Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se politikani serb Aleksandar Arsenijeviç duhet të dorëzohet dhe të përballet me drejtësinë. Ai theksoi se Arsenijeviç tashmë është subjekt i një hetimi të gjerë, duke e lidhur me grupe që janë marrë herë me aktivitete kriminale, e herë me akte terroriste.
“Po përpiqet të paraqitet si opozitar, por provat dhe dëshmitë flasin qartë për përfshirjen e tij në veprime të natyrës kriminale dhe terroriste. Ai duhet të dorëzohet dhe të japë llogari para ligjit,” tha Sveçla për media, duke shtuar se në pronën e Arsenijeviçit janë gjetur armë që sipas tij i përkasin një njësie terroriste.
Ndërkohë, Arsenijeviç ka deklaruar për KALLXO.com se nuk është në dijeni për ndonjë urdhër arresti ndaj tij. Ai tha se aktualisht ndodhet me familjen dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë pas kthimit nëse procesi do të jetë i drejtë.
“Nuk kam asgjë për të fshehur. Jam i hapur për hetim të pavarur, madje edhe nga FBI-ja, dhe mund të pranoj edhe një test poligrafik. Nuk do të isha aq naiv sa të përfshihem në diçka të tillë,” shtoi ai. bw