Për gjuhën standarde shqipe përkujdesja e institucioneve gjuhësore dhe e shtetit nuk ka qenë sa duhet, gjë e cila ka sjellë herë pas here edhe reagime të gjuhëtarëve dhe studiuesve të ndryshëm. Por prof. dr. Rami Memushaj thotë se kjo ka bërë që ajo të jetë e rrezikuar. Në intervistën për gazetën “SOT” prof. dr. Rami Memushaj flet për çështjen e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si e shikon sot Akademinë e Shkencave të Shqipërisë apo dhe mangësitë që janë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Sa i takon Drejtshkrimit, prof. dr. Memushaj thotë se më parë duhet zgjidhur çështja e parimit themelor, pastaj të mendohet për botimin e tij të përmirësuar.
Prof. dr. Rami Memushaj gjuhëtar i njohur, që edhe më parë ka reaguar për reformën në ASH që u ndërmor 15 vjet më parë thotë se ajo shkatërroi institutet shkencore, por edhe me rikthimin pranë akademisë ato nuk e kanë më shkëlqimin e dikurshëm. Ndërsa rendit një sërë problemesh, prof. dr. Rami Memushaj thotë se duhet të bëhen shumë gjëra që Akademia jonë e Shkencave dhe institutet e saj të justifikojnë qenien e tyre, së pari sipas tij duhet kuptuar se nuk mund të shuhen fusha të tëra studimi me rëndësi kombëtare, si te gjuhësia, letërsia, historia, etj, por duhet shtuar numri i punonjësve shkencorë në institute.
Prof. dr. Rami Memushaj që ka reaguar për çështje të ndryshme, si dhe ka shprehur edhe kritika në drejtim të institucioneve thotë se Akademia jonë e Shkencave, duke qenë e varur nga politika, nuk është shqiptuar asnjëherë për probleme madhore kombëtare. Ai thotë se prej komisionit të saj për gjuhën, si dhe prej Institutit të Gjuhësisë nuk ka asnjë qëndrim publik për mbrojtjen e gjuhës, për zbatimin e kodeve të standardit apo këshillim gjuhësor për institucionet publike e private. Ndërsa rendit një sërë problemesh, sipas prof. dr. Rami Memushajt mbrojtja e gjuhës standarde është bërë një urgjencë gjuhësore.
– Para disa ditësh u organizua në Akademinë e Shkencave tryeza shkencore mbi parimin themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Gjatë veprimtarisë pati pyetje dhe diskutime të shumta nga të pranishmit. Ju ishit i pranishëm në këtë tryezë, çfarë mund të thoni më shumë mbi ato që për ju janë problematika sot kur flitet për drejtshkrimin?
Botimi i vetëm i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, këtij libri tryeze jo vetëm për redaktorët dhe korrektorët letrarë, po për këdo që shkruan shqip, është ai i vitit 1974. Kjo e ka bërë më se të domosdoshëm ribotimin e tij. Jo një riprodhim të botimit të parë, po një ribotim të përmirësuar, që të pasqyrojë zhvillimet në gjuhësinë tonë, ndryshimet politiko-shoqërore në hapësirat shqiptare, që të ndreqë edhe rregulla e zgjidhje të veçanta që praktika gjysmëshekullore e zbatimit të drejtshkrimit ka provuar se nuk qëndrojnë. Por puna për ribotimin e Drejtshkrimit duhet të nisë nga parimet në të cilat duhet të mbështetet. Zgjedhja e parimit themelor të drejtshkrimit është me rëndësi për fytyrën e tij dhe për të ardhmen e shkrimit shqip.
Dihet debati për drejtshkrimin që u zhvillua gjatë periudhës 2005-2014. Një komision që u ngrit nga fundi i vitit 2004, i cili u quajt Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe, iu vu punës për ndryshimin e drejtshkrimit, duke dhënë si produkt në vitin 2014 një projekt të ndryshimeve që i duheshin bërë. Por ky projekt mbeti në letër dhe arsyeja pse dështoi ishte se u bënë ndryshime pa u zgjidhur më parë çështja e parimit themelor. Edhe kundërshtarët e atij projekti u morën kryesisht me zgjidhjet e propozuara dhe jo me parimet në të cilat mbështeteshin ato. Megjithatë, pati edhe gjuhëtarë që nuk u morën me zgjidhjet konkrete, po me çështjen e parimit themelor të drejtshkrimit të shqipes. Kështu, studiuesi Aristotel Spiro, në shkrimin “Mbi parimet e drejtshkrimit të shqipes standarde” (2009), mbrojti idenë se parimi themelor është parimi fonologjik: “çdo foneme i përkon një grafemë” (shkronjë), dhe jo çdo tingulli të shqiptuar një shkronjë. Kurse Albert Riska, në shkrimin “Sa dhe si mund të ndryshojë drejtshkrimi?” (2011), i mëshon idesë se drejtshkrimi duhet të jetë i qëndrueshëm, në mënyrë që të “të transmetojë idetë nga një brez në tjetrin, të sigurojë kështu trashëgiminë”, gjë që parimi fonetik nuk ia siguron.
