Një muzg i qetë ende ruante ca rreze dielli që përtonte të rrëzohej në horizont…
Vendosa t’a shihja. Ishte një emision dokumentar mbi zhvillimet dramatike në Kosovë. Në dekadën e saj të përgjakur që mbyllte mijëvjeçarin.
Ma dërgoi një mik i mirë me sugjerim që ia vlente t’a shikoja, edhepse s’ishte nëvoja t’më thoshte.
Ndjek e lexoj me një frymë gjithçka të atyre moteve të zjarrtë!
Isha i kënaqur tek ndiqja intelektualë e kolegë pene që rikrijonin në kujtimet e tyre tragjikën, e njëkohësisht, rezistencën sublime shqiptare kundër okupatorit të egër serbian.
Por, duke përgëzuar autorin e vyer, s’mund të mos pikasja një disonancë nga harmonia e gjithësisë dokumentare.
Një nga folësit që evokonte kohën, mes tjerash, do të pohonte: “…kur dhashë lajmin për kalimin në amshim të komandantit legjendar…”!
Shpjegimi ngjan i tepërt mbi Personazhin e rrallë: është Adem Jashari!
Dhe, si një sëmbim, më doli i pashmangshëm theksi i zhgënjimit, e pra, dhe shkaku i distancës sime për shprehjen e pakuptimtë.
Kalimi në amshim parathotë një vdekje paqësore. Të qetë. Prozaike. Rrethuar me lot, fjalë të fundit, dhe përqafime plot dhimbje e ngeshmëri!
Por një të tillë ndërrimjete nuk e përjetojnë ndonjëherë gjeneralë a ushtarë në përpjekje e luftëra me armiqë.
Aq më pak të tillë do e kishte Komandanti i madh Jashari, në një betejë epokale. I vetëm kundër një rrethimi të hekurt nga ushtritë panumërta e gjakpirëse serbe!
Në këtë rast shprehja “shkoi në amshim” është e gabuar. Përtej akoma, injorante, meskine dhe e denjë për përbuzje!
Madje, të bëhet se i bashkohet njëj kori rimohuesish misionarë që i bien daulles së ç’heroizimit të tij!
Por ja, ky është përceptimi i historisë së re, që i mungon: ose dija a etika, ose, tutje, të dyjat bashkë!
Koha e injorantëve me pagesë është ngrirë e s’ikën dot!
Komentet