VOAL

VOAL

Foto e ditës: Bien në Tiranë flokët e para të borës

March 4, 2016

Komentet

Alarm i kuq – Ndotja në Tiranë tejkalon 3 herë normat e sigurisë globale

 

Tirana ndodhet përballë një realiteti alarmant mjedisor, ku cilësia e ajrit po kthehet në një kërcënim serioz për shëndetin e banorëve. Sipas të dhënave të fundit nga platforma globale e monitorimit IQAir, Tirana renditet si qyteti i 1990-të më i ndotur në botë nga 9,446 qytete të analizuara. Kjo statistikë tregon qartë se kryeqyteti shqiptar mbetet larg standardeve të shëndetshme, duke u pozicionuar në një zonë rreziku ku ndotja është e vazhdueshme.

Image

Analiza e vlerave të grimcave të imta PM2.5 për periudhën 2020-2025 nxjerr në pah një luhatje shqetësuese. Pavarësisht një rënieje të lehtë në vitin 2025 me një mesatare vjetore prej 12.9 µg/m³, niveli mbetet më shumë se dyfishi i normës së sigurisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila këshillon një limit prej 5 µg/m³. Historiku i viteve të fundit dëshmon për një krizë të pandalshme, në vitin 2020 nivelet ishin 16.0 µg/m³, në 2021 ishin 12.5 µg/m³, në 2022 ishin 14.5 µg/m³, ndërsa në vitin 2023 arritën pikun e 16.7 µg/m³, për të vijuar me 14.5 µg/m³ në vitin 2024. Këto shifra vërtetojnë se ajri në Tiranë thithet në kushte toksike thuajse çdo vit.

Image

Ky realitet mbështetet edhe nga raporti teknik i organizatës Co-PLAN, i publikuar në mars 2025, i cili identifikon qytetin si një zonë në ndotje konstante. Raporti konfirmon se zonat me densitet të lartë ndërtimi, si Ish-Stacioni i Trenit, Kombinati, zona e Unazës dhe Rruga e Elbasanit, mbyten nga grimcat PM2.5, PM10 dhe dioksidi i azotit. Përveç cilësisë së ajrit, Co-PLAN raporton një krizë të dyfishtë përmes ndotjes akustike, ku zhurmat urbane tejkalojnë nivelet e tolerueshme për gjumin dhe mirëqenien, si pasojë e mbingarkesës së trafikut dhe planifikimit urban kaotik.

Image

 

Image

Kjo krizë nuk është thjesht një dukuri natyrore, por pasojë e drejtpërdrejtë e betonizimit agresiv që ka bllokuar rrymat e pastra që vijnë nga Mali i Dajtit. Ndërsa institucionet përgjegjëse, si Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vazhdojnë të heshtin ose të manipulojnë realitetin, qytetarët po paguajnë koston me shëndetin e tyre, duke u përballur me shtimin e sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare. Monitor

Integrimi në BE, 85% e bizneseve shqiptare rrezikojnë faliment, nëse nuk plotësojnë standardet

Nga retorika politike, çështja e integrimit europian ka nisur të hyjë në fazën e vlerësimeve për përmbushjen e kushteve të sigurisë. Të parët që duhet të kalojnë testimin janë 904 operatorë të produkteve ushqimore.

 

TIRANË- Shoqatat e bizneseve pohojnë njëzëri se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të sjellë rritje të sigurisë ushqimore dhe formalizim tregu. Por njëkohësisht edhe mbyllje të bizneseve të papërgatitura. Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë vlerëson se nga sondazhet e para, vetëm 15% e bizneseve janë të përgatitura për në BE, ndërsa rreth 98% e tyre nuk kanë mundësi financiare për të përballuar vetë faturën e kostos së transformimit.

Nga retorika politike, çështja e integrimit europian ka nisur të hyjë në fazën e vlerësimeve për përmbushjen e kushteve të sigurisë. Të parët që duhet të kalojnë testimin janë 904 operatorë të produkteve ushqimore.

Me një listë detyrash në dorë, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) po troket derë më derë te çdo biznes për dhënien e vlerësimeve në përmbushje të standardeve që kërkon Bashkimi Europian (BE).

Teksa për bizneset nisi përballja me zgjidhjen e ushtrimit ekonomik më të vështirë të këtyre 30 viteve tranzicion. Pas vlerësimit të bërë nga AKU bizneset po klasifikohen në 4 kategorizime (nga Klasa I deri te Klasa IV). Procesi i vlerësimit do të përfundojë më 31 korrik 2026.

Në sektorin e përpunimit të qumështit, ndër të parët që po vlerësohen, frika e përpunuesve është përsëritja e modelit bullgar.

Gjatë procesit të anëtarësimit të Bullgarisë në BE, në vitet 2005-2009, rreth 60 deri në 70% e bizneseve të vogla të përpunimit të qumështit u mbyllën. Dalja e tyre nga tregu erdhi pasi nuk arritën të përshtaten me standardet e BE-së në fushat e sigurisë ushqimore, rinovimin e teknologjisë dhe për mjedisin.

Taulant Pupa, drejtues i kompanisë së përpunimit të qumështit “Vita 2001” mendon se modeli bullgar është referenca kryesore, për mënyrën se si do të ndërtohet procesi i integrimit në sektorin e qumështit në Shqipëri.

