Argita Malltezi dhe Izet Haxhia
“Mos ua vër veshin atyre që thotë Saliu, sepse është në gjendje psikologjike të rënduar”. Kjo lutje e Liri Berishës detyroi Izet Haxhinë të mos braktiste Sali Berishën në pranverën e vitit 1997. Telefonata dhe lutja është përsëritur edhe nga e bija e Berishës, Argita ndaj truprojës që kujdesej posaçërisht për jetën e ish-presidentit të kohës. Kjo histori vjen sot nga njeriu që i qëndroi besnik Berishës për thuajse shtatë vjet. Në fakt, reagimi i Izet Haxhisë vjen si përgjigje ndaj një interviste të Sali Berishës ku e akuzoi Haxhinë si vrasës dhe frikacak. “Ky që po më thoni ju, ia mbathi, ka ikur se nuk është trim si i vëllai, që qëndroi këtu. A mund të citohet një vrasës, të cilit Edi Rama nuk ia çon dosjen në Strasburg,pikërisht për të bërë këto deklarata që ai bën?!”, u shpreh Berisha. Në një bisedë për “DITA”, Izet Haxhia shprehet se akuzat e Berishës thjesht i shtojnë humorin. Haxhia përmend sërish gabimin, siç e cilëson ai, mbajtjen e Berishës në zyrë dhe mbrojtjen e tij.
Izet, dy ditë më parë Sali Berisha dha një intervistë të gjatë ku preku thuajse të gjitha temat e nxehta të karrierës së tij politike. Cilat ishte ndjesia që patët pasi u njohët me deklaratat e tij?
Mendja më shkoi 26 vite më parë. Ishim plot ëndrra e shpresë në atë dhjetor të ftohtë e të zymtë. Dhe për mua, e jo vetëm për mua, njeriu që na mbushte me shpresë ishte pikërisht ky doktor sorra që kakariste mbrëmë në emisionin televiziv të një gazetari të respektuar, Sokol Ballës. U trishtova në brendësi të vetes, se si është e mundur që një njeri të degradojë në këtë farë feje. Në të vërtetë, ky person që as njeri nuk e meriton të quhet, degradimin e ka që në genin e tij gjakprishur, që në ngjizjen e tij nëpër skutat e kullës së tij, në atë vjeshtë të 1943-shit…
Mes të tjerave, ai ju quajti dhe “vrasës, frikacak dhe i paburrë”…
Të m’i thotë dikush tjetër këto akuza vërtet që më vrasin e më mërzisin, por kur dalin nga goja hale e këtij mashtruesi të pacipë pa moral, vetëm ma shtojnë humorin. Po pse more Sali qënkam frikacak e i paburrë? Ngaqë të besova e mbrojta ty që nga dhjetori i 1990 e deri në korrik të 1997-s? Të shoqërova në çdo hap tendin, i pangrënë e i pagjumë, ku mendoja që gjëja më e mirë që mund të më gjente ishte burgu, kur edhe njerëzit e tu të gjakut të shanin e të mallkonin sepse kishe tradhtuar partinë që të shkolloi e të bëri njeri, por që në fakt ti njeri nuk u bëre kurrë.
Kujtoni ndonjë moment që ju vërtet e keni shpëtuar Berishën?
