Fror, 2025
1.
Misioni i ri i Papës Franë
Ishin fillimvitet 90-të, shekulli i kaluar, kur Perdja binte ngadalë mbi dramën e perandorisë së kuqe. Njeriu dhe popujt e Europës frymonin thellë e lirshëm.
Një flamurtar i madh triumfi, Papa Gjon Pali i dytë, i kishte kushtuar një jetë betejës kundër komunizmit. Por do të deshpërohej së voni nga brutaliteti i rendit kapitalist…
Dhe shpresonte që sociologjia politike të gjejë një shteg të tretë.
Por, me sa di, një ndër më të shquarit e Papëve, nuk vente më larg. Udhën e tretë do t’a gjenin të tjerë. Jeta, koha dhe vetë dialektika e historisë.
Po këtë zhgënjim me rendin kapitalizmit liberal (sepse, ndryshe, e pëlqen të kontrolluar…) do t’a shfaqte dhe Papa Franë në Enzyklikën e parë, viti 2015, tek shprehej prerë: kapitalizmi vret…Dysia e tij përjashtuese është, pra, fatale: ose je konsument ose je asgjë, një hedhurinë në margjinat e jetës.
Ndaj dhe vjet (e mërkurë, 10. kallnor), duke bërë një hap përtej, do të shpallte një Platformë të re dialogu social, të quajtur “Dialop”, para audiencës në Vatikan.
Mos lejoni, u thoshte të pranishmëve, që financat dhe tregu i lirë të diktojnë ligjet e jetët tuaja.
Sa bukur, thashë. Parajsore. Ëndrra vetë!
Ndërkaq, pas një grimë kohe, mu duk tepër interesante afria ideologjike dhe kompanjonët e bashkuar që sheh ai në aradhën e shtegçelësve të rinj.
Të krishterët dhe, për çudi, marksistët, socialistët e komunistët, nënvizon Papa Franë, kanë mision të njëjtë: që mespërmes dhunës, luftërave e korrupcionit, të ndërtojnë në botë tjetër ku s’do të rezervohet sërish klasa e të përbuzurëve…
T’a bëjnë, pra, më në fund, atë botën ideale të Marsejezës për liri, drejtësi e vëllezëri, që vetë Zoti ëndërroi për njerëzinë.
Tani, krejt natyrshëm, pyetja dyshimtare: një aleancë e shenjtë me komunistët që fenë e cilësojnë një opium për popullin? Dhe që, të fronësuar një shekull në diktaturën e proletariatit, shënuan Orën më të errët njerëzore në histori?
Umberto Eco në esenë e tij “Katër shkrime morale” thekson se fashizmi i Duçes s’kishte fare ideologji, ashtu siç ishte ariozofia në Berlin, apo bolshevizmi në Kremlin.
Tani ç’ideologji do të ngjizej, vallë, nga kjo epruvetë e lëngut kontrastik?
2.
Profili i turbulluar
Vitet e hershme argjentinase vulosnin njëj patosi të zjarrtë social mendjen rinore të Jorge Mario Bergoglios dhe drejtësia strehonte në zemrën e tij.
Më pas, gjatë diktaturës juntiste të gjeneral Videlës (1976- 1983), do të ftillohej tek ai një personalitet kompleks e, shpesh, i dymoralshëm.
Në fakt, akuzohet për denoncimin e priftërve jezuitë Jalix e Xorio dhe heshtjen e dhimbshme të vjedhnajës së fëmijëve nga prehëri nënave të burgosura në kampet e vdekjes.
Por pati dhe të tjerë që e bekonin për korrektësi dhe mëshirë jezuitiste e, përgjithsisht, për kauzën e barazisë sociale.
Dhe, mbase, është ky fill i hollë ideologjie që, duke ndjekur atë në hymne e rrokullima jetëshkrimore, arrin deri në motin tonë.
E, ashtu si Dhéu mbi ligjet tek Monteskjë, ndikon akoma botëvështrimin e tij jashtë pelerinës së bardhë: një restitutio in integrum, e pra, një kthim i plotë në gjendjen e mëparshme, si do thoshin romakët e lashtë.
Që këtej, prandaj, dhe tharmi i lehtë majtist i një leksioni mbi atdhedashninë n’për flakët përdjegëse të një lufte…
3.
Atdhedashnia e padëgjuar
Bëhuni patriotë. Duajeni atdheun, refuzojeni luftën, mos i dilni në ballë armikut!
Kështu këshillonte Papa Franë rininë ukrajinëse.
Ç’ftesë e padëgjuar për dashurinë e çuditshme të atdheut: përmes nënshtrimit!
E pra, lëreni atdheun nën çizmen e okupatorit dhe, shtrënguar hekurash të tij, gëzojeni jetën…
Ja ky na qenkësh patriotizmi i vërtetë!
Mbase, sipas filozofisë kristjane, thirrja kundër dhunës e vrasjes është brenda doktrinës. Por adresa më ngjan e huqur.
I vete, ndaj, një mesazh qielli: të dobëtit që të dorëzohet, robit që të fatpajtohet, një populli të tërë që të prangohet.
Ndaj, thirrja dramatike e plot dhimbje, duhej t’i drejtohej popullit të heshtur rus.
Por asnjë fjalë për soc-imperialistët e Putinit, ku sovjetizmi dremit akoma fshehtas ëndrrën e zgjimit. Aq më pak një thirrje drejtuar poashtu rinisë ruse që, pikërisht ata, të sabotonin krimin e luftës pushtuese.
A nuk janë të njohura e të shumta mënyrat e tilla në histori? Rebelim, dezertim, kryengritje, përmbysje regjimi. Madje, si një akt i lartë moral, kalimi i ushtarëve rusë në anën e tjetër të fushëluftës. Në anën e drejtë të saj. Sepse a nuk i gjendet drejtësia hyjnore përherë pranë viktimës?
Kujtoj, së mbylluri, Albert Camu-në (tek “Letra mikut gjerman”) kur, në kulmin e orgjisë adolfjane, i thotë mikut të heshtur ariozofik: atë që nuk e bën dot disfata juaj, do t’a bëj fitorja jonë!
Ja pra, Papa Franë, ky do të ishte apeli më i drejtë, më i perëndishëm dhe më i krishterë për t’i dhënë fund luftës, gjakut dhe mortit në Ukrainë.
Çdo fjalë tjetër nuk është veçse hipokrizi dhe gjeopolitikë!
R.