Ai pohon se problemi më i madh nuk është mungesa e standardeve te teknologjia e prodhimit apo gjurmueshmëria e mallrave të bulmetit, por te trajtimi i mbetjeve dhe i ujërave të ndotura brenda fabrikave dhe baxhove.

“Kompania jonë, prej vitesh, – për investimet e kryera që kanë mundësuar përmbushjen e standardeve për prodhimin e produkteve të bulmetit sipas kërkesave të BE-së -, ka pasur si referencë modelin bullgar. Gjatë procesit të integrimit në këtë shtet pati mbyllje masive të kompanive të përpunimit të qumështit, veçanërisht dhe të baxhove të vogla.

Dhe një nga kërkesat më të forta të BE-së në atë kohë ishte përmbushja e kritereve mjedisore, për trajtimin e ujërave të ndotura dhe të mbetjeve për të shmangur kontaminimin e kryqëzuar në prodhim.

Është e realizueshme, por nëse investohet me teknologjinë e duhur dhe përballohet kostoja. Pikërisht ky do të jetë shkaku kryesor që mund të sjellë falimentimin e shumë bizneseve në vend, përfshirë edhe struktura të konsoliduara në teknologji dhe gjurmueshmëri që nuk plotësojnë kushtin për trajtimin e mbetjeve”.

Z.Pupa llogarit se kostoja për plotësimin e standardit mjedisor është e lartë, veçanërisht për baxhot dhe fabrikat e vogla, që do t’u kërkohet si investim i menjëhershëm dhe jo i zbatuar gradualisht ndër vite.

“Kostoja për vendosjen e një impianti që përpunon mbetjet e industrisë së qumështit në një baxho kushton rreth 80 mijë euro, ndërsa për një fabrikë të madhe, deri në 600 mijë euro. Për shumë biznese të vogla, këto investime janë praktikisht të papërballueshme. Një baxho nuk arrin t’i përballojë këto kosto.

Mendoj se këtu duhet të ndërhyjë shteti për investimet dhe të ndihmojë baxhot që punësojnë njerëz, që të mos mbyllen”.

AKU, vlerësime për sigurinë ushqimore, bizneset po kategorizohen në 4 Klasa

Për rreth 4 muaj, trupa e inspektorëve të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU) do të vlerësojë 904 operatorë ushqimorë për përmbushje të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesës së Bashkimit Europian.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar Ushqimor, Blerina Gjylameti, në intervistën për “Monitor” shpjegon se vlerësimi ka nisur më 14 prill dhe deri tani ka përfunduar për 225 biznese.

“Procedura e vlerësimit dhe kategorizimit ka nisur më datë 14 prill dhe do të vazhdojë deri në datë 31 korrik 2026. Qëllimi i procesit të kategorizimit është identifikimi i stabilimenteve që janë në përputhje me kërkesat ligjore:

(Kategoria 1) – Stabilimentet që rezultojnë në përputhje të plotë me standardet e BE-së. (Kategoritë 2, 3 dhe 4) – Klasifikimi në nënkategori do të shërbejë për të përcaktuar nivelin dhe shkallën e mospërputhshmërisë. Nga ana tjetër, duhen llogaritur burimet dhe afati i nevojshëm për menaxhimin dhe korrigjimin e problematikave të konstatuara, si dhe procedurat që duhen ndjekur për zbatimin dhe monitorimin e procesit të përmirësimit.

Respektimi i kërkesave të sigurisë ushqimore, sipas legjislacionit në fuqi, është i detyrueshëm pavarësisht rezultatit të kategorizimit dhe në rastet kur konstatohet se një ushqim paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit, do të ndërmerren masa të menjëhershme, nga trupat vleresuese.

Në mënyrë të menjëhershme do të nisë procedura e inspektimit me qëllim ndalimin e hedhjes së produkteve të dëmshme në treg.

Kategoria 1: klasifikohen stabilimentet që ushtrojnë aktivitet në përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.

Kategoria 2: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të vogla që mund të zgjidhen gjatë një periudhe të shkurtër kohore (3-6 muaj).

Kategoria 3: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri të konsiderueshme (lidhur me planimetrinë, infrastrukturën e ndërtimit, të cilat kërkojnë punime ose rinovime të mëtejshme dhe burime financiare të konsiderueshme ose stabilimentet që janë dekategorizuar nga kategoria 2) që mund të përmirësohen për një periudhë kohore më të gjatë se ajo e kategorisë 2.

Për këto stabilimente do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhjeve në një fazë të mëvonshme.

Kategoria 4: klasifikohen stabilimente ku vihen re mospërputhshmëri madhore dhe stabilimenti: përbën rrezik të konsiderueshëm për shëndetin; nuk duhet të hedhë produkte në treg; duhet të mbyllet sepse nuk është në përputhje me legjislacionin kombëtar; nuk mund të arrijë standardet e BE-së. Per kategorinë 4, AKU merr masa për mbylljen e stabilimentit”.

Znj. Gjylameti theksoi se krahas vlerësimit, inspektorët po japin edhe udhëzime të detajuara për përmirësimin e situatës, për rastet kur disa prej standardeve rezultojnë të paplotësuara. Afati maksimal i përmirësimeve është deri në një vit.

Në përfundim të procesit, ku edhe AKU do ta ketë më të qartë situatën për sigurinë ushqimore, pritet të hartohet Strategjia Kombëtare, ku sipas zonjës Gjylameti do të jetë për zgjidhjen e problemeve.

