Çfarë duhet të bënte një nacionalist e idealist kombëtar në një situatë të tillë? Prijësi plak e luftëtari gjysmëshekullor i lirisë, ndodhej si në mes të Shillës e Karibës së politikës!
Forcat nacionaliste, edhe pse të pakta dhe pa influencë të madhe në skenën e politikës shqiptare, u gjendën para një situate të paparashikuar. Edhe pse deri atëherë kishin pranuar të qëndronin nën hijen e PD-së në pushtet, për shkak të interesave të së djathtës, ata nuk mund të pranonin që demokratët, aleatë në pushtet, të operonin me mjete e stile të praktikuara dhunshëm nga komunistët në monizëm. I ndodhur përpara këtij fakti tronditës, idealisti kombëtar Abaz Ermënji, që udhëhiqte (jo pa probleme) Partinë e Ballit Kombëtar, refuzoi në mënyrë kategorike të shkelte në parlamentin e sapozgjedhur. Pra e refuzonte vendin e deputetit që i kishte rezervuar e “djathta” pas “fitores së bujshme”. Tek ky nacionalist, principet idealiste dhe respekti ndaj popullit, të cilin e konsideronte sovranin e vetëm, ishin mbi interesat e partisë së tij dhe mbi interesat e një vendi në parlament, paçka se i ëndërruar nga çdo idealist që kërkon t’i shërbejë Atdheut. Abaz Ermënji po jetonte një nga dilemat më tronditëse të jetës së tij në skenën e politikës e të nacionalizmit.
E dinte se kampi rozë i PS, megjithëse e sulmonte në mënyrat më të paprincipta, madje duke e quajtur Profesorin e moshuar deri dhe kriminel, do ta priste me brohori reagimin e tij. Çfarë duhet të bënte një nacionalist e idealist kombëtar në një situatë të tillë? Prijësi plak e luftëtari gjysmëshekullor i lirisë, ndodhej si në mes të Shillës e Karibës së politikës! Deri atëherë kishte jetuar me shpresën se e djathta nacionaliste do të triumfonte drejtësisht e ndershmërisht në Shqipëri. Po ky nuk ishte triumf. Ky ishte turp. E, për më tepër, marrje nëpër këmbë e popullit. Sovrani ishte kthyer në çirak dhe mbi zverkun e tij kalëronin dhunuesit e zgjedhjeve të lira. Abas Ermenji, komandanti i çetave nacionaliste, profesor universiteti në Francë , i cili me aq kompetencë kishte shkruar një libër madhor “Historia e Shqipërisë”, kish një dinjitet të lartë e nuk mund të lejonte që të shkeleshin parimet kushtetuese dhe parimet e lirisë, për të cilat kish luftuar tërë jetën. Si nacionalist ishte afruar fillimisht me forcat demokratike, por nuk kishte arritur të kuptonte në fillimet e pluralizmit, se Shqipëria kishte rënë viktimë e skemës së Katovicës për transferimin e pushtetit në të njëjtat shtresa të privilegjuara të kastës komuniste, iniciuar kjo në zyrat hijerënda të Komitetit Qendror të PPSH. Edhe pse antikomunist i sprovuar në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë dekadave të luftës së ftohtë, ai kishte pranuar që t’i afrohej aleancës së djathtë, në qendër të së cilës ishte Partia Demokratike edhe pse në udhëheqje të kësaj force politike qëndronin ish-komunistë dhe pinjollë të baballarëve që për gjysmë shekulli terrorizuan popullin shqiptar. Idealizmi kombëtar dhe besimi në triumfin e demokracisë e vuri Abas Ermenjin në një front me ata që lirisë, demokracisë dhe vetë popullit ia kishin me të keq.
Abas Ermenji nuk arriti ta nuhaste lojën e prapaskenave, nuk arriti gjithashtu të mblidhte rreth vetes përkrahës idealistë. E kështu partia e tij, kundërshtarja më e rreptë e Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, mbeti një formacion politik i zbehtë e me rol periferik. I ndodhur në një gjendje ku e ashtquajtura “e djathtë” tek e cila mbahej shpresa i kish tradhëtuar idealet e tij, luftëtari plak i lirisë nuk mund të bëhej pjesë e një loje cinike. Ai nuk mund të hynte në atë Parlament, i cili nuk e kishte legjitimitetin e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit. Me popullin ishte luajtur. Populli ishte tradhëtuar e për më tepër, ishte nëpërkëmbur. Abas Ermenji ishte ndodhur përballë plumbave, por syri nuk i ishte trembur sepse e kishte taksur jetën për idealin. Por tani, në pleqëri të vonë, kur mendoi se arriti ta shohë e jetojë atë ditë të bardhë të çlirimit të njeriut prej dhunës, për të cilën luftuan por nuk e arritën burra të ndritur të kombit si Mit’hat Frashëri, veterani kombëtar papritur, në maj 1996, ndjeu se diçka brenda tij po thyhej. Luftëtari u lodh, u kërrus, sytë iu mbyllën me dhembje sepse nuk mund të shihte se si po kryqëzohej si Krishti, për të dytën herë, ideali i tij kombëtar e populli i tij të përgjunjej e të poshtërohej. Demokrati Abaz Ermënji, i ndodhur në mes të dy forcave të errëta të rrjedhës bashkëkohore kombëtare, vendosi që si një kapiten i besnik, të mbytet bashkë me anijen e tij, pa ambicje për të dalë në bregun e kompromiseve të pamoralshme. U ul e shkroi, ashtu si dikur ishte shkruar Dekalogu i partisë së tij nacionaliste Balli Kombëtar, Promemorjen e denoncimit të farsës së zgjedhjeve të 26 majit 1996, denoncimin e mashtrimit cinik që iu bë popullit shqiptar, refuzimin e vendit të deputetit në parlamentin e turpit dhe hipokrizisë, duke e lënë kështu pas vetes këtë akt të lartë qytetar, si testamentin e tij të fundit politik. Kohë më pas, veterani kombëtar Abas Ermenji, do të mbyllte sytë në Paris, i lënë në harrim si atëherë dhe sot e kësaj ditë, sepse ishte më shumë idealist kombëtar se sa duhej në këtë epokë mjerane, kur shkëlqimi i përket yjeve të korrupsionit të politikës dhe klaneve mafioze, me ose pa pushtet.
Boston, Qershor 2004
Komentet