Ekrem Rexha me zonjën e tij Hajrie Millaku Rexha, kur thurnin ëndërra për të ardhmen në Kosovën e çliruar!
Bashkëshortja e Ekrem Rexhës – komandant “Drinit, zonja Hajrie Millaku-Rexha, tregon se me Ekremin është njohur pesë vjet para se të martoheshin.
Ekremi ka qenë një njeri i formuar, inteligjent dhe shumë i afërt. U martuam dhe u kurorëzuam në flakët e luftës. Edhe në luftë jeta jonë vazhdoi, të bindur se nëse e mbijetojmë luftën, në liri do ta gëzojmë jetën me fëmijët tanë.
Por ja fati e deshi, Ekremit ia morën jetën në moshën më të mire, kurse unë mbeta në gjysmë të rrugës, pa më të dashurin tim – shokun e jetës sime.
Jam krenare që pata një njeri e bashkëshort të tillë. Edhe pse me zemër të thyer përsëri jam e kënaqur se Ekremi m’i la dy djem sokola, Drinin dhe Ekremin, të cilët do t’i ruaj, do t’i rris e edukoj ashtu siç dëshironte bashkëshorti im-Ekremi.
“Në mëngjes unë dola për t’i kryer punët e mëngjesit, kurse Ekremin e lashë duke lozur me Drinin.
Ai orët e para të mëngjesit ia kushtonte Drinit, luante me të, sepse gjatë ditës nuk kishte kohë, ishte i zënë me punë.
Edhe atë ditë që e vranë e mori Drinin në krah dhe duke e përqafuar doli në ballkon.
Më tha thirre Naimin (Naim Malokun) se rreth orës 10.00 duhet të shkojmë në Pejë, në tubimet përkujtimore të dëshmorëve të fshatit Radavc e Tërstenik.
Duke e shikuar ftesën me fotografi të dëshmorve, si në kujtim tha: “Kjo është hera e fundit që do të marr pjesë në tubuimet përkujtimore. Nuk po mund t’i shikoj fëmijët e dëshmorëve, zemra po do të më plas.”
(Pasi do të nisej së shpejti për në Kanada për të ndjekur studimet për Doktoraturë – shënim i redaksisë voal.ch)
Pasi pimë kafe, u nis drejt te vetura, por u kthye menjëherë shumë i mërzitur.
Tha përsëri ma kanë shpuar gomën e veturës.
Posa doli nga dera e oborrit u dëgjuan rafalet, ndërkaq një veturë e kuqe iku me të shpejtë.
Mua më lëshuan këmbët dhe e luta Zotin të mos jetë e vërtetë ajo që po mendoj.
Ruzhdiu e kishte kapur Ekremin dhe mundohej t’i jepte ndihmë.
Me një veturë e dëguan në ambulancën e KFOR-it gjerman. Pas një ore erdhi kunati Ruzhdiu dhe na njoftoi e na shprehu ngushllime se Ekremi vdiq nga plagët e marra. Përfundimisht i humbëm shpresat se Ekremi do ta mbijotojë këtë atentat. Ekremin nga afërsia e kishin goditur me 17 plumba, 3 në kokë e 14 në trup.”


Komandant Ekrem Rexha luajti edhe atë mëngjes me Drinin e vogël, 10 muajsh, që mbante emrin e luftës të të jatit, ndërsa Ekremi do të lindte tre muaj pas vrasjes të të jatit dhe mban emrin Ekrem Rexha!
Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren
Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren. Kjo vrasje pati ndodhur në rrethana misterioze. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, edhe pas angazhimit, ka dështuar për gjetjen e vrasësve të tij.
20 vjet pas vrasjes së tij, familjarët ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”. Ruzhdi Rexha, vëllai i “Drinit”, tregon se dëshira e familjes është që kjo vrasje të ndriçohet sa më shpejt. “Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje”, thotë Rexha, shkruan “PrizrenPress”.
Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, u vra para shtëpisë së vet në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, sa po punonte drejtor për Emergjencë në Komunën e Prizrenit. Sapo kishte dalë në oborr ta ndezte veturën për të shkuar në punë dhe po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit e cila ishte shpuar qëllimisht, ishte qëlluar me armë automatike.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren, janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për ta zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e Dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren që, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.
Gjykata Speciale pritet ta rikthejë rastin e vrasjes së “Drinit”. Ajo në dhjetor të vitit 2018 ka ftuar dëshmitarin kryesor të këtij krimi, Remzi Shalën. Ai nuk i ishte përgjigjur ftesës. Në vitin 2002 Shala ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qenë një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.
Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij. Pas vrasjes së komandant “Drinit”, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut dhe shefit të tij. Remzi Shala nga Suhareka u pat vetëdeklaruar se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë.
Njëra nga vrasjet më misterioze që pati tronditur Prizrenin pas luftës ka qenë vrasja e komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’.
Vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha, ka humbur besimin në drejtësi. “Në atë kohë ishte UNMIK-u. Edhe pse i mbajti dy procese, dështoi në zbardhjen e vrasjes së ‘Drinit’. Ne jemi djegur dhe nuk e di a mund t’i besojmë më profesionalizimit të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ai për “PrizrenPress”.
Ai thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar dy herë në gjetjen e vrasësve të “Drinit”. “Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë që kjo vrasje të zbardhet nga organet tona. Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje. Për ne është e rëndësishme që të zbardhet vrasja, pavarësisht se kush e bënë, vendorë apo ndërkombëtarë“, shprehet ai.
Komentet