VOLTIZA DURO/ Në një kohë kur Shqipëria është gjithnjë e më pranë hapjes së plotë të kapitujve të integrimit në Bashkimin Europian, sfida për ndërtimin e një bujqësie moderne dhe konkurruese merr përmasa të reja.
Politikat publike, planet afatmesme buxhetore dhe deklaratat për objektiva të larta shoqërohen ende me një realitet ku rënia e punësimit në sektorin bujqësor, mosrritja e prodhimit dhe thellimi i deficitit të ushqimeve janë shqetësime serioze. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i ekonomisë Koço Broka ndalet mbi të dhënat zyrtare, për të analizuar realisht gjendjen e sektorit, duke e krahasuar me pritshmëritë që artikulohen publikisht.
Ai thekson se mungesa e të rinjve në bujqësi, mospërputhja e objektivave të punësimit me trendin demografik dhe bilanci negativ i tregtisë ushqimore janë sinjale që kërkojnë një reflektim të thellë institucional. Më tej, eksperti theksoi se ndërtimi i një bujqësie që të përballojë konkurrencën europiane nuk mund të vijë vetëm përmes projekteve afatshkurtra, por mbi bazën e një vizioni realist dhe afatgjatë. Ai shtoi se vendimmarrësit duhet të orientohen nga treguesit realë, jo vetëm nga entuziazmi i planifikimeve në letër.
Cilat janë mungesat më të dukshme në tryezat “Bujqësia 2030”, sipas jush?
Konstatimi i parë që të bie në sy nga tryezat “Bujqësia 2030” është se, ndërsa pjesëmarrës janë politikbërës, akademikë e biznese, mungojnë fermerët me bijtë dhe bijat e tyre. Janë këta të fundit që do të merren me Bujqësinë 2030, e atë 2040, e 2050, që do t’i bëjnë ballë bujqësisë konkurruese europiane.
Si përputhet kjo mungesë me objektivat që janë shpallur në dokumentet zyrtare të zhvillimit rural?
Por ndërsa fermerët në tërësi e sidomos të rinjtë po pakësohen, në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA) Faza III 2025–2027 të miratuar nga qeveria, thuhet: “Mbështetja e fermerëve ku synohet zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij rural në Shqipëri, për të përmirësuar performancën e tyre ekonomike dhe kushtet e jetesës në zonat rurale, për t’i përgatitur këta sektorë për anëtarësimin e ardhshëm në BE, duke rritur: Numrin e të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim (nga 459 068 të punësuar të parashikuar në vitin 2025 në 495 073 të punësuar në vitin 2026); Aktivitetet promovuese të produkteve shqiptare në bujqësi, blegtori dhe agropërpunim; Rritjen e volumit të eksportit të produkteve bujqësore dhe të agropërpunimit nga 55.8 miliardë lekë në vitin 2025 në 59.7 miliardë lekë në vitin 2026.
A janë këto objektiva të përputhshme me realitetin demografik dhe ekonomik?
Të pretendohet zyrtarisht se brenda një viti numri i të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim do të shtohet me 36 mijë vetë, kur sipas INSTAT popullsia në moshë pune në vendin tonë në tremujorin e parë 2025 ishte 81 mijë vetë më pak se në tremujorin e parë 2023, pra në dy vjet, ose forcat e punës 15–64 vjeç u pakësuan gjatë së njëjtës periudhë me 41 mijë vetë, do të thotë se shkruesit e politikbërjes së mësipërme, të Programit Buxhetor Afatmesëm 2025– 2027, janë jashtë realitetit.
Po në lidhje me ecurinë ekonomike të bujqësisë në këto vite, cilat janë të dhënat kryesore? Çfarë ka ndodhur, në fakt, me ecurinë e produktit të brendshëm bruto gjatë dekadës së fundit në vendin tonë? Çfarë thonë të dhënat e INSTAT?
Nga të dhënat e INSTAT, rezulton qartë se rritja e produktit të brendshëm bruto nga viti 2021 në 2024 dhe në tremujorin e parë të vitit 2025 ka qenë në rënie. Po sipas të dhënave të këtij institucioni, prodhimi i brendshëm bruto në terma reale në vitin 2023 ka qenë sa 100% e atij në vitin 2013, pra nuk ka pasur rritje, dhe me rënien në vitin 2024 e 2025, aktualisht ai paraqitet më i ulët se në vitin 2013, rreth sa 95–96% e atij niveli.
A ka ndikuar kjo rënie në uljen e peshës së bujqësisë në ekonominë kombëtare?
Pra, këtu nuk është çështja se bujqësia në vitin 2024 ka rënë në 15.45% e PBB-së, por se kjo rënie është kushtëzuar nga moszhvillimi i saj, nga rënia e saj, sidomos pesë vitet e fundit.
A mund të thuhet se gjetja e rrugës së zhvillimit mbetet ende një sfidë?
Kur gjatë kësaj periudhe është konfirmuar se e kemi pasur “të vështirë të gjejmë rrugën e zhvillimit të vërtetë”, bëhet e qartë se gjetja e saj nuk qenka aq e lehtë – dhe aq më tepër kur kërkohet të arrihet ndërtimi i një bujqësie moderne, konkurruese europiane dhe brenda familjes europiane.
Si paraqitet bilanci tregtar i produkteve ushqimore dhe sa ndikon ai në konkurrueshmëri?
Një tregues tjetër sinjifikativ është padyshim ai i ecurisë së bilancit të eksport–importit. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e vazhdueshme e deficitit tregtar të grupit të mallrave “Ushqime, Pije, Duhan”, nga 71.8 miliard lekë në vitin 2020, në 102.8 miliard lekë. Kjo do të thotë se eksporti i këtyre grupmallrave, i cili është rritur nga 39 miliard lekë në vitin 2020, në 51.7 miliard lekë në vitin 2022 dhe në 53.3 miliard lekë në vitin 2024, nuk ka mundur të kompensojë rritjen e importit të këtyre grupmallrave. Natyrisht, situata dhe realizimi i konkurrueshmërisë së bujqësisë sonë bëhet më i vështirë brenda familjes europiane.
Si duhet të përballen institucionet me këtë situatë?
Realizimi i një diskutimi lojal është më se i nevojshëm se kurrë. Këto tregues makroekonomikë sinjifikativë ia vlen të mbahen parasysh nga pjesëmarrësit në tryeza gjatë ofrimit të sugjerimeve dhe rekomandimeve të tyre.
/Gazeta Panorama