“Vlerësimi dhe kategorizimi realizohen nëpërmjet përdorimit të listave të verifikimit, të personalizuara sipas veprimtarive specifike për stabilimentet ushqimore. Listë-verifikimi do të plotësohet me komente në çdo rubrikë, pavarësisht nëse janë identifikuar mospërputhshmëri ose jo. Duke orientuar kështu OBU-të, mbi masat që duhet të marrin për përmirësimin e stabilimenteve.

Pasi të kemi rezultatet e plota, në një fazë të mëvonshme, për stabilimentet e kategorisë 3 do të përgatiten plane veprimi për korrigjimin e mospërputhshmërive. AKU mbështetet në ekspertizën teknike të GIZ dhe projektit EUforFoodSafety, të cilët po asistojnë harmonizimin e procedurave, rritjen e standardeve, kapaciteteve dhe informimin”, theksoi zonja Gjylameti.   

Nisur nga përvoja e vlerësimit të kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka shpjegon në mënyrë të detajuar për “Monitor” se si AKU po vepron me vlerësimet për përmbushjen e standardeve të BE-së. “Sistemi i kontrollit që po zhvillon AKU është mjaft rigoroz. Inspektorët janë të pajisur me një ‘check list’.

Pas vlerësimeve, bizneset kategorizohen në katër klasa. Te “Klasa I” kategorizohen kompanitë që mund të shesin menjëherë në Bashkimin Europian. Në Shqipëri, përjashtuar sektorin e prodhimeve të produkteve me origjinë shtazore, te ‘Klasa I’ po kategorizohen eksportuesit.

Deri tani, për shkak të mungesës së përafrimit të legjislacionit, kompanitë vendase të produkteve me origjinë shtazore nuk eksportojnë në shtetet e Bashkimit Europian. Por kjo nuk do të thotë që ofrojnë produkte ushqimore jo të sigurta, pasi ata eksportojnë në shumë shtete të tjera, përfshirë edhe SHBA.

Te ‘Klasa II’ po kategorizohen kompanitë që hasin probleme të vogla, por të cilat janë të zgjidhshme brenda afatit 3-mujor. Te ‘Klasa III’ po klasifikohen kompanitë që duhet të plotësojnë standardet nëpërmjet investimeve që zgjasin më shumë se 3 muaj.

Te ‘Klasa IV’ janë kategorizuar bizneset që nuk përmbushin standardet e sigurisë jo vetëm për tregun e BE-së, por as për tregun e brendshëm. Kjo ka sjellë mbylljen e menjëhershme të tyre nga AKU”.

Procesi i kontrollit nuk do të kufizohet vetëm nga institucionet shqiptare. Pas fazës së parë, në vend do të vijnë edhe trupat inspektuese nga BE, për verifikime me bazë risku.

“Vlerësimet po kryhen nga trupa rajonale e inspektorëve, në vijim do të inspektohen edhe nga trupa qendrore. P.sh., nëse një kompani është kategorizuar te ‘Klasa II’ dhe trupa qendrore e klasifikon te ‘Klasa III’, vlerësimi do të nisë nga e para për të gjithë grupin e bizneseve që kjo trupë rajonale ka vlerësuar.

Të njëjtën procedurë do të ndjekin edhe trupat inspektuese të BE-së. Në bazë risku, do të kontrollojë në terren vlerësimet e AKU-së”, thotë ai.

Për pjesën dërmuese të kompanive të sektorit, zoti Ndreka thotë se faza e parë po konsiderohet si ushtrim për vlerësim të situatës që iu shërben jo vetëm drejtuesve të bizneseve, por edhe për vetë institucionet shtetërore. Evidentimi i qartë i situatës, sipas tij, do të shërbejë edhe për përfitime të fondeve ndihmë që mund të jepen nga BE në mbështetje të sektorëve prodhues.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave paraprake të Shoqatës së Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, 10 deri në 15% e subjekteve të sektorit të përpunimit të qumështit janë klasifikuar te “Klasa IV”, çka nënkupton se nuk përmbushin as standardet e sigurisë për të tregtuar në vend. Për rrjedhojë këto biznese, kryesisht baxho të vogla, janë mbyllur nga AKU.

Vetëm 10–15% e bizneseve konsiderohen të përgatitura

Teksa Shqipëria ka hyrë drejt fazës konkrete të vlerësimit, Shoqata Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë (BPSH) dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) ngrenë alarmin për nivelin e ulët të bizneseve shqiptare që kanë deklaruar se janë të përgatitura me standardet e BE-së.

Sekretari i përgjithshëm i BPSH-së, zoti Arben Shkodra, shpjegon se që të mbijetojnë, për të gjithë operatorët do të jetë i detyrueshëm transformimi për përshtatjen e standardeve, përfshirë ato për sigurinë ushqimore, teknologjisë së prodhimit, sistemin e gjurmueshmërisë që zbatojnë, mbrojtjen e mjedisit, certifikimet e punësimit etj.

Por në këtë fazë, sipas tij, shumica e bizneseve nuk kanë as informacionin dhe as kapacitetet financiare për të realizuar transformimin që kërkon integrimi në BE.

