Gjatë ngjarjeve të vitit 1997, për rreth 3 muaj, punova si përkthyes me një grup gazetarësh japonezë të Japan Press International te perbere nga Sato Kazutaka, bashkëshortja e tij Mika Yamamoto dhe fotografi Keixhi.
Mbuluam ngjarjet e dhunshme dhe luftën civile në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Himarë, Dhermi, Prodin e protagonistët e atyre ngjarjeve, e më vonë në Tiranë konferencën për shtyp të general Forlanit, më pas në teatrin e Shkodrës një intervistë me Leka Zogun dhe më pas, për rreth një muaj, në malësinë e Dukagjinit, në Shalë , duke xhiruar një dokumentar të paparashikuar për Kanunin dhe virgjinat e malsisë.
Për tre muaj me rradhë kemi ndarë bashkë cdo orë e minutë, cdo kafshatë dhe cdo rrezik jete. Pas punës së lodhshme në mbrëmje luanim letra, bisedonim dhe kur ndjenim se nuk kishim fuqi të flisnim na clodhnin tingujt e muzikës japoneze që luante në organo bukuroshja Mika.
E imët, delikate, e embël… Dukej një paradoks i madh prania e asaj gazetareje trupvogël e ngarkuar ne qafe me disa kamera e aparate fotografikë, e në shpinë brenda cantës një organo e vogël elektronike, me mikrofon në dorë duke intervistuar banditë e vrasës, rebelë e ministra, monstra të krimit dhe oficerë të coroditur…Mika e imtë mes turmave të cartura e të dëshpëruara të viktimave të piramidave të manipuluar në dhimbjen e tyre nga politika.
Më kish lënë pa gojë guximi dhe profesionalizmi i asaj japonezeje që së bashku me bashkëshortin e saj Sato – një reporter i vjetër lufte ai- ishte në kërkim të lajmit të dorës së parë me kamerën e saj si dëshmitare okulare në ngjarje nga më të dhunshmet, përfshi edhe sulmin me diagac ndaj bankës në Vlorë, sulmin mbi bazën e Porto Palermos..etj..etj…
Sot pra i solla ndërmënd miqtë e mi dhe bëra një kërkim në internet. Ajo që mësova më tronditi pa masë dhe sytë m’u përlotën.
Mika nuk ishte më. Mikën e kishin vrarë. Mika ishte gazetarja japoneze që ishte vrarë ne Aleppo të Sirisë më 20 Gusht të vitit të shkuar (2013), përkrah Satos, nga një shkëmbim zjarri mes palëve ndërluftuese. Trupi dhe qafa e saj ishin bërë copë nga predhat. U shtanga, pasi e dija si lajm që një gazetare japoneze ishte vrarë në Siri, por kurrë nuk e kisha menduar që ajo ishte pikërisht Mika Yamamoto, mikja dhe bashkëpunëtorja ime e 3 muajve më të vështirë të jetës sime, vajza japoneze që u hyri në zemër të gjithë shqiptarëve që e njohën dhe familjeve që e strehuan në atë periudhë të vitit 97, që nga Cekodhimat e Vlorës (familja e dr Altinit që atehere ishte akoma student), familja e dajës së dr Ardian Halilit (Ymeraj) në Shkodër, apo edhe në shtëpinë (ish bibliotekë) e dy motrave Çarku në mos gaboj,( Maria njëra nga ato ) në Theth (Shalë) të Dukagjinit. Kudo u hyri në zemër njerëzve me thjeshtësinë dhe mirësinë që rrezatonte.
Duke lexuar lajmin për vdekjen e saj u befasova kur pashë që paska qenë një nga gazetaret më të njohura të Japonisë fituese e cmimeve më të mëdha të gazetarisë në Japoni dhe gjatë 4 viteve të fundit jepte mësime gazetarie në universitetet e Tokios.
T’u prehtë shpirti në parajsë mikja ime, Mika! Nuk do e harroj kurre te qeshuren tende, miresine e syve dhe embelsine e zerit tend …
Artan Gjyzel Hasani
Toronto, 2013
Info rreth Mika Yamamotos mund te gjeni ne linkun e meposhtem te wikipedias: