U linde
n’at vit të tymosun,
në dhimbje, kur njerzia
mes vetes si bishë ish kacafytë.
U rrite,
mjerimesh i brumosun.
N’fëmini ty prore1) uria
të mësoi kët shekull t’ndytë
m’e urrejt’ e m’e dënue.
Krenar,
që shkëlqimi gënjeshtar
i kësaj bote t’shkrryeme2)
ndër balta monedhore,3)
s’mundi
mbas vetes me t’fhjekë zvarrë,
Vlla, kur syte i kthyeme
ndaj të rejat llogore,
premtuem bashkë na me luftue.
Atëherë,
të dy na ecëm nëpër botë,
kudo tue pa mjerime
që zemrën peshë na e çojshin.
Na thanë:
«Lodhja juej, djelm, asht e kotë,
pse nuk shkoni ndër gëzime?»
E rrugën tonë m’e premun dojshin,
ata që n’pupla jetën kanë kalue.
Vazhduem.
Shkrepat e vrazhdë tu’ kapërcye.
për me arrijtë dikur n’fitore.
Por, ah, se rruga, shok, të lodhi!
Kujtuem
se n’vrull të ri jetën me msye
do t’mujshim dorë për dore,
por, ah, se frymën vdekja të vodhi
e luftën s’mundëm bashkë m’e vazhdue. ..
I vetëm
do t’kthehem rishtas n’ato ana
ku lufta që, heu, s’mbarove
n’shkambinj të rrebta presin.
Flamurin,
që n’zi të bukës me lot qendisi nana
e që t’pash’ unë se vajtove,
mos druej, pa krah ai kurrë s’do t’jesi,
bri timit pror kryenaltë ka me value.
—
1) orë e çast,
2) fëlliqur
3) nga monedhë, pare
Komentet