kryesore të Amerikës Latine, si dhe numra gazetash dhe revistash të veçanta që kanë ndonjë artikull me rëndësi, sidomos të gazetave dhe revistave “Position”, “Chili Hoy”, “Ercilla”, e ndonjë tjetër. Të tilla materiale mund të na dërgoni edhe nga Argjentina, Peruja, Meksika, Panamaja, Venezuela, Kolumbia, revista e gazeta të cilat shiten dhe në Kili.
4) Ambasada mund të bëjë një punë të mirë për njohjen e lëvizjes marksiste leniniste kur aktivitetin i saj të mos kufizohet vetëm dhe as kryesisht në këtë fushë. Përkundrazi, të gjithë shokët e ambasadës duhet t’u kushtojnë mund të bëhet edhe për lidhjet e miqësitë me personalitete të gazetave dhe revistave të ndryshme. Por, nuk mbajmë asnjë lidhje me ata të Merkuros e të tjerë si ajo, që botohen me shumicë në Kili. Nga ana tjetër, ambasada duhet të aktivizohet shumë me trupin diplomatik, nga i cili mund të sigurohen të dhëna të vlefshme për vendin dhe Amerikën Latine. Për këtë ju keni udhëzime të veçanta nga ministria dhe nuk po zgjatemi. Por ka në Kili shumë Parti dhe grupe të majta, që nuk bëjnë pjesë në “Unitetin popullor” në fuqi, që e mbështesin pjesërisht ose nuk e mbështesin fare atë. Përfaqësuesit e këtyre grupeve të Partive megjithëse pak, kanë filluar të afrohen në ambasadën tonë. Por mund të ketë më shumë kërkesa në të ardhmen. Ç’qëndrim do të mbajnë këta?
a) Asnjë lidhje me njerëz që janë ilegalë ose që përfaqësojnë Parti ose grupe ilegale. Sapo t’i dëgjoni ata, do t’i thoni hapur dhe qartë se ne nuk merremi me detyra të tilla, se detyra tuaj është forcimi i miqësisë midis popujve kilian e shqiptar, se për ju është e huaj çdo ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe çdo veprimtari që nuk pajtohet me detyrat dhe misionin e përfaqësive të vërteta diplomatike. Prandaj e prisni shkurt bisedën dhe mos lini vend për takime të tjera.
b) Përfaqësuesve të Partive dhe grupeve të tjera të majta që veprojnë legalisht, siç janë ata të M.I.R-it etj. nuk ka pse t’u mbyllet dera. Kur vijnë, i prisni me korrektësi, i dëgjoni sa është e nevojshme pa rënë në pozitat e tyre kundër qeverisë në fuqi etj. Relacioni i Agim Popës: “Ambasada shqiptare nuk ndërhyn në punët e qeverisë së Allendes”. Materiale mbi Shqipërinë mund t’u jepen. Edhe atyre ua bëni të qartë kur është nevoja se ne nuk merremi me veprimtari kundër qeverisë, nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera, nuk kryejmë asnjë akt që është në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e vendit.
Prandaj kur themi të mos ju mbyllet dera, nuk do të thotë që të kërkojmë ne lidhje me ta, e as t’i ftojmë në raste të ndryshme, etj. Kur ka prej tyre si Monika Gonzales asaj mund t’i jepni më shumë material mbi Shqipërinë. Me atë mund të bisedoni më gjatë dhe me takt se ç’ përmbajtje do të ketë libri i saj, çfarë problemesh do të theksojë më tepër, ç’ndihma kërkon etj., por jo të kërkojmë të kontrollojmë librin. Në rastin konkret biseda mund të jetë më e ngrohtë dhe ndihma më e afërt. Kurse për të tjerët, p.sh. për të ndihmuar peruanin e sëmurë në Paris, nuk jemi dakord dhe lëreni në heshtje. Ose po t’ju vijnë dhe t’ju kërkojnë lidhje zyrtare, ju thoni se juve si përfaqësues diplomatikë mbani lidhje vetëm me qeverinë në fuqi.
e) Në qoftë se vijnë në ambasadë njerëz që u përkasin Partive dhe grupeve ultra të djathta e me tendenca fashiste, edhe kur veprojnë ilegalisht, si dhe personalitete nga Partitë revizioniste, atyre ju tregoni rrugën. Shtypin e Partive dhe grupeve më të rëndësishme të majta është mirë që ta ndiqni, se nga ai do të mësoni presionin që i bëhet qeverisë aktuale nga e majta dhe shpesh artikujt e tyre e paraqesin më qartë dhe më mirë gjendjen e përgjithshme të vendit. Mbi veprimtarinë e grupeve të majta siç e dini, janë në dijeni kubanët, kinezët, koreanët, vietnamezët, rumunët etj., të cilët sipas rastit mund t’i shfrytëzoni. Kemi interes sidomos të njohim, MIR-in që është organizata më me aktivitet dhe më e shtrirë me masat. Këtë mbajeni parasysh për një relacion.
