Ende pa u tharë boja e marrëveshjes historike midis Reporterëve pa Kufi dhe Keshillit Shqiptar të medias që të rritet siguria e gazetarëve shqiptarë dhe të garantohet pluralizmi i mediave në vend, ja që hidhen brutalisht në rrugë nga forcat e policisë këtë të shtunë 9 gusht 2025 gazetareë e grupit më të rëndësishëm mediatik në hapesirën shqipfolëse. Kolegët e News24, të Gazetës Panorama, dhe të sitit informativ BalkanWeb nuk po shkonin këtë mëngjes të bënin raportim nga ndonjë vend të konsideruar si sekret shtetëror e të rrethuar për rrjedhojë nga forca të shumta policie. Ata po shkonin thjesht në punë, në zyrat e tyre para kompjuterëve, mikrofonave dhe kamerave të tyre që të kryenin misionin e tyre të shenjtë të informimit të publikut 7 ditë mbi 7, 24 orë mbi 24, edhe kur publiku është në pikun e pushimeve të verës si këtë muaj gusht.
Këtë ditë të paqshme, pa asnjë re në qiell, në një orë kur shumë ende flinin, zgjodhi edhe Policia e Shtetit për t’i ngritur pusi pa pikën e burrërisë institucionale fjalës së lirë në Shqipëri, në shkelje flagrante të Kushtetutës që mbron lirinë e mediave.
Në Rusi, Putini i vret gazetarët pas shpine.
Në Turqi, Erdogan u ndërron pahir vendbanim nga shtëpitë në qeli. Në Bjellorusi, Lukashenko u pret gazetarëve bileta pa kthim në azil nëse s’duan t’jua presin kokën.
Në Shqiperi, marrëzia shtetërore anti mediave që nuk i kontrollon dot, kishte filluar me televizionin italo-shqiptar Agon duke ia shpallur pronarin kriminel dhe armik të Shqipërisë, vazhdoi me kolegët e Lapsit të cilëve forca publike ua rrëmbeu kompjuterat se thjesht denoncuan sistemin shtetëror të patronazhismit.
Marrëzia preku edhe Tv Ora që u vu nën sekustro shtetërore në mes të pandemisë së kovidit, pa permendur rastet e shumta të arrestimeve të gazetarëve , një tabu në Europën ku Shqipëria kërkon të integrohet. Dhe sot vendi po mbërrin te stacioni i fundit para diktatures legale: ndalimi që u behet gazetarëve të shkojne të punojnë kur as ata vetë dhe as drejtuesit e tyre nuk janë dënuar për asgjë. Nëse ndërtesa i takon shtetit, zgjidhje alternative mund të ishin propozuar nga shteti nëse liria e mediave ishte prioritet i Shtetit. Nuk është më këtu fjala vetëm për rrëmbim kompjuterash por të gjithshkaje që përbën gazetarinë. Nuk është as vënie nën sekustro të një grupi mediash, por tentativë në bandë të organizuar shtetërore per asgjesim total të një aseti mediatik kombëtar 100% shqiptar.
35 vjet pas rënies së regjimit të Enver Hoxhes , Shqipëria bën një kthim katastrofik mbrapa. Dita e sotme, do të hyjë në histori si dita e vrasjes me qëllim dhe paramendim e lirisë së shtypit në Shqipëri. Ka patur dhe në të kaluren e këtyre tre e ca dekadave kërcenime ndaj gazetareve apo pronarëve të medjave. Por kurrë në këto 35 vjet, kurrë nuk ka ndodhur ai demonstrim force ndodhi sot, rrethimi i nje institucioni madhor mediatik me forca policore dhe dëbim i gazetarëve sikur të ishin qenë rrugësh. Imazhe që të sjellin ndërmend ato nga fushatat e terrorit të juntave në Kili apo në Argjentinë, në Spanje apo në Greqi, e së fundmi në Venezuelëên e Maduros.
“No Pasaran” ishte thirrja e spanjollëve ndaj terrorit frankist midis dy luftrave botërore. Nuk duhet toleruar po ashtu gjëma e sotme me lirinë e medjas në Shqipëri. Faktori kombëtar dhe ai ndërkombëtar duhet të shpalosin mobilizimin e shkallës më të lartë përballë kësaj katastrofe jo natyrore shqiptare e provokuar nga vetë Shteti, i cili, pasi ka tejkaluar të gjitha caqet nuk po njeh më kufij në revanshin e tij kundra mendimit të lirë. Sot, vënia në gju dhe me duar të lidhura mbrapa të një medie kaq të rëndësishme per pejzazhin mediatik pluralist në Shqipëri , është vetëm parathënia e projektit të Kodit të ri penal që parashikon t’i ndeshkojë deri me tre vite burgim gazetardt e këtij vendi nëse ata do të guxojnë të kritikojnë “udhëheqesit” e Shtetit apo drejtësinë e popullit.
Po Drejtësia ku është sot? Gjykata kushtetutese ku është sot? Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e përcakton qartazi se:
1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet
Ajo që ndodhi sot në ndërtesën e News24/Panorama/BalkanWeb duhet të na bëjë të gjithëve të reagojmë dhe fuqishëm, përndryshe një precedent i kobshëm do të tolerohet me pasoja të pariparueshme. Në Shqipërinë e pas këtij 9 gushti, as liria e shprehjes, apo ajo e shtypit, e radios dhe e televizionit nuk do të jenë më kurrë të garantuara, dhe as censura e mjeteve të komunikimit nuk do të përbëjë më një krim kundra Kushtetutës.
Nëse sot, forcës së më të fortit që ka monopolin e dhunës, nuk i kundërvihet solidariteti pa kufi i Reporterëve pa Kufij, ai i mbarë korporatës së gazetarëve shqiptarë dhe OJQ-ve që luftojnë për demokraci në Shqiperi, pa harruar solidaritetin e mbarë deputetëe të popullit si të atyre të Opozitëes dhe të Mazhorancës që falë medjave arrijnë dhe bëjnë fushatë që të zgjidhen, pa harruar nevojen për solidaritet nga ana e Brukselit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Tiranë që duhet ta theksojnë me forcë nevojën e respektimit të punës së gazetarëve në Shqipëri, vendit i kanoset rrëshqitja drejt të panjohures me P të madhe për gjeneratën post diktatoriale shqiptare. Shqiptarët i përkasin qytetërimit europian. Kur ata luftojnë për fjalën e lirë, e bëjnë për të mbrojtur vlerat e këtij qyteterimi andaj ata duhen mbështetur dhe mbrojtur nga të gjithe, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Je suis News24!