Derisa po hulumtoja në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë hasa në një dokument me shumë vlerë. Grekët-Athina (vitet e njëzeta shek. XX) po përgatisnin një enciklopedi dhe po kërkonin nga Tirana të dhëna për Isë Boletinin.
Ndjeva gëzim, por jo dhe habi. Kjo për faktin sepse ky personalitet ka qenë emblemë e ngjarjeve të mëdha në fazën përmbyllëse të çlirimit të Evropës Juglindore nga Perandoria Osmane.
Pikërisht në këtë fazë të zhvillimeve historike, Isë Boletini ka qenë yll i shtypit shqiptar e të huaj. Në këto shkrime Isa cilësohej si prijës, si gjeneral, si simbol i luftës kundër shtypjes dhe luftës për liri. Prandaj është krejt e natyrshme që ky emër të zërë një Zë në çdo enciklopedi ballkanike dhe një ditë edhe në ato evropiane.
Me fjalë të tjera, ky personalitet historik ka lënë gjurmë të thella. Emrin e tij e hasim në dokumente arkivore e burime tjera, si: në raporte e analiza të kohës të bëra nga përfaqësitë diplomatike, nga misionarë, nga pushteti osman, në shtypin e kohës, në krijimtarinë popullore, në kujtime të personaliteteve të shquara të kohës shqiptarë e të jashtëm, etj. Këto gjurmë u evidencuan dhe u shfrytëzuan që në hapat e parë të Historiografisë shqiptare, si shkencë ekzakte.
Në sintezën e parë institucionale për historinë e shqiptarëve (1965) Isë Boletini zuri vendin e tij. Kurse monografinë e parë për këtë personalitet e përgatiti një intelektual me integritet njerëzor çfarë ishte Skënder Luarasi.
Më pas, Instituti i Historisë në Tiranë këtë personalitet historik e futi në programin e tij të cilin e realizoi studiuesja Dr. Fatmira Musaj, e cila botoi monografinë e dytë për Isë Boletinin. Kurse në Kosovë, me kontekstin historik brenda të cilit Isë Boletini ka qenë figurë qendrore, u morën jo pak studiues. Isa nuk anashkalohet as nga historiografë të jashtëm që u morën me historinë e shqiptarëve. Mund të thuhet se në gjithë këtë literaturë historiografike profilizimi i Isë Boletinit është harmonik, pikërisht i tillë çfarë edhe ka qenë roli i tij në relacion me proceset progresive-historike të kohës.
Vrasja e ndërmjetme e Isë Boletinit apo çoroditje historiografike
Një ditë (2015), derisa po kërkoja ndonjë botim të ri në njërën ndër libraritë e Prishtinës, vërejta dy libra për Hasan Prishtinën, me tekst identik, por me autorë të ndryshëm. Ky libër për herë të parë u botua në një kohë të keqe (1990), por jo me emrin e autorit të vërtetë, por me emrin e drejtorit të Institutit të Historisë së Kosovës të asaj kohe. Kurse me emrin e autorit të vërtetë ky libër u botua dhe u promovua në vitin 2013.
Në fakt, librit në fjalë i kanë paraprirë dy punime të botuara (1988) me emrin e autorit të rrejshëm, në revistën “Kosova”- organ i Institutit të Historisë së Kosovës. Njëri ndër këto punime kishte për objekt studimi Isë Boletinin, kurse tjetri Hasan Prishtinën. E shtyrë nga kureshtja profesionale po dhe detyra si pedagoge, që të gjitha këto shkrime i kam lexuar me shumë vëmendje. Çfarë shoku. Së pari, konstatova që ka hile të madhe lidhur me autorësinë. Pra dikush tjetër i kishte shkruar e dikush tjetër i kishte nënshkruar. Së dyti dhe më e keqja, shkrime më të shëmtuara nuk kisha lexuar ndonjëherë.
Në të gjitha këto, Isë Boletinit i adresoheshin cilësime si: “analfabet”, “personalitet analfabet”, “i shitur”, “i blerë”, “renegat mercenar”, “minues i autonomisë”, “çlirimtar i sulltanit”, “roje personale”, “rekuizit”, “tradhtar”, “bashkëveprues në pushtimin e Shqipërisë nga ushtria serbe …” !!!, etj. Një denigrim i paparë, një vrasje e ndërmjetme (historiografike) e dyfishtë: Isë Boletini dhe e vërteta historike. Autori i rrejshëm – drejtori i atëhershëm i Institutit të Historisë, po deklaronte (revista “Alternativa”, Lubjanë, nr. 6/1990) se kur po shkruante për Isë Boletinin po mendonte për Fadil Hoxhën!!!