Problemit të parimit themelor të drejtshkrimit prof. A. Spiroja i është rikthyer në monografinë “Për një drejtshkrim shqip modern” (2016) dhe më pas me shkrimin “Për një riformulim të parimeve të drejtshkrimit” (2022). Në ligjëratën e mbajtur në Akademinë e Shkencave, ky gjuhëtar që shquhet për ide novatore, mbrojti qëndrimin e tij të mëparshëm se parimi themelor i drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe është parimi fonologjik dhe se “në drejtshkrimin e shqipes asnjë parim morfologjik nuk ekziston”. Pyetjet dhe diskutimet u përqendruan rreth këtyre dy çështjeve. Lidhur me pohimin e parë, diskutuesit nuk u pajtuan me kritikën e prof. Spiros se Kongresi i Drejtshkrimit pranoi si parim themelor parimin fonetik (një tingull – një shkronjë), pasi në “Parimet e përgjithshme” të Drejtshkrimit thuhet: “Thelbi i parimit fonetik… është aspekti fonologjik”, pra flitet për “tingull-fonemë”. Veç kësaj, nga folësit u vu në dukje edhe se parimi fonologjik, sido që të quhet, bart probleme në zbatimin e tij, pasi fonemat që nuk realizohen fonetikisht, si p.sh. ë-ja e patheksuar në rrokje të hapur ose në fund të fjalës (që përgjithësisht nuk shqiptohet), nuk do të shkruhen. Dhe kështu, duke shpallur këtë si parim themelor, do të rikthehemi prapë te zgjidhjet e Këshillit Ndërakademik. Lidhur me pohimin e dytë, ata që folën, mbrojtën mendimin se nuk mund të mohohet veprimi i parimit morfologjik, i cili kërkon që “fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse… të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore…”. Për më tepër, u theksua se parimi morfologjik jo vetëm që nuk mund të mohohet, por ai është parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes, që i siguron qëndrueshmëri shkrimit të saj.
-Sa shërben për ju debati shkencor rreth çështjeve teorike të gjuhës shqipe?
Shkenca, në ndryshim nga fetë, të cilat nuk lejojnë diskutime rreth dogmave të tyre, është zhvilluar pikërisht nëpërmjet debateve, ku një teori e re hedh poshtë një të vjetër. Debatet shkencore janë gjithmonë të nevojshme dhe të shëndetshme për zhvillimin e mendimit shkencor, sepse në to ballafaqohen pikëpamjet e ndryshme dhe, në këtë mënyrë, arrihet tek një e vërtetë e pranuar përgjithësisht. Për t’u kthyer te drejtshkrimi, pavarësisht nga debatet rreth ligjëratës së prof. A. Spiros, ky gjuhëtar ka meritën se çeli një diskutim të domosdoshëm për çështjen themelore të drejtshkrimit, pa zgjidhjen e së cilës ribotimi i “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” do të ishte një dështim. Pra, më parë duhet zgjidhur çështja e parimit themelor, pastaj të mendohet për botimin e drejtshkrimit të përmirësuar. Se si do të zgjidhet kjo, nuk jam ende në gjendje ta them.
-Herë pas here ju si gjuhëtar në reagimet tuaja jeni shprehur ndër të tjera se gjuha standarde shqipe është e rrezikuar. Çfarë po ndodh?
