Nuk ka asnjë marrëveshje të afërt mes Hamasit dhe Izraelit – raportojnë mediat izraelite, duke cituar burime të njohura me çështjen, të cilat theksojnë se për momentin çdo zhvillim duket jorealist.
Në sfondin e ngërçit të negociatave për lirimin e pengjeve, një prej burimeve ka deklaruar: “Si kusht themelor për t’u rikthyer në negociata, Hamasi kërkon që të lejohen 600 kamionë ndihma në ditë – më shumë sesa do të kishte marrë edhe në një marrëveshje të pjesshme.”
“Shanset për një marrëveshje të plotë janë të pakta,” shtoi burimi, duke lënë megjithatë të hapur mundësinë për një rikthim në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë Hamasi ka deklaruar zyrtarisht se nuk do të dorëzojë armët përveç nëse themelohet një shtet palestinez i pavarur dhe sovran, me kryeqytet Jeruzalemin.
Në deklaratën e publikuar nga organizata, thuhet se “rezistenca e armatosur nuk mund të braktiset veçse me rikthimin e plotë të të drejtave tona kombëtare dhe më e rëndësishmja prej tyre është krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe sovran, me Jeruzalemin si kryeqytet”.
Hamasi publikoi sot një video të dytë të pengut izraelit Evyatar David, pas asaj të parë të shpërndarë të premten. Edhe kjo video ka për qëllim të krijojë paralele me situatën humanitare aktuale në Gaza dhe thekson, veçanërisht përmes imazhit të një orë rëre, nevojën për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt nëse Izraeli dëshiron të shpëtojë jetën e të burgosurve.
Videoja e re zgjat rreth pesë minuta, por autenticiteti dhe data e regjistrimit nuk mund të verifikohen. Pengu duket i dobësuar dhe i rraskapitur. Evyatar David thotë se nuk ka ngrënë prej ditësh dhe nuk e di çfarë do të hajë. Duke folur drejtpërdrejt në kamera nga një tunel, ai shprehet se është 27 korrik, ora 12:00. “Ha vetëm thjerrëza dhe fasule,” deklaron ai, dhe shton: “Ndihem i braktisur.” sn