Sigurisht. Po të isha i paburrë e frikacak duhet ta braktisja e ta lija vetëm në mars të ’97-s, siç e lanë të gjithë bashkëpunëtorët e tij hajdutë e spiunë. Ta lija t’ia mbathte atë natë të 13 marsit 1997 për tek vila e mikut të tij, bashkëpunëtorit të Sigurimit te Shtetit, Ahmet Ulaj në Mamurras, e pastaj me helikopterin e forcave ajrore franceze në rrugën e tij të pa kthim të arratisë e tradhtisë. Vërtet nëqoftëse s’e kam bërë ndonjëherë paburrëri, është ajo natë e 13 marsit, që ai dridhej si qen i rrahur nga frika, duke thënë se çdo gjë mori fund, dhe e mbajta me zor në atë zyrë të mallkuar. Nëse unë isha frikacak, dua të kujtoj një episod që më vjen në mend. Ka qenë muaji prill, më duket i 97-s, kur u rrah Nikoll Lesi tek Hotel Rogneri. Më thërret Berisha në zyrë ku po shihte lajmet e Rai Tre që po tregonte për rrahjen e Lesit, i cili më akuzonte mua për këtë gjë. Berisha në një gjendje të
dërrmuar më thotë që “e shef çfarë bëre? Ti po mundohesh të më bësh gropën mua”. I thashë që mund të kem bërë gjëra të pakontrolluara që mund t’ju kenë dëmtuar juve në radhë të parë, por asnjë nga ato që kam bërë nuk i kam bërë me qëllim që t’ju dëmtoj juve… Më tha “po ç’do ti që del në skenë, ke plot njerëz të tu që mund të bëjnë këto gjëra. Ti nuk duhet të ekspozohesh se pastaj do të dyshojnë sikur të kam futur unë”. I thashë që unë po largohem përfundimisht nga mbrojtja juaj sepse dyshimi yt është i rëndë për mua.
Dhe ju u larguat?
U largova duke njoftuar edhe njerëzit që kisha pranë që unë po largohem, por pothuajse të gjithë njerëzit që kisha afër u bashkuan me mua duke u larguar edhe ata nga ruajtja e Berishës. Berisha i zënë në panik së bashku me familjen e tij, sepse kishte ngelur i vetëm dhe pa mbrojtje, fut gruan e tij të më marrë në telefon, duke më thënë të mos ua vija veshin atyre që thoshte Saliu, sepse e kishte gjendjen psikologjike të rënduar. Të njëjtën telefonatë mora edhe nga vajza e Salës që të kthehesha. Vendosa të kthehesha, por me zemër të thyer dhe pasi fola me miqtë dhe shokët që ishim bashkë, u thashë këtë: Unë po kthehem, por deri në zgjedhjet e 29 qershorit. Më datën 30 fitoi apo nuk fitoi Berisha e PD, unë nuk kam për të punuar kurrë më për të sepse fjalët e tij haluçinante se unë “po punoja për ta groposur” më vranë shumë dhe thyen përfundimisht lidhjet e mia me të. A është e hijshme për një burrë zakoni si puna jote o Sali, të fusë mik femrat e shtëpisë tek një “i paburrë e frikacak” si puna ime?
Berisha pranoi gjithashtu se ishte ai që ju ka denoncuar te Ambasada Amerikane…
Ai thotë se është dora vetë që më paska denoncuar mua si vrasës në Ambasadën Amerikane e në bazë të këtij denoncimi paskam marrë dënimin e merituar. Po pse more Sali, një burrë trim si puna jote, i shkon të denoncojë në derën e një të huaji, qoftë edhe një vrasës të paburrë e frikacak si puna ime? Desha ta pyesja: kush është i paburrë, ai që si ato gratë e liga shkon e denoncon në mënyrë të fshehtë, një njëri të cilit i kishte borxh jetën e tij dhe të familjes, apo unë që edhe pse e dija këtë denoncim tëndin, edhe pse m’u ofrua një kërkesë nga ata tek të cilët më denoncove, në vitin 2001 që të rrëfeja bëmat e krimet tua, e hodha poshtë me neveri?
Çfarë denoncimi ka bërë?