Gjuha standarde është një prej varianteve të gjuhës së një kombi. Por, ndryshe prej varianteve të lindura (të folmet vendore), që janë krijuar gjatë zhvillimit shumëshekullor të një gjuhe, ajo nuk është variant i lindur. Ajo është produkt i planifikimit gjuhësor. Ajo ngrihet mbi bazën e njërit prej varianteve të saj, duke u plotësuar e pasuruar me elemente të marra prej varianteve të tjera. Si e tillë, ndryshe nga variantet e lindura, që zhvillohen vetiu, pa ndonjë përkujdesje të folësve të vet, gjuha standarde, si produkt i “inxhinierisë gjuhësore”, ka nevojë për “mirëmbajtje”, për përkujdesjen e planifikuesve gjuhësorë dhe të shtetit. Por pas ndryshimit të sistemit dhe hapjes ndaj botës, kjo përkujdesje e institucioneve gjuhësore dhe e shtetit ka munguar dhe kjo ka bërë që gjuha standarde të jetë e rrezikuar nga brenda, duke mos u zbatuar normat e saj; dhe nga jashtë, nga trysnia e gjuhëve të huaja.
Për këtë mungesë të përkujdesjes jo vetëm unë, po edhe shumë të tjerë jemi shprehur në shtypin shkencor e të përditshëm, në intervista në gazeta dhe në emisione televizive. Më e para është mungesa e kujdesit shtetëror. Ka vite që maturantët dalin më mirë në provimin e anglishtes se në provimin e shqipes. Po cili është shkaku? Së pari, janë mangësitë e programeve dhe të teksteve të gjuhës shqipe, që nuk lejojnë të arrihen objektivat e dëshiruar; së dyti, ndikimi te brezat e rinj i ligjërimit publik të folur dhe të shkruar, që shpërfill dhe shkel normat e gjuhës standarde. Kjo gjendje mendoj se do të vijë duke u rënduar në brezat që po hyjnë në shkollë, për shkak të futjes -pa asnjë konsultim me psikologët, didaktët e gjuhëtarët – të mësimit të gjuhës angleze që në klasën e parë, në një moshë kur fëmijët nuk kanë arritur të përvetësojnë morfologjinë dhe strukturat sintaksore bazë të shqipes, që fitohen me anë të dëgjimit dhe të leximit. Vërtet që shumë vende të BE-së e fillojnë mësimin e kësaj gjuhe që në klasën e parë, por ka edhe vende si Gjermania, që e fillojnë në vitin e tretë të fillores, besoj për shkak të morfologjisë së vështirë të gjermanishtes. Shqipja është gjuhë me lakim e zgjedhim të pasur, çka kërkon më shumë kohë për përvetësimin e morfologjisë së saj. Për pasojë, fillimi i mësimit të anglishtes në vitin e tretë të fillores do të ishte një zgjidhje optimale.
Pastaj vjen mungesa e kujdesit të institucioneve. Ajo që u bie të gjithëve në sy, është vërshimi në shtypin e folur dhe të shkruar i fjalëve të huaja të panevojshme, të cilat në një shkrim të fundit i kam quajtur “fjalë kopile”. Fjalë të tilla, si agravoj, akses, alokoj, benefit, direkt e live, disponoj, fokus, impakt, shok e shokoj, tentoj, total e totalisht etj., disa prej të cilave kanë qenë nxjerrë prej kohësh nga përdorimi, bartin me vete edhe strukturat e gjuhëve nga vijnë dhe këto struktura i shartohen shqipes, duke e shëmtuar sintaksën e saj. Do të duhej një pengesë, një doganë ndaj këtyre “mallrave kontrabandë” dhe një doganë e tillë do të ishin Akademitë dhe institutet tona gjuhësore.
Si pasojë e ndikimit të gjuhëve të huaja, po infektohet jo vetëm leksiku, po edhe fonetika, morfologjia dhe sintaksa e shqipes. Kështu, është tronditur ndjenja gjuhësore e folësve, sidomos e të shkolluarve, që i shqiptojnë fjalët jo me theks në rrokjen e fundit, siç e do shqipja, po në rrokjen e parë si në anglishte: kóvid, féjsbuk, vódafon, mégatek, Bójken, Gláuk, Téki, Mákron, Pútin etj. Meqenëse në shqipe mbaresa dy rrokje pas theksit është e vështirë për t’u shqiptuar, fjalët e theksuara në këtë mënyrë përdoren në fjali pa mbaresa: lufta e Putin, propozimi i Makron, Trump drejt Nobelit, Starmer takon Trump etj. Përdorimi pa mbaresa i fjalëve me theks në rrokjen parë, veç që bie ndesh me morfologjinë e shqipes, sjell edhe vështirësi në të kuptuarit e përmbajtës së fjalive.
