Gentian Çala, mjek psikiatër, foli nga foltorja e opozitës duke denoncuar atë që e quajti një regjim që prodhon padrejtësi dhe mbron të korruptuarit. Ai theksoi se në Shqipëri dënohesh për shkelje të vogla, ndërsa abuzimet e mëdha me ndërtime, energji, drogë dhe buxhet mbeten të pandëshkuara.
Çala:
Mirëmbrëma i nderuar profesor doktor Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Mirëmbrëma presidenti i Partisë së Lirisë, zoti Ilir Meta. Regjimi i këtyre këtu mbas kurrizit tim dhe të gjitha regjimet kudo që janë, prodhojnë padrejtësi.
Ne sot jetojmë në vendin ku dënohesh për kasollën, por nuk dënohesh për kullat shumëkatëshe. Jetojmë në vendin ku dënohesh se nuk ke të paguash energjinë, po ku një pakicë e lidhur me qeveritarë, e në disa raste me para të pista, të merr tokat dhe ujin për të ndërtuar prodhues energjie. Jetojmë në vendin ku dënohesh për 10 gram drogë, po nuk dënohesh nëse ti mund të shesësh drogë në të gjithë Evropën. Jetojmë në vendin ku milionat e buxhetit ikin lumë dhe të merr lumi nëse ke një hall shëndetësor.
Jetojmë në vendin e reformës në drejtësi, ku qytetarëve tanë, neve, na duhen dekada që të marrim vendime në një gjykatë. Jetojmë në vendin ku qeveria mbron të korruptuarit e saj dhe burgos viktimat e tij. Si unë, besoj që mendojnë shumë prej jush, në këtë shesh edhe kudo. Por ka nga ata që kanë vendosur të heshtin, megjithëse janë të vjedhur, të shtypur, me të drejtat të nëpërkëmbura dhe me liri të vjedhura.
Ka nga ata që frika i ka bërë të bashkëjetojnë me të keqen. Unë besoj që në vend të bashkëjetesës me të keqen duhet të zgjedhim përballjen dhe luftën ndaj saj. Në qeveri, në parlament, në institucione, në rrugë, në sheshe, kudo. Mua më vjen keq edhe këtu shikoj që opozita është e ndarë.
Dikush në një cep dhe ca të tjerë këtu. Në fakt opozita nuk mund të jetë me llogaritje. Opozita është çështje e zemres dhe besimit dhe ata që duan duhet të jenë në një shesh të gjithë bashkë. I bëj thirrje intelektualëve dhe qytetarëve të lirë të këtij vendi që të reagojnë, të flasin, të protestojnë, jo për mua, as për ju nëse doni, po për familjet e tyre, për vendin.
Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe nuk mund të heshtim nëse vendi shuhet përditë e shpopullohet. Andej nga vij unë, qytetet janë bosh. Ne nuk mund të heshtim nëse vidhet pa skrupuj, nëse trajtohet gjithçka si pronë e si plaçkë. Ne nuk mundet, nuk duhet të rrimë duarkryq duke thënë, çfarë më duhet mua. Shihni popujt e tjerë në Ballkan, në Greqi, në Rumani, në Bullgari, se si protestojnë për subvencionet bujqësore, për buxhetin, për investimet e korruptuara që marrin jetë, apo për drejtësinë e korruptuar. A janë më të mirë se ne? Sigurisht që jo. Po ata mund të jenë dhe më pak të vjedhur e të shtypur sesa ne, por protestojnë.