Përmbajtjen e atij denoncimi e kishte shkruar në mënyrë të ligë e djallëzore, sepse aty nuk përmendte emrin tim, por shkruante që në vendngjarje ka qenë edhe I. Haxhiaj. Duke aluduar për vëllain e madh Ismetin meqë ishte punonjës policie, por ai e dinte shumë mirë, se të paktën tre emrat e ne vëllezërve Haxhiaj, fillojnë me I. Në fakt jo tre emrat, po të nëntë emrat e vëllezërve e motrave të mija fillojnë me germën I. Pastaj ai vazhdon me mashtrimet e tija se përse nuk u paraqit në gjyqin tonë, sepse e kishte dhënë dëshminë e tij para ndërkombëtarëve dhe nuk kishe besim tek gjykatat e inkriminuara. Po e pyes atëherë: ç’punë kishin prokurorët e çështjes “Hajdari” në zyrën e tij gjatë gjykimit tonë? Apo këto vizita nuk i mban mend? Natyrisht që ashtu do thuash. Po në mbrojtjen e tij që i ka dërguar gjykatës së Strasburgut, ku i ishte kërkuar se pse nuk je paraqitur për të dëshmuar në gjyqin e Hajdarit, pasi ai ishte denoncuesi kryesor, ai si një trim i çartur që është, kishte shkruar se nuk kisha garanci për jetën, prandaj nuk jam paraqitur për të dëshmuar. Po pse more vëllai i Radovan Karaxhiçit, ju e keni në gjak trimërinë e krimin, ju nderon juve një përgjigje e tillë prej frikacaku…?! Si duket genet e trimërisë, babai jot Vuk Karaxhiç ia paska përcjellë vetëm vëllait tënd, Radovanit, ndërsa ty ligësinë e pabesinë gjenetike të etërve të tu serbë.
A i keni çuar ndonjëherë kërcënim Sali Berishës?
Sapo u lirova nga burgu që bëra pesë vjet në Turqi, një dhuratë nga Saliu, pas një telefonate timen të përgjuar nga spiunët e tij, me një njeriun tim, ku unë thashë se “tani që dola nga burgu, i vetmi synim që kam në jetë është të vras Sali Berishën”, ai të nesërmen filloi të vishte antiplumb dhe me urgjencë i kërkoi ministrit të tij të Brendshëm të rinovonte kërkimin tim ndërkombëtar nga Interpoli. Kush është frikacak, unë apo ai që për dhjetë vjet me radhë nuk guxoi të shkelte në vendlindjen e tij? Dhe kur mori guximin të shkojë, mori me vete ushtri, polici, banditë e kriminelë, autoblinda e snajperë. Apo kishte frikë nga Shota (Zylfije Haklaj)? Po pse more Sali, tremben trimat me fletë si ti nga një grua? Të mos flasim pastaj për mosvajtjen tënde që nga mosha 14 vjeçare, për arsye të inçestit tënd…
Për t’u kthyer tek intervista e fundit e zotit Berisha. Ai tha se studentët protestues i kishte takuar vetë më parë, dhe pas kësaj e dërgoi Ramiz Alia. Në dijeni tuaj si është e vërteta?
Në ditët para fillimit të lëvizjes së dhjetorit Berisha ka qenë për vizitë disa ditore në Itali ku merrte pjesë në një konferencë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Është kthyer nga Italia më datën 8 dhjetor i thirrur me urgjencë nga dikush me potencë në regjimin komunist të kohës. Të nesërmen më datën 9 dhjetor rreth orës 13:00 ka qenë i ulur me Besnik Mustafajin tek kafja e 15-katshit. Aty ka shkuar Kujtim Çashku, një ndërlidhës edhe i mëvonshëm i Berishës me njerëz të regjimit dhe sigurimit, që i ka përcjellë mesazhin e regjimit për të shkuar tek Liceu Artistik ku ishim të bllokuar ne studentët që kërkonim të dilnim