I përcaktuar mot e jetë si “një fuçi baruti”, Ballkani s’ka pse të jetë i tillë tani, sidomos kur flitet për një ndeshje futbolli. Lufta e vërtetë, ajo me viktima dhe shkatërrime të fundbotshme, edhe pse vazhdon të jetë e pranishme nëpër zona të ndryshme të botës, siç po ndodh veçanërisht në Siri, nuk do të thotë të ringjallet në gadishullin tonë, më në fund “të qetë”, aq më tepër prej një ndeshjeje futbolli, si kjo e kësaj mesjave në Elbasan, ku serbët, ndryshe nga një vit më parë kur u sollën si barbarë në fushën e tyre, duhet ta kenë kuptuar se këtë herë do të vijnë për të luajtur dhe jo për t’u kacafytur, siç e kemi zakon ne ballkanasit.
Fakti që UEFA ka caktuar për të drejtuar ndeshjen e 8 tetorit në Elbasan, Shqipëri-Serbi, arbitrin italian Ricoli, pikërisht atë që më 2013-ën gjykoi finalen e Ligës së Kampioneve të Europës, ndërsa vitin e shkuar finalen e Botërorit 2014, mes Gjermanisë e Argjentinës, tregon më së miri për atë se çfarë rëndësie i jep institucioni më i lartë i futbollit europian ndeshjes në fjalë, së cilës, duke ia besuar drejtimin një profesionisti të afirmuar botërisht për aftësinë e tij, kërkon të shmangë sadopak, ndonjë shkëndijë që shumëkush ka frikë se mund të ndizet pranë “fuçisë së barutit”. Por, edhe masat e tjera, të papara në të kaluarën, kur vëzhgues dhe punonjës të sigurisë së UEFA-s, prej ditësh kanë zbarkuar në stadiumin e Elbasanit për të shmangur çdo rrezik që mund t’i kanoset një ndeshjeje të tillë futbolli, flet për atë se, askush nuk është i interesuar që të përsëriten skena horror, të ngjashme me ato të Beogradit vitin e kaluar, gjatë ndeshjes së parë që u luajt mes përfaqësueses serbe dhe asaj shqiptare. Këtij qëllimi, për ta bërë edhe më të sigurt mjedisin futbollistik të së enjtes së kësaj jave, i kanë shërbyer edhe gjithë ato masa të shumta të organeve tona drejtuese dhe organizative, duke përfshirë madje, veç forcave të panumërta policore, edhe shërbimin informativ shtetëror, që kështu siç po shihet e propagandohet, ngjanë me të vërtetë sikur të jemi para një lufte të vërtetë dhe jo si para një ndeshje futbolli! Dhe gjithë këtë alarm të jashtëzakonshëm e këtë përforcim masash të kësaj natyre, që s’është vënë re as nëpër ngjarjet më të rëndësishme të futbollit botëror, na e bënë peshqesh pikërisht serbët, të cilët, në vend që të na prisnin thjesht si një skuadër futbolli në kryeqytetin e tyre, e kthyen atë ndeshje të papërfunduar në një ferr të vërtetë! Ishte ajo masakër e tyre që çuditi botën futbollistike dhe që më në fund, pas një odiseje të stërgjatë nëpër dyer gjykatash ndërkombëtare, u dha atyre dënimin e merituar. Sidoqoftë, edhe pse kështu, beteja ende vazhdon, jo në atë planin e zakonshëm tekniko-taktik dhe atij rezultativ të një ndeshjeje futbolli, por si një reminishencë e gjithë asaj që pati shpërthyer në Beograd, çka është duke u parë me këtë elektrizim të skajshëm që po i bëhet ndeshjes së kthimit në Elbasan.
Kur jemi përgatitur, si kurrë më parë në historinë tonë, për të marrë pjesë në një finale europiani, do të ishte mëkat dhe një mungesë përgjegjësie e qytetarie të binim në kthetrat manipuluese të një patriotizmi dhe nacionalizmi fals dhe, mbi të gjitha, folklorik, çka mund të na kthehej mbrapsht për të keq, si një bumerang shkatërrues. Kjo ndeshje, mbi të gjitha, duhet parë si një hap që mund të na çonte drejtpërsëdrejti në finalet e Francës, nëpërmjet një loje të qetë, të kujdesshme dhe mbi të gjitha të sigurt, ndryshe nga ai lumi i rrëmbyer, siç ngjasojmë shpesh me lojën tonë, ku vërshimi i turbullt vetëm prish çka gjen përpara dhe nuk ndreq kurrsesi. Vetëm duke luajtur kështu, me arsye dhe siç e kërkojnë normat e futbollit, e jo me atë “vrullin patriotik” që ne ballkanasve shpesh na ka prishur punë, mund të arrijmë atë që prej kohësh po synojmë. Ajo që kemi parë deri tani, na çon të enjten në një mjedis entuziast, që kërkon me çdo kusht fitoren, kur dihet se një ndeshje i ka brenda të gjitha rezultatet. Për një arritje pozitive duhet luajtur me shpirt e pasion dhe me logjikën që diktojnë rregullat e futbollit, dhe jo me teprime apo sajesa të tilla si disa ndodhi të këtyre ditëve, kur jemi duke dhënë “medalje” e “graduar” trajnerë, sikur të ishim para një fushate lufte dhe jo para një ndeshjeje futbolli! Apo më keq për disa nga mediat që bien pre e një amatorizmi dhe diletantizmi, për shkak të mungesës së profesionalizmit nga ana e tyre, që veprën e një anonimati e kthejnë në një bëmë historike-legjendare, siç po ndodh me “ballistin e dronit”, që nuk dihet pse dhe kujt i leverdis ta ngrejë në piedestal, kur në të vërtetë, gjithë ai veprim i pati ndezur edhe më shumë gjakrat në Beograd dhe na pati kushtuar aq shumë!
Komentet