“Aposteriori”, njëra,
“apriori”, tjetra,
në këtë vend, dy parti,
e treta, ( ç’mund të jetë? ) – dy korsi,
njëra korsi nga partia e majtë,
tjetra nga partia e djathtë,
nëpër këto korsi zakonisht vetura kohore dhe si arketipa,
në trajtë kurrizësh të përulur të karakterit alumin,
në trajtë gungash- nyje të adhurimit pagan të liderit,
në trajtë kokërdhokësh sysh rrotullues
të matrapikut qeverisës,
në trajtë bunkerësh dikur- kafka në pëllëmbë sot,
në trajtë grushti betues në tru, “Bunk’t Arts in Tirana “-
statuja e grushtit në tru) ,
në trajtë vithesh të ngritura femrash në palestra kodoshësh,
në trajtë portofolësh të tejfryrë me para taksapaguesish,
transaksionesh bankare a duarsh të enjtura lypsash,
në trajtë thasësh me miell nga grurë imagjinarë qerpikësh
për fushata elektorale,
në trajtë vetullash (anal)istësh, poetësh, muzikantësh spiunë,
në trajtë hapash të llogaritur të përndjekurish
me vesin e ndjekjes jo të hijes biologjike,
në trajtë gishti të mesit me kënd poshtërisht,
i ngjashëm me thikën e ngulur pas shpine,
në trajtë dosjesh të fryra të krimit komunist, postkomunist,
të ish pronarëve dhe dorëshkrime nga burgologjia,
në trajtë fytyrash me skalpe të rjepura- për maska,
në trajtë buzësh të mbledhura në pasqyrën
e magjisë së pashmangshme ,
në trajtë mjekra femrash shtriga në Lidhjen e Shkrimtarëve
dhe Artistëve dikur si dhe sot nëpër redaksi revistash,
asosacione grashë, zyra noteriale, drejtori arsimore e gjetkë,
në trajtë qesesh me drogë dhe sisash me selikon nën mish,
në trajtë kokash gjarpërinjsh uji, dhe nga shëmbëllesa e kresë
e atij rucgezetari bukëshkalë dhe syqen,.
në trajtë librash të ngopur me ujin e rrugës së pangopur,
në trajtë këpucësh stresi dhe ankthi, në susta shkelin,
në trajtë faqesh fytyrëformuese sikur retë,
në trajtë ylberësh partiakë me trupa nëpërkash-
leqe të ngrehura,
në trajtë shuka letrash në fytyrë
kundërshtarëve në parlament,
në trajtë arkivolësh – varka të shpëtimit në detin e lotëve,
në trajtë presjesh të interesave dhe pikash të përfitimeve,
në trajtë ministrash me të dashurat e tyre salduar,
në trajtë gjëndrash të kancerit dhe toptha dhjami nën lëkurë,
në trajtë bisht qeni nga e drejta e vonuar pa fund
dhe kapja e veshit nga mbrapa e reformës në gjygjësor,
në trajtë dhe pa trajtë.
Dy parti në këtë vend,
e treta, (ç’nuk mund të jetë… ) – “ hardhucë- rrugë”
me këmbë anash,
të dyja partitë vetëm mish hanë,
mish dhe në tulet e milingonës,
kokën e insektit shpesh me prapanicën duke e ngatërruar,
për mishin zihen,
njëra parti,
për tulin e kockës,
kur në pushtet a në mazhorancë,
tjetra parti,
për kockën e tulit,
kur në në opozitë a në minorancë,
llokmat e ndenjura- kapituj
nga platforma elektorale e secilës,
sa më shumë “militantë-insekte” lloj-lloj të grumbullohen.
Pluralizëm- polifem,
polifem-pluralizëm gjer më tash këtu nga dhjetra vite,
njëra parti popullin ha
pastaj këlyshët e vet,
tjetra këlyshët e vet,
pastaj popullin,
të dyja vetëm mish hanë,
mish pa gjak.
Njëra parti,
gjakut,
rruazat e kuqe ia çvat,
në ujë i fut një për një,
në lëng bezën e vet e zien,
i fryn zjarrit, i fryn flakës me karthija e dru eshtrash
të të vrarëve,
të të mbyturve,
të të vetëvrarëve,
pse jo dhe të të treturve të gjallë,
dhe ja flamuri i asaj.
Tjetra parti,
gjakut,
rruazat e bardha ia grabit,
në lëng i fut një për një,
në lëng, pasi uji i saj me pigment boje,
prej muresh të shembura,
drita sysh me këpucë shkelur,
ëndrrash të qelbura,
bezen e vet e fut,
llumin nuk e zjen,
fort mirë e di “politikën- krokodil”,
a në pozitë lart,
a në opozitë poshtë,
dhe ja flamuri i kësaj.
Flamë- flamur,
flamur- flamë i secilës parti gjer më tash.
Nga kjo, (ç’mund të jetë ?), (ç’nuk mund të jetë…),
kjo ngjan,
ngjan kjo,
sikur pulave puplat nga flama gjatë ngordhjes,
rruazat e kuqe nga flamuri i njërës parti bien,
një për një shkëputen,
rruazat e bardha nga flamuri i partisë tjetër shkëputen,
një për një bien.
Gjaku gjak,
vetëm tek Flamuri Kombëtar.
Shpjegim fjalësh:
-aposteriori (lat a posteriori)- nga ajo që vjen
-apriori (lat a priori)- nga ajo që është përpara.
Komentet