në qendër të Tiranës. Kur ka filluar dhuna ndaj ne studentëve, Berisha ka ndërhyrë duke thënë që mos godisnin. Në këtë moment më kujtohet skena kur një ushtar me lopatë xheniere u nis të godiste Berishën, por një civil, që siç e mora vesh më vonë ishte oficer i rëndësishëm në hierarkinë e Sigurimit të Shtetit, e ndalon këtë ushtar. Kjo ishte një skenë e krijuar përpara studentëve që të ngrihej figura e Berishës në sytë e studentëve si përkrahës i tyre. Në atë kohë, askush nuk e kuptoi që ishte diçka e inskenuar nga Sigurimi. Pas shpërndarjes me dhunë të studentëve dhe arrestimit të disa prej tyre, Berisha “humbi” për një katër orë për t’u shfaqur rreth orës 17:00 në “Qytetin Studenti”. Gjatë këtyre katër orëve, siç e pohon edhe vetë, ka bërë takim tek Vila 30 me Ramiz Alinë. Po siç doli më vonë, në këtë takim ka qenë edhe Xhelil Gjoni, nr. 2 i regjimit. Pas një takimi në zyrën e drejtorit të “Qytetit Studenti”, Xhevdet Pata, Berisha është pritur keq nga një pjesë e studentëve të pranishëm në këtë takim, sidomos nga Shenasi Rama ku është akuzuar prej tij si misionar i Ramizit e Sigurimit. Pra ky është takimi i parë i Berishës me studentët, e jo siç gënjen ai se jam takuar më para. Pra, Berisha ka ardhur atë pasdite të 9 dhjetorit në “Qytetin Studenti” si një i dërguar i Ramiz Alisë. Dua të shtoj edhe një detaj interesant të asaj dite, ku sëbashku me studentët e arrestuar, u arrestua edhe një intelektual, edhe ky mik i Berishës, Zenel Hoxha të cilin Berisha e bëri më vonë kryetar të PD-së për degën e Tiranës, por që doli që ishte një spiun i Sigurimit që ishte arrestuar me plan nga Sigurimi për t’u bërë i besueshëm tek studentët. Por roli që i ishte dhënë Berishës, siç doli më vonë, ishte më i madh se roli i spiunit Zenel Hoxha, pra roli i futjes në dorë të lëvizjes studentore.
Në intervistën e tij, ndër të tjera Berisha tha se SHIK-u i viteve ’90 ishte pa eksperiencë dhe ka bërë dhe gabime. A mos vallë po justifikon krimet që ka bërë SHIK-u i kohës, ku përveç rrahjeve e dhunës ndaj medias, opozitës i rëndon dhe zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha? Sipas jush kemi të bëjmë me mungesë eksperience apo SHIK vepronte me urdhra nga lart?
SHIK-u u krijua në kohën e Ramiz Alisë në vitin 1991 pas shkrirjes së Sigurimit të Shtetit. Duhet thënë se pjesëtarë të lartë të kupolës drejtuese të SHIK-ut të drejtuar nga Irakli Koçollari ishin vizitorë të shpeshtë në zyrat e PD-së tek rruga e Kavajës në orët e vona të natës, përfshirë këtu edhe vetë Koçollarin, sidomos zyra e Azemit nuk ishte asnjëherë bosh, pa këta mysafirë, por edhe ajo e Berishës vizitohej herë pas here. Pas fitores së 22 marsit, Irakli Koçollari vazhdoi i qetë detyrën deri në korrik të atij viti kur u shkarkua nga Berisha pasi thurën një skenar të rremë, sipas të cilit dy grupe kriminale, njëri nga Kruja e tjetri nga Tropoja, donin ti bënin atentat Berishës e Hajdarit. Kjo ishte e gjitha lojë e Hajdarit, pasi ai ishte i zhgënjyer ngaqë nuk mori postin e ministrit të Brendshëm, por i kushtoi postin Irakli Koçollarit.
Çfarë ndodhi më pas?
