Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’u shpëtuar borxheve, do të ekstradohet në Shqipëri.
Gjykata e Apelit e Perugias i dha dritën jeshile në maj të vitit të kaluar ekzekutimit të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar më 2 tetor 2022 nga gjykata e Shkodrës, që e dënoi me 4 vite burg me akuzën e mashtrimit, zjarrvënies dhe shpifjes.
Por të premten, ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, ka miratuar përfundimisht ekstradimin e tij në Shqipëri.
Biznesmeni ka folur për “Il Messaggero Umbria”, duke thënë se: “E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara”.
“Një vendim i vështirë për të pranuar, më bën të mendoj për një plan përndjekjeje. Nuk e kam mohuar kurrë të kem kryer krime në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve të tjerë”.
Ai ka njoftuar se do të nisë procesin për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Gruaja e tij është shqiptare, ata u martuan në dhjetor 2023. Ashtu si djali i tij. Sapo të marrë nënshtetësinë, ai do të heqë dorë nga shtetësia italiane sepse ndihet i “tradhtuar” nga vendi i tij, sipas mediave italiane.
Biznesmeni u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare ngritën alarmin për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. sn