17:01
Hill: Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në
Tani Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Hashim Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha Hill për takimin e parë me Thaçin.
I pyetur nëse kishte përshtypjen nëse Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill thekoi se nuk kishte bazë për një gjë të tillë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por, nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që në kishte kontroll këtë organizatë të madhe, ose që drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, tregoi ai.
16:46
Hill thotë se UÇK-ja donte që ajo të ishte zëri i Kosovës, jo Rugova
I pyetur nga mbrojtja se cilat ishin synimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hill tha se ajo donte që vetë UÇK-ja të ishte zëri i Kosovës dhe jo Ibrahim Rugova.
“UÇK-ja donte të punonte me Shtetet e Bashkuara sepse mendonte se ato mund t’i ndihmonin Kosovës ta fitojë pavarësinë afatmesme”, tha Hill.
“Mu krijua përshtypja se ata nuk donin të punonin me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ata bënë çfarë mundën që ta prishnin reputacionin e LDK-së”.
“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, shtoi ai.
I pyetur nëse UÇK-ja e kishte synim përfundimtar ta udhëhiqte Kosovën, Hill u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar këtë konkretisht, por çfarë kam dëgjuar se ata donin autonomi dhe të ishin të pavarur”.
16:37
Hill: UÇK-ja nuk ishte strukturë me organizim hierarkik
I pyetur nga mbrojtja e Thaçit nëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte strukturë vertikale me organizim hierarkik, Hill tha “jo”.
16:07
Hill thotë se kontakti i tij i parë me UÇK-në ndodhi në verën e ’98-ës
Hill tha se kontakti i tij i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ndodhi në verën e vitit 1998 në Tiranë të Shqipërisë.
“Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me UÇK-në. Duhet të shtoj se kam punuar për një kohë në këtë drejtim pa pasur sukses dhe arritëm në përfundim se nuk kishte një udhëheqje të tillë. Pra, këtu bëhej fjalë për një grup njerëzish në nivel vendor, që ishte përshkrim shumë më i saktë i asaj me të cilën po merreshim ne”, tha Hill, duke iu referuar UÇK-së.
Ai shtoi se në Tiranë takoi “dikë që na e kishin përshkruar si kreun e UÇK-së”.
“Unë dhe kolegët e mi erdhëm në përfundim se ai vepron brenda kësaj lëvizjeje, por nuk mund të flasë në emër të UÇK-së. Ne vazhduam punën për të gjetur njerëz që mund të flisnim si përgjegjës për këtë. Shkuam në verë dhe vjeshtë të ’98-ës në Likoc”, tregoi Hill.
Hill tha se nuk i kujtohej emri i personit të parë nga UÇK-ja me të cilin ishte takuar, por i kërkoi avokatit që e merrte në pyetje për t’i thënë ndonjë emër.
Avokati e pyeti nëse ishte Xhavit Haliti, dhe Hill i tha se “po”.