Pas kësaj, fillon epoka “Gazidede”, në drejtimin e SHIK-ut. U larguan pothuajse 90 për qind e personelit të vjetër të SHIK-ut për t’u zëvendësuar me militantë të rinj e ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, spiunë birucash e agjentë të UDB-së e shërbimit sekret maqedonas. SHIK-u u kthye në instrumentin më të besuar të Berishës, aq sa ndodhte që deri në pesë herë në ditë vinin zarfe me tre vija të kuqe që kishin brenda tyre spiunime e të dhëna të lloj-llojshme të mbledhura nga SHIK-u. Kësaj i shtohej edhe vizita e përnatshme e Gazidedes tek Vila 4. Pra, Berisha filloi të kishte ushqim të përditshëm informacionet që vinin nga SHIK-u, duke filluar që nga infot për Meksin, e duke vazhduar me ato për opozitën, e duke përfunduar në ato për gazetarë e media që ishin kundër Berishës. Pra çdo veprimtari e SHIK-ut të kohës ishte në funksion të Berishës dhe pushtetit të tij personal. Berisha e ktheu SHIK-un në armën e tij më efikase e besnike në luftën për pushtet duke shtypur çdo zë opozitar brenda PD-së, duke shantazhuar spiunët e shumtë në PD me dosjet e tyre kur fillonin të ngrinin kokë duke masakruar gazetarë e politikanë dhe duke kryer vrasje e rrëmbime si ajo e Remzi Hoxhës apo vrasje si ajo e drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi.
Si funksiononte SHIK?
Siç doli edhe në kaosin e 97-s, SHIK-u kishte edhe një grup të specializuar për të kryer vrasje e rrëmbime, emrat e të cilëve i dinin vetëm Gazidede e Xhahit Xhaferi dhe disa prej tyre edhe Berisha. Këta vrasës të SHIK-ut ishin kryesisht ish-të persekutuar nga Mirdita, nga Dibra dhe disa nga Tropoja. Për vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës unë kam folur edhe disa herë të tjera, por është mashtrimi më i madh ajo që thotë Berisha që nuk kam patur dijeni për këtë rast të krimit shtetëror. Duhet theksuar se shumë pjesëtare të kohës së SHIK-ut të Gazidedes janë në lidhje me njëri-tjetrin dhe presin momentin e aktivizimit të tyre në bazë të porosive të shefit të madh të SHIK-ut të Gazidedes, Berishës.
Berisha ju akuzoi se ju po përdoreni nga Rama, që kryeministri të mos iu dërgojë dosjen në Strasburg. Si e komentoni dhe sa qëndron kjo deklaratë e tij?
Këtu qëndron edhe mashtrimi më i madh dhe idiotesk i tij. Por dua të sqaroj në lidhje me këtë mashtrim të tij. Kërkesën për shqyrtim të çështjes time në Strasburg e ka bërë familja ime në Tiranë. Kjo nuk ka të bëjë me çështje ekstradimi, por me çështjen ku jam dënuar në mungesë 25 vjet, pra për çështjen “Hajdari”. Sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, pika tre, unë kam të drejtë të rigjykohem pasi jam gjykuar në mungesë pa u hetuar, marrë në pyetje apo bërë mbrojtjen time. Por për të penguar
që të fitoj këtë të drejtë të ligjshme timen, Berisha aktivizoi njeriun e tij të besuar, Ylli Peçi, i cili me para dhe njohje të tij duke shfrytëzuar edhe prirjet e tij seksuale si një gay i deklaruar, arriti që këtë vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Strasburg ta pengojë. Menjëherë pas këtij misioni në shërbim të Berishës ai u transferua në Londër. Ai është avokati, menaxheri i parave të fshehura të Berishës e njerëzve të tij të familjes. Pra ato që ka bërë vetë ndaj meje dhe dosjes, çështjes time tashmë të përfunduar në Strasburg, mundohet t’ia veshë Ramës me një mashtrim sa banal aq dhe të djallëzuar, sikur unë i shërbekam Ramës ngaqë nuk më çon dosjen në Strasburg. Këto janë shenjat e një skizofreni që i kanë djegur shumë dëshmitë e mia dhe përdor mashtrime të tilla të çmendura. As unë nuk kam nevojë për Ramën e as ai për mua. Rama siç duket e dëshiron Berishën kështu të çmendur siç po tregohet dita-ditës, se besoj se është shërbëtori më i mirë për Ramën për të qëndruar sa t’i ketë qejfi në pushtet…
Ai tha se me Azem Hajdarin kishte marrëdhënie të ngrohta vëllazërore dhe se “Azemi ishte një kafshë politike”, duke dhënë dhe shpjegimin pse nuk e bëri asnjëherë ministër? Sipas jush pse Azemi nuk u fut kurrë në kabinet?
