Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u panë më 16 tetor në rrugët e Mitrovicës së Veriut. Nga Policia e Kosovës thanë se FSK-ja qëndroi gabimisht në pjesën veriore të vendit.
“E humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, Policia e Kosovës i ka parë pjesëtarët e FSK-së, ka biseduar me ta dhe më pas ata janë larguar nga veriu.
Në rrjetet sociale janë publikuar video ku shihen disa kamionë të FSK-së duke kaluar përgjatë një rruge në qytetin e Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat në veri që janë të banuara me shumicë serbe.
Elshani tha për Radion Evropa e Lirë se sipas informacioneve të policisë, automjetet e FSK-së u parkuan në një pikë karburanti për “pesë deri në dhjetë minuta”. Më pas, të shoqëruar nga policia, FSK-ja u largua nga veriu përmes “rrugës më të shpejt”, duke kaluar pranë një stacioni të autobusëve në vendin e njohur si Shkëmbi i Dudës.
Serbia: Kjo është shkelje e garancive të NATO-s
Për këtë ngjarjeje, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, e cila i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë, duke thënë se bëhet fjalë për “shkelje të drejtpërdrejtë të garancive të forta të NATO-s”.
Edhe pse Policia e Kosovës ka thënë se bëhet fjalë për një gabim, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe pretendoi se autoritetet kosovare, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “kanë dërguar dy kamionë dhe katër automjete ushtarake, Humvee të FSK-së” në veri, një ditë pas vizitës në Kosovës të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila kërkoi uljen e tensioneve në vend.
Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e ka mbështetjen e Beogradit, tha se shkuarja e FSK-së në Mitrovicë të Veriut “ka shkaktuar shqetësim në mesin e popullit serb dhe ka rritur tensionet”.
“Ky veprim përbën një provokim të rrezikshëm dhe të qëllimshëm, të drejtuar drejt destabilizimit të situatës në terren dhe shkaktimit të frikës e pasigurisë te populli serb”, u tha në njoftim.
Lista Serbe i kërkoi KFOR-it një prani më të madhe në veri të Kosovës “për të parandaluar përpjekjet e reja për veprime të njëanshme dhe për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve”.
“Lista Serbe paralajmëron se veprime të tilla janë të papranueshme dhe mund të kenë pasoja serioze për stabilitetin e rajonit”, tha kjo parti.
Prania e FSK-së në veri të vendit është e mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me pyetjet nëse është në dijeni që FSK-ja ka qëndruar në veri dhe përse, dhe është duke pritur përgjigje.
Përgjigje për këto pyetje, REL-i po pret edhe nga KFOR-i.
Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.
FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.