“Bazuar në një analizë paraprake të bërë nga Ministria e Ekonomisë, sipas vetëdeklarimeve të bizneseve, rezulton se rreth 10 deri në 15% e tyre janë relativisht të përgatitur për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Rezulton një kategori tjetër ku përfshihen kompanitë që kanë probleme, por të zgjidhshme. Dhe është një tjetër kategori, ku përfshihet numri më i madh i bizneseve që nuk përmbushin asnjë standard teknik për të qenë pjesë e tregut europian, por që edhe nuk kanë dijeni sesi do t’i plotësojnë”.

Z. Shkodra thotë se nga procesi i parë i certifikimit, sektori më i goditur do të jetë përpunimi industrial ushqimor.

“Nga një analizë e Ministrisë së Ekonomisë, por edhe nga vlerësimet e kryera prej kohësh në terren nga shoqatat e biznesit, gjykojmë se sektori që do të goditet më shumë nga procesi i parë i vlerësimit dhe certifikimit të standardeve të BE-së, do të jenë degët e nënsektorit të përpunimit industrial ushqimor.

Përfshirë sektorët, si: pijet alkoolike dhe joalkoolike, produktet ushqimore që prodhohen, tregtohen dhe përpunohen nga frutat, perimet, vaji i ullirit, brumërat, mishi dhe nënproduktet e tij, peshku etj.

Aktualisht, vëmendja kryesore e BE-së është identifikimi dhe vlerësimi i të gjithë sektorëve dhe nënsektorëve të industrisë ushqimore, me qëllim që ato të integrohen brenda standardeve ekonomike dhe të garantohet siguria ushqimore për konsumatorin europian.

Ne vlerësojmë që edhe nënsektorë të përpunimit industrial joushqimor do të kenë mjaft probleme. Sektori i ndërtimit do të kalojnë në një filtër shumë të dendur të BE-së, pasi duhet të garantohet që jo vetëm materialet që përdoren të jenë të bazuara mbi eurokodet, por edhe procesi i ndërtimit në kantiere të zhvillohet mbi rregulla shumë strikte.

Për rrjedhojë, të gjitha kompanitë shqiptare duhet të nisin punën për plotësimin e standardeve.

Dy janë fjalitë kryesore në integrim: arritja e konkurrueshmërisë dhe transformimi. Pa transformim nuk mund të arrihet konkurrueshmëria”.

Pikëpyetjet e para në lidhje me përballimin ose jo të kostove dalin nga analizat e shoqatave të bizneseve.

Për Shoqatën e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, sipas Arben Shkodrës, problemi më i madh vjen nga mënyra si është ndërtuar struktura e ekonomisë shqiptare, e dominuar nga bizneset e vogla që automatikisht rrisin shkallën e pamundësisë financiare për përballimin e kostove.

“Duke parë strukturën e ndërmarrjeve në vend, ku 99% e kompanive janë mikrondërmarrje, 1 deri në 2% janë kompani të vogla dhe të mesme, 98% e biznesit nuk kanë mundësi reale monetare dhe kapacitete për të bërë transformimin, me qëllim arritjen e konkurrueshmërisë dhe mbijetesën në treg”, deklaron ai.

Në zonën e Juglindjes, nga vlerësimet e AKU, deri tani janë mbyllur 3 baxho. Sipas burimeve nga tregu, baxhot e mbyllura vepronin në kushte primitive.

Taulant Pupa, i cili drejton fabrikën e përpunimit të qumështit “Vita 2001” e pranishme në treg prej dy dekadash, nisur nga analiza financiare për kompaninë e tij vlerëson se kostoja për përmbushjen e standardeve është e lartë.

Pavarësisht kostos, z. Pupa thekson se mbetet i angazhuar për investime në plotësimin e standardeve të kërkuara, pasi do të vijojë të qëndrojë në treg.

Por ai vlerëson se si kostot edhe afati i lejuar për përmbushjen e kushteve (maksimali është deri në 1 vit) nuk mund të përballohen nga bizneset e vogla.

“Kostot dhe afati i lejuar për investime shtesë do të jenë të përballueshme vetëm prej kompanive që në mënyrë të vazhdueshme prej vitit 2000 e deri më sot kanë investuar për konsolidim.

Në të kundërt, një fabrikë apo një baxho që do të kërkojë të hyjë sërish në treg e ka të pamundur të përmbushë standardet. Do t’i duhen të paktën 3 deri në 4 vite”.

Drejtues të shoqatave të bizneseve prodhuese, por edhe vetë sipërmarrësit, ende janë të paqartë nëse do të ndihmohen nga shteti dhe BE për përballimin e kostove të investimeve.

Edhe presidenti i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, është i paqartë për ndarjen e përballimit të kostove. Shqetësim për të është edhe afati i shkurtër 12-mujor i lënë për të përmbushur standardet e sigurisë ushqimore, që po krijojnë presion të madh te bizneset e sektorit të agroushqimit, pasi edhe subjektet që prodhojnë produkte të sigurta do të duhet të kryejnë investime të kushtueshme për plotësimin e standardeve të reja.

“Kërkesat për përmbushjen brenda një periudhe 12-mujore të standardeve të Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore po vendosin presion të madh mbi bizneset.

Edhe subjektet që prodhojnë produkte të sigurta do të përballen me detyrimin për të plotësuar standarde që kërkojnë investime të konsiderueshme dhe kosto operative shtesë pas investimit.