Në përgjigjen e pyetjes lidhur me Azemin, Berisha tregoi fytyrën e një vrasësi të lig e të pabesë. Në qoftë se ka një njeri të keqpërdorur deri në ekstrem në të gjallë dhe pas vdekjes, ky është Azem Hajdari nga ana e Berishës. Pasi e përdori në fillim të Lëvizjes së Dhjetorit për të bërë strehë në PD, dhe duhet thënë që Azemi luajti rol kryesor në ngritjen e Berishës deri në postin e Kryetarit të PD, të cilin e mban edhe sot, edhe pse formalisht ka zgjedhur një kloun të tij për kryetar. Por Berisha, si një i lig që është, me të forcuar pozitat në PD, filloi mënjanimin e të gjithë atyre që i shihte si rrezik për pozitën e tij sunduese dhe nga të parët që u mënjanua ishte edhe Hajdari. Përplasja e tyre e parë ishte në Kuvendin e parë të PD ku Azemi me sugjerimin e grupit të Pashkos, hodhi kandidaturën për kryetar të PD kundër Berishës, në mënyrë që votat e përkrahësve të Azemit e të Berishës të ndaheshin mes tyre sepse përkrahësit ishin të njëjtë për të dy dhe me këtë rast fitonte kandidatura e Cekës. Por Berisha ishte një hap para tyre, sepse ai kishte dijeni për këto plane. I njoftuar nga miqtë e tij që e futën në politikë dhe përgjonin shtëpinë e Pashkos ku thureshin këto plane…emisarët e Berishës, një nga këta dhe unë, punuam me delegatët e çoroditur të PD nga rrethet për t’u mbushur mendjen që Azemi kishte devijuar nga rruga e PD dhe i shërbente klaneve të pushtetit ngaqë ishte spiun i Sigurimi. Kjo bëri efektin e saj dhe Berisha i dërmoi të dy, si Cekën, si Hajdarin, duke fituar shumicën e votave që e zgjodhën kryetar të përjetshëm të PD,de facto..Pas kësaj përpjekje të dëshpëruar të Hajdarit, ai hyri në listën e zezë të kundërshtarëve të Berishës… Megjithë përpjekjet e Azemit për të fituar besimin e Berishës e për t’u afruar me të duke bërë lloj-lloj lajkash e servilizmash, ai nuk arriti kurrë më të fitojë përkrahjen dhe besimin e Berishës që ishte kusht kryesor për të marrë një post në qeverisjen që po dukej në horizont..Azemi, edhe pse shpresonte shumë se do t’i jepej posti i shumëdëshiruar prej tij, ai i ministrit të Brendshëm pas 22 marsit ngeli me gisht në gojë nga Berisha. Aq shumë e dëshironte e shpresonte atë post Azemi, sa fill pas 22 marsit, filloi të ndajë poste shefash policie e drejtorësh tek Kafja e Dajtit e 15-katëshit..Por Azemi, edhe pse mori goditje të njëpasnjëshme nga Berisha deri në heqjen e imunitetit e procedimin penal, vazhdoi luftën e tij në fshehtësi kundër Berishës dhe në dukje apo tek njerëzit që ishin të afërt me Berishën, paraqitej si përkrahës i marshallit, siç e quante Azemi me servilizëm Berishën… Pra, që nga tetori i vitit 1991 e deri në natën e 12 shtatorit kur Berisha e nxori tek pritja e vdekjes Hajdarin, nuk ka patur jo dashuri e vëllazëri, por një armiqësi e pritje për t’u hakmarrë në momentin e përshtatshëm ndaj njëri-tjetrit. Po ju tregoj vetëm një moment poshtërues që sqaron gjithçka pse Berisha nuk i dha kurrë Hajdarit postin e ëndërruar