Me ndikimin e fuqishëm të gjuhëve të huaja si nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, edhe nëpërmjet shtypit të shkruar e televiziv, shpjegohen gabime të tilla të natyrës semantike, si p.sh. incident ajror (për aksident ajror), ndërrojmë argument (për ndërrojmë temë) etj. Shqipja i ka diferencuar këto kuptime, duke përdorur për secilin fjalë të veçanta: incident e aksident, temë e argument, ndryshe nga italishtja që për të dy kuptimet ka vetëm një fjalë. Po kështu, edhe në sintaksë kanë depërtuar struktura të anglishtes e italishtes, p.sh.: siç ti the (siç the ti, siç the zotrote), do ta telefonoj (do t’i telefonoj), bën avokatin (është avokat, shtiret si avokat), më ke munguar shumë (më ka marrë malli shumë), më thuaj (urdhëro) etj. Këta pak shembuj mjaftojnë për të kuptuar se po preket jo vetëm gjuha standarde, po shqipja si tërësi variantesh, pasi po i ndryshojnë parametrat që e bëjnë një gjuhë të veçantë. Kjo është arsyeja pse mbrojtja e gjuhës standarde është bërë një urgjencë gjuhësore.
– Në një shkrim tuajin të mëparshëm, ndër të tjera, jeni shprehur se ka një këshill gjuhe që nuk po bën asgjë për gjuhën. Çfarë mund të na thoni më shumë për funksionimin e tij?
Gjuha shqipe flitet dhe shkruhet në hapësirat e saj të ndara në gjashtë shtete, në dy nga të cilat është gjuhë e parë zyrtare, në një shtet (Maqedoni e Veriut) gjuhë e dytë zyrtare, në dy të tjera (Mali i Zi e Serbi) gjuhë rajonale dhe në Greqi gjuhë e ndaluar. Në këto rrethana, që janë të ngjashme me ato të gjermanishtes, që flitet në tri shtete, është i nevojshëm një këshill gjuhësor ndërshtetëror me status zyrtar, siç e kanë gjermanët. Ky këshill është më se i domosdoshëm për probleme të mprehta si ato të terminologjisë, të ruajtjes së pastërtisë së gjuhës dhe të zbatimit të kodeve të standardit. Po një këshill i kompozuar sipas kriteresh të rrepta përzgjedhjeje, të cilin sot nuk e kemi. P.sh., nuk është pjesë e tij prof. Emil Lafja, gjuhëtari me më shumë ndihmesa në fushën kodifikimit të gjuhës standarde. Ky këshill do të kishte shumë punë. Njëra ndër to do të ishte ndjekja e zbatimit të normave të gjuhës standarde në dokumentacionin shtetëror, në tekstet shkollore, në shtypin e shkruar dhe në ligjërimin radioteleviziv. Ai do të kishte edhe organin e vet të shtypit, siç ishte dikur revista “Gjuha jonë”. Këshilli i tanishëm nuk shohim të kryejë ndonjë nga këto punë, si të themi të bëhet i gjallë. Më duket se po vijon në rrugën e Këshillit Ndërakademik, që e reduktoi punën e vet vetëm në ndryshimin e drejtshkrimit.
-Më parë ju jeni shprehur edhe se janë goditur rëndë institucionet, sidomos Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si dhe ka rënë dhe kujdesi i shtetit? Çfarë mund të na thoni mbi rolin e institucioneve sot dhe si e shikoni Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, që tashmë është dhe pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?
Për kujdesin e munguar, mendoj se folëm më sipër. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes së parë, jemi shprehur shumë herë. Mendimi im ka qenë se Reforma e Akademisë së Shkencave që u ndërmor 15 vjet më parë, shkatërroi institutet shkencore, duke i shkrirë disa dhe duke e rrudhur numrin e punonjësve në ato që mbetën. Shkëputja e instituteve nga varësia prej Akademisë nuk qe gjë e mirë as për to, as për vetë Akademinë, sepse kjo u rrudh në një institucion honorifik, me akademikë pa lidhje me institutet ku kishin punuar, për shkak se kishin dalë në pension. Ndërsa institutet që mbijetuan, u rrëgjuan në departamente me 10-15 punonjës, veç që mbetën pa mbështetje financiare dhe, për pasojë, edhe pa projekte.
