Luiza Rudnowa adhuron kinemanë, veshjet dhe artet pamore. Që nga viti 2020, e reja ruse studion në Paris menaxhim arti dhe kulture – dhe synon të bëjë emër në skenë. Por emri i saj i vërtetë fsheh një sekret të madh.
Thuhet se Rudnowa është vajza jashtëmartesore e sundimtarit të Kremlinit, Vladimir Putin, dhe ish-pastrueses Svetlana Krivonogikh. Një thashethem që tashmë ka shkaktuar jo pak trazira në rrethet artistike pariziane.
Sepse “vajza sekrete” e Putinit po kuron në dy galeri të kryeqytetit francez pikërisht artin kundër luftës!
E reja, që punon si kuratore galerie, u vu fillimisht në qendër të vëmendjes nga artistja ruse Nastja Rodionowa (në mërgim që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 2022). Rodionowa shkroi në Facebook se Rudnowa punon në ‘Studio Albatros’ dhe në ‘L Galerie’, ku ekspozohen vepra të artistëve si rusë, ashtu edhe ukrainas, me mesazhe të qarta kundër luftës (për shembull, rusja Lora Zyuzina trajton temën e censurës përmes vazove prej qeramike).
Rodionowa shtoi se edhe ajo vetë kishte dashur të ekspozonte veprat e saj atje, por për shkak të vajzës së Putinit, kishte vendosur të mos e bënte.
Ajo ndjehet e mashtruar. “Duhet ta dimë me kë kemi të bëjmë – dhe të vendosim vetë nëse mund të jetojmë me këtë fakt. Për mua personalisht, përgjigjja është: Jo”.
Në përgjigje të pyetjes së portalit rus të lajmeve Meduza, kuratori rus Dmitri Dolinski konfirmoi se prej tetorit 2024 punëson vajzën e Putinit. Ai tha se nuk e kishte pyetur më parë për prejardhjen e saj dhe se kjo ishte e parëndësishme. “Fëmijët nuk janë përgjegjës për prindërit e tyre,” tha ai.
Por Rodionowa mendon ndryshe. Ajo argumenton se edhe “vajza e fshehtë” e Putinit përfiton nga regjimi. SEPSE: Nëna e saj, Swetlana Krivonogikh, pas lindjes u pasurua shumë shpejt, ka aksione në bankën shtetërore Rossiya, zotëron një apartament luksoz në Shën Petersburg dhe ndodhet në listat perëndimore të sanksioneve.
Kur mediat ruse dhe ukrainase zbuluan aferën me Putin disa vite më parë, kjo gjë nuk e shqetësoi shumë Swetlana Krivonogikh; përkundrazi, ajo u gëzua për ndjekësit e rinj në rrjetet sociale. Ndryshe ndodhi me vajzën e saj.
Elizaveta Krivonogikh, emri i lindjes i Rudnowës, fshiu postimet e saj në Instagram dhe TikTok. Në një intervistë në vitin 2021, ajo tregoi se një projekt me revistën ruse “Tatler” nuk u publikua pas raportimeve për prejardhjen e saj. Për investigimet, ajo tha (pa konfirmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se Putin është babai i saj): “Kur të huajt fillojnë të futen në jetën tënde, nuk është aspak e këndshme”.
A po bëhet prejardhja e saj përsëri problem për të? “Ajo jetonte me nënën e saj dhe nuk e njeh babain e saj,” tha Dolinski. Asnjë nga artistët me të cilët ai punon nuk ka shprehur përshtypjen se ajo “mbështet në ndonjë mënyrë regjimin rus ose luftën”. sn