të tij, atë të ministrit të Brendshëm. Ishte fundi i qershorit 1997, kur të majtët kishin fituar zgjedhjet e 29 qershorit. Minjtë e PD-së kishin filluar të braktisnin anijen që po mbytej dhe një nga këta ishte edhe ministri i Brendshëm i PD në qeverinë “Fino”, Belul Çela. Azemi i kërkon qoftë edhe për një muaj Berishës ta bëjë ministër të brendshëm sepse në fund të korrikut mblidhej parlamenti i ri . Berisha i thotë Azemit që në darkë do ta dekretoj emrin tënd për ministër të Brendshëm, por me tallje e duke e poshtëruar Azemin, dekreton për ministër të Brendshëm Ali Kazazin. Berisha duke e ditur që Azemi ishte një kafshë, siç e thotë edhe ai vetë, sapo të merrte fuqinë që të jep posti i ministrit të Brendshëm, të parin që do të shqyente ishte Berisha. Kjo është edhe arsyeja e vetme që Berisha nuk i dha kurrë post Azemit, por në fund e nxori edhe në pritë për ta përdorur si hero pas pritës ku e nxori vetë me dijeni të plotë se kush e priste dhe çfarë e priste.
Keni ndonjë mesazh për Sali Berishën?
Patjetër që kam. Sali, desha të them dy fjalë si përfundim. Ti më ke denoncuar, siç thua vetë në mënyrë të fshehtë dhe me këtë denoncim jam dënuar. Unë të gjitha ato që kam rrëfyer për ty me dëshirën time e pa ndikimin e askujt, as në shërbim të askujt, vetëm në shërbim të vërtetës, jam gati të ballafaqohem me ty para një gjykate të pavarur shqiptare, pa të huaj. Po ti a je gati të përballesh me mua para kësaj gjykate? Atëherë do shohim kush është i paburri e frikacaku. Kush ka frikë nga burgu dhe e vërteta. Unë apo ti…
Pak më lart ju i bëni një sfidë publike ku i thoni se jeni gati të përballeni me të në çdo gjykatë. Mendoni se do vijë kjo ditë e përballjes finale mes teje dhe Berishës përpara drejtësisë?
Unë e kam thënë edhe më parë që jam i gatshëm të përballem me të para një gjykate të pavarur në atdheun tim. Unë i qëndroj deri në fund kësaj për t’u ballafaquar me Berishën. Nuk është në dorën time ta sjell Berishën para gjykatës e drejtësisë, por është në dorën e prokurorëve e gjykatësve që do marrin detyrat pas fillimit të reformës në drejtësi ta bëjnë këtë gjë. Detyra ime është të rrëfej e të tregoj përpara këtyre gjykatësve e prokurorëve të vërtetat e mia për Berishën dhe krimet e tij. A do të vijë kjo ditë? Të shpresojmë, por në qoftë se duan të vendoset drejtësi e të tregojnë se në një shtet ligjor nuk ka të paprekshëm e të pandëshkuar për ata që bëjnë krime, kushdo qoftë ai, kjo duhet filluar me Berishën. Po mbeti në dorë të politikës ndëshkimi i Berishës, të jeni të sigurt se ai nuk ka për të ardhur kurrë, sepse qenia e Berishës në politikë e në drejtimin de facto të PD, kundërshtarët e tij i lë në pushtet të përjetshëm. Është fat i madh për një pozitë të ketë një opozitë me tipa që e kanë specien e rrallë si Berisha, për të mos thënë që është i vetmi në mashtrimin, çmendurinë, antishtetin, antikombëtarin dhe armikun e popullit të tij.
Bisedoi: Erion Habilaj – DITA
Komentet