Ishte viti 1986. Në radio “Tirana” u organizua një konkurs për tregimet humoristike.
Çmimin e parë e mori Filip Çakuli.
Për dhënien e çmimeve u organizua një shfaqje televizive.
Gazetari pyeti:
-Ku e gjeni humorin?
-Humori më gjen vetë. Do një fakt? Një javë më parë u organizua një takim për fushatën e korrje-shirjeve në Lushnjë.
I deleguar, shoku Pali Miska, ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Byrosë Politike.
Shoku Pali tha tre gjëra me shumë rëndësi :
-Së pari: Gruri mbillet në tokë.
-Së dyti: Kur piqet, korret me autokombajnë.
-Së treti: Buka e grurit bëhet me miell gruri?!
Ka humor më të bukur,- tha Filipi,- duke e bërë të dridhej komplet TVSH-në…
Një ditë më vonë, në redaksinë e gazetës “Bashkimi” shoku Pali Miska, dërgoi dy sekretarë të tij. Në një dosje të kuqe mbanin një raport me 40 faqe:
-Ja, shoku kryeredaktor! Këto lexoi në seminar shoku Pali?! Jo broçkullat që thotë Filip Çakuli?! Mblidhuni. Diskutoni, dhe na dërgoni një raport…
Dënimi? Edukim në Dibër? Duke qënë shef, unë e shoqërova për në Peshkopi…
Ndërsa makina “rënkonte” në të përpjetat e Qafë Buallit, më thotë Filipi:
-Mitro Xhani! Populli thotë: Një fije e ndan të mençurin nga budallai. Edhe humori qëndron në sinorin mes tragjikes dhe komikes!