Deri tani është lënë të kuptohet që këto investime duhet të mbulohen nga vetë bizneset. Në kushtet kur sipërmarrjet po humbasin çdo ditë terren në konkurrueshmëri, ato detyrohen që energjitë dhe fondet e mbetura t’i përdorin për investime që lidhen me përmbushjen e standardeve dhe jo drejtpërdrejt me rritjen e konkurrueshmërisë apo mbijetesën në treg.

Z. Zusi ngriti shqetësimin edhe për konkurrencën nga bizneset informale në tregun vendas, duke theksuar se bizneset e rregullta dhe me standarde po përballen me kosto shtesë, ndërsa informaliteti vazhdon të jetë problem.

Ai paralajmëroi se shumë biznese po rivlerësojnë të ardhmen e aktivitetit të tyre për shkak të presionit në rritje dhe pasigurive në treg.

“Edhe investimet që do të realizohen brenda 12 muajve nuk garantojnë automatikisht hyrjen në tregjet europiane. Ndërkohë, në tregun vendas bizneset e rregullta dhe me standarde po përballen me konkurrencën e subjekteve informale.

Në këto kushte, rritja e kërkesave për standarde po shton presionin mbi sipërmarrjet, duke bërë që shumë prej tyre të rivlerësojnë të ardhmen e aktivitetit dhe mënyrën se si do të vazhdojnë operimin në treg apo do të kërkojnë të dalin nga tregu”.

Rreziku i kreditimit për investime

Agim Rrapaj, nga KASH, thotë se investimet do të përballohen nga bizneset përmes kreditimit të disa prej programeve të shpallura nga qeveria.

Informacioni për standardet e detyrueshme të BE-së për bizneset bujqësore shqiptare ka filluar të jepet, por ka mungesë ndërgjegjësimi për veprim të menjëhershëm për të vendosur e për të vepruar pa humbur kohë për përmirësimin e teknologjisë.

Fondet që do të përdoren për këtë proces mund të gjenden përmes disa burimeve si p.sh.: kredia me kushte lehtësuese prej 250 milionë eurosh, me interes 2%, shoqëruar me Garancinë Sovrane prej 30 milionë eurosh, që ka akorduar qeveria shqiptare për ato subjekte që nuk plotësojnë kolateralin e kërkuar nga bankat e nivelit të dytë; Grant për skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural prej 52 milionë eurosh; Granti i programit IPARD III prej 146 milionë eurosh; Kredi nga Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe nga bankat e nivelit të dytë; Fonde nga aktiviteti financiar i vetë subjekteve; Fonde nga disa projekte pilot të financuara nga donatorët si GIZ, BB, BERZH, BEI etj.”.

Edhe Luis Ndreka thotë se bizneset që do të kërkojnë të mbijetojnë do të duhet të marrin rrezikun e kreditimit të investimeve.

“Në opinionin tim, dy janë rrugët për bizneset: ose duhet të vendosin të plotësojnë standardet e kërkuara dhe të investojnë, duke marrë rrezikun e kreditimit ose duhet të vendosin që nuk do ta bëjnë këtë gjë. Mendoj se shumica e bizneseve të sektorit kanë përvojën e duhur dhe do të synojnë të ecin përpara”.

Sfidat e sektorit të bujqësisë

Drejtuesi i KASH, Agim Rrapaj, thekson se procesi i integrimit nuk mund të shihet i shkëputur nga zinxhiri i plotë i prodhimit ushqimor, duke nisur nga fermeri deri te konsumatori final.

Sipas tij, sfida nuk qëndron vetëm te fabrikat apo baxhot, por tek e gjithë struktura e prodhimit bujqësor në vend.

“Në vend janë 354 mijë prodhues të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që kanë tokë për të prodhuar. Nga ky total, sot kanë të drejtë të tregtojnë prodhimet e tyre sipas kritereve që ka vendi, rreth 110 mijë. Pra janë subjekte të pajisur me NIPT, përfshirë bujq, fermerë, peshkatarë, bujtina dhe agropërpunues që prodhojnë për tregun.

Të gjithë këto biznese duhet të grupohen në njësi shërbimi dhe të organizohen si organizata prodhimi, të bashkëpunojnë në modele si ato të Zvicrës, Japonisë, Izraelit, Italisë etj., në mënyrë që të arrijnë të plotësojnë kriteret për certifikim të standardeve sipas BE-së.

Nga vlerësimet e para, realizuar përmes verifikimeve në terren në biznese, si: thertore, te përpunuesit e qumështit (fabrika dhe baxho), bujtina, si dhe në sektorin e agropërpunimit (konservimi i perimeve të grira, konservat, ushqimet me origjinë blegtorale) janë dhënë rekomandime, kryesisht për përmirësimin e standardeve për asgjësimin e mbetjeve në thertore.

Rekomandimet te bujtinat janë fokusuar te përmirësimi i sistemeve të mbrojtjes nga zjarri. Shumë prej tyre kanë rezultuar me dritare të vogla, që rrisin rrezikun për jetën në rast rënie zjarri.

Po ashtu janë edhe rreth 300–400 subjekte eksportuese, përfshirë qendrat e grumbullimit dhe eksportit që plotësojnë kushtet e sigurisë ushqimore sipas standardeve të BE-së. Edhe ky grup mund të ketë probleme që kanë nevojë të përmirësohen, por e përballojnë koston e investimeve për përmbushjen e këtyre standardeve”.

Drejtuesi i KASH thotë se përmbushja e standardeve është detyrim për të gjitha bizneset që do të kërkojnë të qëndrojnë në treg. Z. Rrapaj shton se bizneset duhet të nisin nga puna për përmbushjen e tyre, për të mos rrezikuar daljen nga tregu.

