Italia ka tronditur balancat e deritanishme rreth financimit të Ukrainës, pasi sipas një dokumenti që citohet nga Politico është rreshtuar me Belgjikën, Maltën dhe Bullgarinë në kundërshtim me planin e Komisionit Evropian për përdorimin e 210 miliardë eurove nga asetet shtetërore ruse të ngrira.
Ndërhyrja vjen pak ditë para samitit të rëndësishëm të Këshillit Evropian më 18–19 dhjetor, ku Komisioni shpreson të sigurojë një marrëveshje politike.
Katër vendet propozojnë aktivizimin e një “Plani B”, përmes emetimit të përbashkët të borxhit evropian ose mekanizmave të tjerë të përkohshëm financimi.
Ato kërkojnë që “Komisioni dhe Këshilli të vazhdojnë të shqyrtojnë dhe diskutojnë alternativa në përputhje me të drejtën e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare, më të parashikueshme dhe me shumë më pak rreziqe, për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës, bazuar në një hua të BE-së ose zgjidhje të përkohshme,” sipas të njëjtave burime.
Megjithatë, kjo propozim përballet me pengesat e veta, do të rriste borxhin tashmë të lartë publik të Italisë dhe Francës, ndërsa kërkon unanimitet, çka i jep kryeministrit hungarez Viktor Orbán fuqinë ta bllokojë plotësisht.
Edhe pse Italia, Belgjika, Malta, Bullgaria, Hungaria dhe Sllovakia së bashku nuk përbëjnë një pakicë bllokuese formale, kundërshtia e tyre publike e vështirëson objektivin e Komisionit për të finalizuar një marrëveshje javën e ardhshme.
Për më tepër, katër vendet shprehin rezerva edhe ndaj synimit të Komisionit për të përdorur “kompetenca të jashtëzakonshme” për zgjatjen afatgjatë të ngrirjes së aseteve ruse. Megjithëse votuan pro vazhdimit të ngrirjes në emër të unitetit, ato theksojnë se kjo “nuk paragjykon aspak” vendimin final të liderëve evropianë për një përdorim të mundshëm të këtyre fondeve.
“Ky votim nuk paragjykon në asnjë mënyrë vendimin për përdorimin e mundshëm të aseteve të ngrira ruse, një vendim që duhet të merret në nivel liderësh,” shkruajnë ato.
Mekanizmi ligjor për mbajtjen afatgjatë të aseteve të ngrira synon të ulë rrezikun që vendet më afër Moskës, si Hungaria dhe Sllovakia, të vendosin t’ia kthejnë fondet Rusisë.
Zyrtarët argumentojnë se kjo zgjidhje dobëson mundësinë që Kremlini t’i rikuperojë asetet e tij në kuadër të një marrëveshjeje paqeje pas luftës, duke forcuar kështu planin e veçantë të BE-së për t’i përdorur ato.
Megjithatë, katër vendet paralajmërojnë se klauzola ligjore “sjell pasoja shumë të gjera ligjore, ekonomike, procedurale dhe institucionale, të cilat mund të shkojnë shumë përtej këtij rasti të veçantë”. gsh