Historianët britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vickers, kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje sa i përket vitit të errët 1997 dhe rrëzimit të Sali Berishës nga pushteti. Në librin e tyre
“Çështja Shqiptare, Riformësimi i Ballkanit” (The Albanian Question: Reshaping the Balkans), ata kanë rrëfyer mbi rolin e Arben Imamit në përmbysjen e Berishës nga pushteti. Sipas përshkrimeve që bëhen në libër, Imami ka qenë një ndër kundërshtarët më të fortë të Sali Berishës, edhe pse sot është deputet i Partisë Demokratike.
Dy historianët kanë treguar për lidhjet e tij me banorët e Jugut në ’97-ën, të cilët nisën protestat e para anti-qeveritare pas falimentimit të firmave piramidale. “Me një iniciativë individuale, një nga krerët e Partisë Aleanca Demokratike, Arben Imami, shkoi në Sarandë nëpërmjet kanalit të Korfuzit në përpjekje për të nisur bisedimet me drejtuesit vendorë. Kjo iniciativë e mbështetur nga grekët ishte më e suksesshme dhe çoi në daljen e shpejtë të Bashkim Finos, kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, si një udhëheqës i ri në shkallë vendi”, thuhet në librin e tyre. Ashtu si ta edhe shumë historianë të tjerë i kanë dhënë një rëndësi rolit të Imamit, i cili gjatë protestave për rrëzimin e Sali Berishës është dhunuar edhe fizikisht. Madje ka dhe prova që ka hipur mbi një tank në trazirat e ’97-ës.
Mbledhja e pajtimit
Rrëzimi i Sali Berishës nga pushteti në ’97, solli mjaft trazira dhe tensione. Firmat piramidale kishin ndezur gjakrat e qytetarëve shqiptarë nga Jugu në Veri. Opozita e asaj kohe ishte bërë palë me qytetarët për të rrëzuar Berishën nga pushteti. Për të sheshuar tensionet, konfliktet, ndërkombëtarët u vunë në lëvizje të pajtonin dy klasat politike, si dhe rebelët e Vlorës të cilët kërkonin largimin e Berishës. Në këtë atmosferë tensioni, ambasadori italian, Paolo Foresti, tentoi të pajtonte socialistët dhe demokratët në bordin e një anijeje, por bisedimet u bojkotuan nga demokratët. Berisha nuk pranonte dialog, por kërkonte pushtetin me dhunë dhe forcë. Edhe rebelët e Jugut pranuan armëpushimin.
Vetëm Berisha nuk njihte zemëratën e popullit, por i interesonte të mbante pushtetin me çdo kusht dhe manovër. “Në bashkësinë e ndërkombëtarëve, rrjedhja e ngjarjeve në Shqipërinë jugore po shihej me një alarm në rritje sidomos midis fqinjëve aktualë të Shqipërisë. Frika e përhershme e ndonjë eksodi masiv të popullsisë ishte në qendër të vëmendjes politike. Më 4 mars një anije luftarake italiane voziste brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe në javën pasardhëse ambasadori italian në Shqipëri, Paolo Foresti, u përpoq të fillonte bisedimet midis krerëve politikë të Tiranës në bordin e anijes. Midis njerëzve që ai mblodhi atje nuk kishte përfaqësues të udhëheqjes kryesore të PD, ndërsa nuk mungonin ata të PS”, thuhet në libër.
Komentet