Afatet dhe pasojat për bizneset

Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë thotë se periudha reale që bizneset kanë në dispozicion për t’u përshtatur me standardet e BE-së është edhe rreth 3 vite kohë. Pas anëtarësimit, këto standarde do të jenë detyrim ligjor.

Në rast të mospërmbushjes së kërkesave, bizneset nuk do të lejohen të tregtojnë as në tregun shqiptar dhe as në atë europian, duke rrezikuar mbyllje ose falimentim.

“Bizneset kanë edhe rreth tre vite kohë dhe ekonomia shqiptare ka mundësi të shpëtojë një pjesë të konsiderueshme të tyre, duke i bërë të denja për tregun europian. Në të kundërt, kompanitë që nuk përmbushin standardet do të dalin nga tregu.

Tregu nuk do të mbetet bosh, ai do të zëvendësohet nga kompani të tjera europiane, duke sjellë edhe një konkurrencë të fortë në tregun vendas, por edhe ‘pushtimin’ e ri ekonomik të vendit”, theksoi Arben Shkodra.

Si përfundim, shoqatat e bizneseve paralajmërojnë se integrimi europian nuk është thjesht një objektiv politik, por një realitet i ri ekonomik, ku do të mbijetojnë vetëm ato biznese që do të arrijnë të përshtaten me standardet e reja të tregut dhe do të përballojnë kostot e transformimit./MONITOR

Rusia godet kompleksin ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, ministri Hoxha: E papranueshme! Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime

Shqipëria ka dënuar ashpër sulmet e fundit me raketa balistike dhe dronë të ndërmarra nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukraina, pasi gjatë bombardimeve është goditur edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, ku e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme” dhe një përshkallëzim të rëndë të agresionit rus. Sipas tij, sulmet ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë një shkelje të rëndë dhe dëshmi të kostos njerëzore që po sjell lufta në Ukrainë. Ministri theksoi se për më shumë se katër vite nga nisja e pushtimit rus në shkallë të gjerë, Moska ka sulmuar vazhdimisht infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe banesat civile në të gjithë Ukrainën.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme!

Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.

Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas.

Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim.

Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.

Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës.

Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime. bw

Raporti i DASH: Ballkani Perëndimor kyç për sigurinë dhe interesat ekonomike të SHBA-së

Radio Evropa e Lirë

Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Në dokument thuhet se stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane atje e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Dokumenti është publikuar rishtazi në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit, me titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”. Ai lidhet me një kërkesë të Kongresit amerikan nga janari i këtij viti, sipas së cilës sekretari i Shtetit duhej t’ua dorëzonte komisioneve përkatëse të Kongresit një raport për politikën e SHBA-së për nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon.

Sipas dokumentit, “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, ndërsa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”.

Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.

Administrata, thuhet më tej, është e fokusuar në “fuqizimin e aktorëve lokalë për t’i zgjidhur sfidat e tyre”, në vend të “varësisë së tepruar nga ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare”.

Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Çfarë thotë raporti për Kosovën?

Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga SHBA-ja.

Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani.

Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.

Çfarë tjetër thuhet në raport?

Lidhur me luftimin e kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, dokumenti i veçon Rusinë dhe Kinën si aktorë që “kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët” në rajon.

Sipas dokumentit, Moska “nxit pakënaqësi etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët”, ndërsa Kina përdor tregtinë, kreditë shtetërore, ryshfetin, propagandën dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar ndikimin e saj.

Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

“Kjo administratë do t’i çmontojë dhe shpërbëjë këto rrjete kudo që ato veprojnë, siç u dëshmua në vitin 2025 me përcaktimin e disa shtetasve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me kartelet e shpallura organizata të huaja terroriste, që veprojnë në Hemisferën Perëndimore”, thuhet në raport.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, raporti e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me mundësi për interesat komerciale amerikane, duke përmendur popullsinë prej 18 milionë banorësh, korridoret e rëndësishme të transportit, burimet natyrore, sektorin teknologjik në rritje dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.

Raporti vlerëson se Ballkani Perëndimor përballet me mangësi të mëdha në infrastrukturë. Sipas dokumentit, rrjetet e transportit nuk janë në nivelin e standardeve evropiane, gjë që ua rrit kostot bizneseve dhe e pengon integrimin e tregjeve.

Ai përmend edhe dobësitë në infrastrukturën digjitale, përfshirë qasjen e pabarabartë në internet të shpejtë dhe kapacitetet e kufizuara për siguri kibernetike. Në sektorin e energjisë, raporti thotë se infrastruktura është e vjetruar, joefikase dhe, në disa raste, e varur nga importet ruse.

“Departamenti do të angazhohet në mënyrë aktive për ta shndërruar interesimin rajonal në marrëveshje komerciale”, thuhet në raport.

“Projektet prioritare përfshijnë gazsjellësin e Interkoneksionit Jugor mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës; një interkonektor të propozuar të gazit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut; zhvillimin hidroenergjetik në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi; modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë; si dhe kabllo shtesë të transmetimit që lidhin rrjetet e Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane.”

Dokumenti thotë se SHBA-ja do të punojë me qeveritë e rajonit për të përmirësuar mjedisin e biznesit, për të ulur pengesat rregullatore, për të forcuar zbatimin e kontratave dhe për të garantuar procese transparente të prokurimit, “që favorizojnë kompanitë amerikane”.