Rikthimi i instituteve albanologjike në gjirin e Akademisë, ndonëse u kundërshtua prej tyre, pati si anë pozitive mbështetjen me fonde për projekte madhore, si historia e Shqipërisë dhe fjalori i gjuhës shqipe etj. Por, megjithatë, nuk e kanë më shkëlqimin e dikurshëm. Po të marrim vetëm Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, numri i punonjësve të tij është gati sa një e katërta e numrit të dikurshëm. Disa bërthama të degës së gjuhës janë shuar fare, si sektori i kulturës së gjuhës, sektori i fonetikës dhe e dialektologjisë dhe sektori i leksikologji-leksikografisë, që kishte mbi dhjetë punonjës. Po ashtu, edhe dega e letërsisë ka më pak punonjës sesa fushat e studimit të letërsisë shqiptare që duhet të mbulojë: letërsia fetare e shek. XVI-XVIII, letërsia romantike e Rilindjes, letërsia e gjysmës së parë të shek. XX, letërsia e realizmit socialist, letërsia realiste pas viteve ’90, letërsia për fëmijë dhe kritika letrare. E njëjtë është gjendja edhe për Institutin e Historisë. Në rrethana të tilla nuk mund të pritet që këto institute të përmbushin funksionet për të cilat janë krijuar.
-Si e shikoni Akademinë e Shkencave sot, ku më parë jeni shprehur se Akademia me Institutin e Gjuhësisë i detyrohen shumë gjuhës shqipe?
Duhet të bëhen shumë gjëra që Akademia dhe institutet e saj të justifikojnë qenien e tyre. Së pari, duhet kuptuar se nuk mund të shuhen fusha të tëra studimi me rëndësi kombëtare, si te gjuhësia, letërsia, historia etj. Këto fusha duhen mbuluar me punonjës, dmth. duhet shtuar numri i punonjësve shkencorë të instituteve. Një mundësi e artë që u krijua me doktorimin e dhjetëra të rinjve në këto fusha, ndër të cilët kishte shumë të aftë për punë shkencore, u dogj. Këta doktorë shkencash janë punësuar si mësues në shkolla private ose kanë ikur jashtë. Tani përgatitja e studiuesve të rinj duhet të nisë nga e para. Së dyti, duhet kuptuar që ne nuk mundëm, as atëherë kur shkencat albanologjike lulëzuan, të krijonim shkolla në kuptimin e një tradite të ngulët shkencore. Kështu që studiuesit e rinj duhen dërguar për specializime jashtë. E shajmë diktaturën, po të mos harrojmë që disa nga akademikët e sotëm janë ndër ata që u dërguan jashtë për specializime. Kurse tani ka 30 vjet dhe nuk po shihet të jetë dërguar ndonjë nga gjuhëtarët apo historianët jashtë për këtë qëllim.
Më në fund, por jo e fundit, Akademia e Shkencave dhe institutet e saj duhet të modernizohen, t’u afrohen në këtë aspekt të paktën akademive të vendeve fqinje. P.sh., Akademia bullgare e Shkencave qysh kur hyri në përdorim kompjuteri krijoi një institut të gjuhësisë kompjuterike, i cili ka krijuar databaza gjuhësore elektronike, aq të domosdoshme për hartimin e fjalorëve gjuhësorë dhe enciklopedikë. Po kështu edhe Greqia, Kroacia, Serbia e Sllovenia e vogël janë shumë para nesh. Akademia jonë ende nuk e ka kuptuar se duhet të ngrejë një bërthamë gjuhëtarësh dhe informatikanësh që të punojnë në këtë fushë.
Po të zbresim në rrafshin praktik, të gjithë jemi dëshmitarë se Akademia, duke qenë e varur nga politika, nuk është shqiptuar asnjëherë për probleme madhore kombëtare. Edhe kur mori përsipër çështjen e drejtshkrimit, dështoi. Prej komisionit të saj për gjuhën, si dhe prej Institutit të Gjuhësisë nuk kemi asnjë qëndrim publik për mbrojtjen e gjuhës, për zbatimin e kodeve të standardit, asnjë këshillim gjuhësor për institucionet publike e private. Të gjithë janë mbyllur në kullat e tyre të fildishta dhe nuk shohin se ç’ndodh jashtë. Ka edhe shumë gjëra të tjera për të thënë, të cilat nuk mund t’i nxërë një intervistë. Thirrja ime është të zgjohen nga gjumi dhe të ecin me hapin që ecin bota.
Intervistoi: Juljana Vrapi