Konklava që do të zgjedhë Papën e ardhshëm është më globale se kurrë më parë, sipas një analize të Vatican News. Nga 135 kardinalët me të drejtë vote në Kolegjin e Kardinalëve, përfaqësohen 71 shtete nga pesë kontinentet.
Më shumë se 3/4 e tyre, konkretisht 108 kardinalë, janë emëruar nga Papa Françesku, 22 nga Papa Benedikti XVI dhe pesë nga Papa Gjon Pali II, të cilët përshkruhen si “veteranët e konklavës”. Këta pesë janë: Philippe Barbarin nga Franca, Josip Bozanić nga Kroacia, Vinko Puljić nga Bosnja dhe Hercegovina, dhe Peter Turkson nga Gana.
Në 12 vitet e papatit të tij, Papa Françesku ka transformuar përbërjen e Kolegjin e Kardinalëve, duke e bërë atë më pak të përqendruar në Europë dhe më të përfaqësuar në nivel ndërkombëtar. Kjo pasqyron dëshirën e tij për të zhvendosur qendrën e gravitetit të Kishës Katolike drejt Jugut Global dhe për të rritur zërin e “periferive”.
Për herë të parë, 12 vende do të përfaqësohen me kardinalë votues në konklavë, përfshirë: Haitin, Kepin e Gjelbër, Republikën e Afrikës Qendrore, Papua Guinea e Re, Malajzia, Suedia, Luksemburgu, Timori Lindor, Singapori, Paraguaji, Sudani i Jugut dhe Serbia.
Europa ruan një prani të fortë me 53 kardinalë votues, përfshirë këtu 19 italianë, 6 francezë dhe 5 spanjollë. Megjithatë, pjesa tjetër e botës tejkalon Europën me 37 kardinalë nga Amerika (16 nga Amerika e Veriut, 4 nga Amerika Qendrore dhe 17 nga Amerika e Jugut), 23 nga Azia, 18 nga Afrika dhe 4 nga Oqeania.
Pavarësisht shumicës europiane, ndikimi i kontinentit në vendimin për Papën e ri është relativizuar ndjeshëm. Rritja e përfaqësimit nga Amerika Latine dhe Azia reflekton një Kishë gjithnjë e më globale.
Kardinali më i ri është Mikola Bychok nga Australia me origjinë ukrainase, 45 vjeç. Më i moshuari është Carlos Osoro Sierra nga Spanja, 79 vjeç. Vetëm gjashtë janë lindur në vitet ’70, ndërsa shumica janë lindur në vitet ’40 dhe ’50, me kulmin në vitin 1947, ku 13 kardinalë janë në moshën 77-78 vjeç.
Një total prej 33 kardinalësh i përkasin 18 urdhrave të ndryshëm fetarë. Më të përfaqësuarit janë Salezianët me pesë anëtarë. Ndjekin Françeskanët dhe Jezuitët me nga katër secili, si dhe Françeskanët Konventualë me tre. Të tjerë vijnë nga urdhra si Domenikanët, Redemptoristët, Misionarët e Fjalës Hyjnore, Karmelitanët, Klaretianët, etj.
Nga 135 kardinalët me të drejtë vote, dy nuk do të marrin pjesë për arsye shëndetësore, duke e ulur numrin e votuesve efektivë në 133. Panorama