Natyrisht që me studentët e historisë e kisha ndarë shqetësimin tim lidhur me shkrimet në fjalë dhe po këtë e bëra dhe me opinionin e gjerë kosovar në fillim të vitit 1992. Kjo sepse po hynim në vitin – përvjetor (1992) të ngjarjeve të mëdha historike (1912) në të cilat Isë Boletini, Hasan Prishtina, Ismail Qemali etj., kanë pasur rolin kryesor. Ky reagim publik imi kishte të bëjë dhe me kontekstin politik të kohës: si u bëka që mund të jesh hero i një kombi dhe njëkohësisht të jesh kolaboracionist i armikut, madje i ultranacionalistëve serbë, paraardhësve politikë të Millosheviqit? Çfarë mesazhi mund të kishin këto shkrime në kontekstin politik nëpër të cilin atëbotë po kalonte Kosova?
Isë Boletini: Heroika e Shqipërisë – shqiptarëve gjatë viteve 1881 – 1916
Karl Wstraj, gazetar austriak, shkruante: “Ai ishte një burrë i gjatë, i bukur, ende i ri, me fytyrë të mprehtë, sytë e tij kishin një shprehje që nuk kishin asgjë me ashpërsinë, por diçka të përmallshme…”.
Pra, kush ishte Isë Boletini “brenda e jashtë” këtij fiziku të përshkruar nga një i huaj? Ai ishte: i mençëm, i njerëzishëm, trim, strateg, prijës, patriot: burrështeti. Në Kullën Muze-vendlindjen e tij në Boletin, përveç botës shqiptare, figurojnë kryeqytete ballkanike e evropiane, në të cilat Isa qëndroi; burra shteti ballkanas e evropianë, me të cilët Isa pati takime e bisedime; emra të mëdhenj të kulturës e gazetarisë, shqiptarë e të jashtëm, interesimin e të cilëve Isa e kishte tërhequr me veprimtarinë dhe me karizmin e tij. Një histori e lavdishme.
Isa ishte pinjoll i një familje me emër dhe ndikim në gjithë Kosovën. Në rrafshin e veprimtarisë patriotike, Isa debiton në betejat e zhvilluara në mbrojtje të Shqipërisë autonome (Lidhja e Prizrenit) me ç’rast dhe u plagos (1881). U shqua me veprimtarinë e tij patriotike në vitet e 90-ta të shek. XIX – fillim i atij XX, kundër synimeve të fqinjëve ndaj tokave shqiptare (Lidhja e Pejës); ishte figura qendrore e zhvillimeve kundër synimeve imperialiste ndaj Shqipërisë (1902-1908), si dhe i përpjekjeve të shqiptarëve për shtetin autonom të tyre (1908-1912); ishte hallkë (tribun popullor) lidhëse midis fshatarit të lirë dhe elitës politike shqiptare; ishte mburojë e kësaj kategorie shoqërore nga abuzimet e pushtetit vendor e qendror osman; ishte personalitet me ndikim të madh dhe autoritet shtetëror në fazën e ngritjes, funksionalizimit dhe mbrojtjes së shtetit shqiptar (1912-1914); ishte personalitet nga më të angazhuarit në përpjekjet për afirmimin e çështjes shqiptare pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Isa u respektua dhe admirua nga qarqet atdhetare edhe jashtë Shqipërisë. Me fjalë të tjera, Isë Boletini ka qenë faktor krucial dhe pra emetues i fuqishëm i impulseve në proceset historike, siç ishte Lëvizja Kombëtare Shqiptare, Pavarësia e Shqipërisë dhe JO-ja e madhe e shqiptarëve ndaj pushtimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare dhe ndaj politikës antishqiptare të zbatuar në viset e pushtuara nga fqinjët.
Dhe në fund, në këtë përvjetor të dhimbshëm a mund “të flejë i qetë” Isë Boletini qoftë edhe në Boletinin e tij, pranë shkëmbeve “Ma të bukur se pallatet e Stambollit” – siç i cilësonte ai. Apo ndoshta në njëqindvjetorin e vrasjes së tij fizike nga të huajt, Isa do të “rrotullohet në varr” për gjendjen aktuale të Kosovës së katandisur (në varfëri, në korrupsion, në krim të organizuar, në mashtrim, në amoralitet) nga vetë njerëzit e saj apo nga vetvetja e keqe e saj.
Komentet