Kryeministri Kurti priti në takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë

 

Prishtinë, 22 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.
Gjatë takimit, kryeministri në detyrë Kurti dorëzoi formalisht dokumentin e miratimit të Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, ndërsa u riafirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030.
Ai theksoi se prioritetet e identifikuara në Planin Strategjik, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, llogaridhënia në qeverisje, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përputhen me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kryeministri në detyrë shtoi se synimi është që këto prioritete të shndërrohen në përmirësime konkrete: shërbime më të mira, më shumë vende pune dhe mundësi punësimi, institucione më të forta dhe zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet.
Ai falënderoi Ekipin e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen, angazhimin, eksperizën dhe kontributin në rrugën e zhvillimit të Republikës së Kosovës./Zyra e Kryeministrit

NATO: Nuk ka thellim të bashkëpunimit me Serbinë derisa të ketë përgjegjësi për sulmet në veri të Kosovës

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Partneritete, Kevin Hamilton deklaroi nga Prishtina se aleanca nuk do të thellojë aspekte të caktuara të bashkëpunimit me Serbinë derisa të sigurohet përgjegjëia për sulmet e vitit 2023 në veri të Kosovës, në Banjskë dhe Zveçan.

 

Hamilton u tha gazetarëve në Prishtina se ai ua përcolli të njëjtin mesazh zyrtarëve në Beograd gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi.

“Sulmet ndaj anëtarëve të KFOR-it ishin krejtësisht të papranueshme. NATO pret përgjegjësi dhe drejtësi për ata që kryen dhe organizuan ato sulme”, tha Hamilton.

Ai deklaroi se NATO dëshiron marrëdhënie transparente dhe pozitive me Serbinë, por se segmente të caktuara të bashkëpunimit nuk mund të përparojnë pa ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për incidentet nga viti 2023.

“Ka aspekte që nuk mund të shkojnë më tej derisa të ketë përgjegjësi për këto sulme. Ky është mesazhi që ua përcolla bashkëbiseduesve të mi në Serbi dhe topi tani është në fushën e tyre”, tha Hamilton.

Sipas tij, kjo i referohet edhe mundësisë që Serbia të kalojë në një program partneriteti të përshtatur individualisht me NATO-n.

Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Hamilton akuzoi Rusinë për përhapjen e dezinformatave dhe nxitjen e përçarjes përmes aktiviteteve hibride.

“Rusia përdor fushata dezinformimi dhe aktivitete hibride për të nxitur përçarje dhe pakënaqësi, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë botën”, tha ai. Panorama

Kryeministri Kurti zhvilloi takim virtual me katër kongresistë amerikanë, u diskutua për rezolutën për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për kampin Bondsteel

 

Prishtinë, 21 maj 2026

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.

 

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë prioritete kyçe për Qeverinë, duke shtuar se ato janë thelbësore për sigurinë në rajon. Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës që ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO.

 

Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.

 

Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Xhandarmëria nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të.

 

Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë.

 

Në fund të bisedës, Kryeministri në detyrë Kurti dhe katër kongresistët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së./Zyra e Kryeministrit

Plakja e popullsisë dhe emigracioni i të rinjve shqetësuese- 10 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar në 2024-2025

Sistemi arsimor parauniversitar në vend po përballet me një tkurrje të shpejtë të numrit të nxënësve, si pasojë e faktorëve demografikë me plakjen e popullsisë dhe emigracionit në moshat e reja.

Të dhënat më të fundit zyrtare nga INSTAT tregojnë se brenda vetëm një viti akademik 2024-2025, numri i përgjithshëm i nxënësve që ndjekin arsimin 9 vjeçar dhe te mesëm ka pësuar një rënie me 10,020 personash ose 3%. Numri total i të regjistruarve në të gjitha nivelet arsimore ka zbritur nga 349,827 nxënës që ishin në vitin akademik 2023-24, në 339,807 nxënës në vitin vijues 2024-25.

Duke marrë në konsideratë se numri mesatar i nxënësve për kLasë është 25, i bie që gjatë vitit shkollor 2024-2025 të jenë mbyllur 400 klasa.

Kjo rënie reflektohet në mënyrë të ngjashme në të gjitha ciklet e shkollimit, por goditjen më të rëndë e ka marrë arsimi fillor, i cili ka humbur numrin më të madh të nxënësve. Ky cikël ka pësuar një tkurrje prej 4,710 fëmijësh më pak, duke u tkurrur me 3% dhe duke zbritur në 136,379 nxënës të regjistruar. I njëjti trend negativ vërehet edhe në ciklin e lartë të arsimit bazë, ku numri i nxënësve ra me 2,745 persona, duke shkuar në 114,238 nga rreth 117 mijë që ishin një vit më parë.

Në të njëjtin trend ishte ecuria edhe ne arsimin e mesëm, ku gjimnazet dhe shkollat profesionale numërojnë 2,565 nxënës më pak për vitin akademik 2024-25, çka përkon me një rënie prej 3% të këtij grupi. Ekspertët e fushës e shohin këtë dinamikë si një kambanë alarmi, pasi zbrazja e klasave në arsimin fillor parashikon një tkurrje afatgjatë që do të zhvendoset gradualisht edhe në universitetet e vendit dhe në tregun e punës në vitet në vijim.