5)-Sipas shtypit kilen, jetojnë në Kili mbi 30.000 emigrantë politikë nga vendet e Amerikës Latine. Ju e dini se këtë çështje opozita e shfrytëzonin kundër qeverisë aktuale. Duke qenë në përgjithësi elementë të majtë, ne kemi interesa që të njihemi me disa prej tyre, sidomos me ato vende ku nuk kemi lidhje të tjera (Venezuela, Peru, Kolumbi, Panama, Paraguaj, e përgjithësisht vende të Amerikës Qendrore). Por përpara se të bëjmë ndonjë hap konkret, duhet të informohemi sa më mirë për çdo rast. Të dhënat duhet t’i marrim nga ml e miq vendas nga shokët brazilianë, nga Zamora ose Rauli e ndonjë tjetër që kemi më shumë besim. Por pavarësisht se ç’na thonë edhe këta, duhet kurdoherë që t’i gjykojmë çështjet me vijën dhe qëndrimet e Partisë sonë. Lidhjet me ta duhet t’i krijojmë vetëm kur janë ilegalë ndaj qeverisë së vendit dhe kur ekzistojnë ndonjë shkak për t’u takuar. P.sh. Berçenko, ju tha se disa miq të tij, njerëz të ndershëm nga Venezuela i kanë folur keq për një Jezus Markes, venezuelian që ishte në Shqipëri. Pra, shkaku për t’u takuar me këtë, ekziston të paktën gjoja për t’i falënderuar e për të marrë prej tyre të dhëna më të sakta. Ky rast mund të shfrytëzohet mirë për të njohur akoma më mirë gjendjen e forcave të majta në Venezuelë. Ky ishte vetëm një shembull. Nga ata vetëm do të merrni informacione do të “vazhdoni miqësinë” më tutje vetëm po të paraqitet ndonjë interes. Ose Zamora ju flet me simpati për “Patria Boja” në Peru. Ju bëni sikur nuk dini asgjë për këtë dhe në ndonjë rast të volitshëm e pyesni se ç’organizatë është kjo, ç’lidhje ka me Partitë m-l, përse nuk bashkëpunojnë, cila është përbërja, vija e veprimtaria e saj, si e konsideron ai në krahasim me Partinë etj., etj. Mund të ketë njerëz prej tyre, ose dhe vendës që të kërkojnë nga ju adresa të Partive m-l, të tjera. U thoni menjëherë që nuk di dini dhe ju ven keq që nuk mund t’i ndihmoni. Këto qëndrime duhet të mbani me çdo njeri, kushdo qoftë ai. Vetëm me autorizim nga Komiteti Qendror mund të jepni ndonjë adresë nga ato që dini ju.
6-Të gjitha këto ua themi për këto arsye kryesore:
a) Që të përmirësojmë, duke organizuar më mirë punën në drejtim të lëvizjes marksiste-leniniste. Tani që keni fituar mjaft eksperiencë, e vlen barra qiranë që ju të analizoni vetë këtë punë, në të gjitha drejtimet dhe të përcaktoni detyrat për muajt e ardhshëm?
b) Që të theksojmë edhe njëherë se çdo pjesë në këtë drejtim duhet bërë me kujdes, në mënyrë që të mos krijojmë asnjë incident në marrëdhëniet shtetërore me qeverinë kiliane, të mos i japim asnjë shkas reaksionit vendës që të sulet kundër nesh. Prandaj ka shumë rëndësi aktiviteti më i madh i ambasadës në detyrat shtetërore që përmendëm më lart, aktivitet i cilit duhet t’i jepet precedencë dhe me të cilin duhet të merren tre shokët diplomat që jeni tani:
c) Më shumë dhe më me efekt mund dhe duhet të punohet në fushën e propagandës për vendin tonë. Një farë baze materiale, sidomos për ekspozita etj., e keni. Ministria do t’ju dërgojë edhe të tjera. Puna është që ato të shfrytëzohen me vend dhe deri në fund. Ju mund të keni zhvilluar aktivitete në këtë drejtim, por ne nuk jemi në dijeni: tani që e njihni më mirë vendin dhe situatën, mund të organizoni punën dhe më mirë.
7-Në fund përsërisim edhe një herë se parullat e caktuara më parë janë përsëri në fuqi. Por ato duhen shikuar, sepse mund të gjenden më të mira dhe se disa prej tyre janë përdorur edhe me shifrën provizore të mëparshme. Ambasadori i ri do t’ju sjellë edhe parulla të reja. Përsërisim edhe një herë që nuk ka nevojë që të pyesni më Beniksin etj., nëse do të vijë dhe kur do të vijë në Shqipëri. Përgjigjen nga ne e kanë marrë me kohë dhe nuk jemi ne që e pengojmë këtë çështje.
PERGJEGJESI I SEKTORIT TE JASHTEM
Agim Popa
Komentet