Emigracioni i familjeve të reja mbetet një nga shkaqet kryesore dhe më të dukshme. Ndryshe nga vitet e kaluara ku emigronin kryesisht individë të vetëm, vitet e fundit vihet re emigrim me familje.

Rënia e lindshmërisë është një tjetër faktor me ndikim afatgjatë. Ndryshimi i stilit të jetesës, kostot e rritura të jetesës dhe shtyrja në kohë e moshës për të krijuar familje kanë sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve të reja çdo vit. Vitin e kaluar linden rreth 21400 foshnja në të gjithë vendin nga 32,715 të tilla në vitin 2015.

Krahas largimit jashtë vendit, ekziston edhe një braktisje e zonave rurale dhe qyteteve të vogla drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana apo Durrësi. Ndërsa në kryeqytet disa shkolla mund të përballen ende me mbingarkesë, në rrethe dhe në fshatra situata është kritike, duke çuar shpesh në mbylljen e shkollave apo krijimin e klasave kolektive për shkak të mungesës së nxënësve.

Tkurrja me mbi 10 mijë nxënës brenda një viti në arsimin para-universitar do të reflektohet në goditje zinxhir në të gjithë ekonominë, tregun e punës.

Në planin afatshkurtër, rënia e numrit të nxënësve sjell një çekuilibër të menjëhershëm në menaxhimin e burimeve njerëzore në arsim. Mbyllja e klasave apo e tërë shkollave, veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet e vogla, krijon një tepricë të stafit mësimor.

Kjo do të thotë se qeverisë do t’i duhet të rishikojë formulën e financimit të shkollave, ndërsa mësuesit rrezikojnë të mbeten pa normë të plotë orësh ose pa punë. Nga ana tjetër, rënia e numrit të nxënësve në shkollat e mesme përkthehet automatikisht në më pak aplikime në universitete pas pak vitesh, duke vënë në rrezik ekzistencën e shumë degëve të studimit, sidomos në universitetet rajonale./monitor/

I nominuari për ambasador në Shqipëri: Luftimi i krimit forcon sigurinë e SHBA-së dhe Shqipërisë

I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, flet gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, 20 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, tha se, nëse konfirmohet në këtë post, prioritetet e tij kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së.

Wendt i bëri këto deklarata më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit për postin e ambasadorit në Tiranë.

Ai tha se, nëse konfirmohet, do të punojë në katër drejtime kryesore, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe funksionimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri.

“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, tha Wendt.

Kush është Eric Wendt?

Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.

Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.

Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.

Ai theksoi gjithashtu se do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e zotimeve të saj në kuadër të NATO-s, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2035.

Wendt përmendi edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike amerikane dhe shqiptare, si dhe nisma të mundshme të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.

Në aspektin ekonomik, ai tha se do të fokusohet në nxitjen e prosperitetit amerikan, duke shtuar se kjo do të sillte përfitime edhe për Shqipërinë.

Sipas tij, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me “kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore” në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura, minierat dhe fusha të tjera ekonomike.

Wendt foli edhe për përvojën e tij me trupat shqiptare, duke kujtuar se, si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, kishte pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale të Shqipërisë.

Ai tha se kishte punuar me ta në terren në Shqipëri, ndërsa në Afganistan kishte shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.

“Kam parë se pjesëtarët e Forcave Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar, Skënderbeut, dhe se populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, tha Wendt.

Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, James Risch, tha se partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit, duke e cilësuar Shqipërinë si aleate të rëndësishme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në përballjen me ndikimin rus në rajon.

Edhe senatorja Jeanne Shaheen tha se Shqipëria është një nga partneret më të afërta të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe aleate e NATO-s, duke theksuar se ajo ka qëndruar pranë SHBA-së “në shumë mënyra”, përfshirë edhe mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë.

“Nëse konfirmoheni, ju do të jeni ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas tre vjetësh, në një moment të rëndësishëm për rajonin. Udhëheqja diplomatike ka rëndësi”, tha Shaheen.

Wendt u propozua në prill nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.

Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasadorë të konfirmuar nga Senati në asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Nëse konfirmohet, Wendt do të ishte ambasadori i parë i konfirmuar amerikan në rajon në këtë periudhë.

Çfarë tjetër u tha gjatë seancës dëgjimore?

Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Wendtin edhe për rolin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për ndikimin që një institucion i tillë mund të ketë në klimën e investimeve në Shqipëri.

Wendt tha se, sipas informacioneve që ka lexuar, SPAK-u ka qenë “një organizatë shumë e vlefshme”, e pavarur dhe jopolitike.

“Nëse konfirmohem, mund të zotohem se do ta mbështes vazhdimin e veprimtarisë së tij të pavarur dhe jopolitike”, tha ai.

Ai tha se SPAK-u ka qenë i rëndësishëm edhe në bashkëpunimin me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe DEA-n, në hetimet kundër organizatave kriminale transnacionale.

Sipas tij, puna e SPAK-ut mund të ndihmojë edhe bizneset amerikane në Shqipëri, duke forcuar zbatimin e ligjit për kontratat, sigurinë dhe transparencën në tenderë.

“Kjo do të ndihmojë në krijimin e kushteve më të barabarta për bizneset amerikane në Shqipëri”, tha Wendt.

SPAK u krijua në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.

Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit edhe ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Senatori demokrat, Chris Murphy, e pyeti Wendtin nëse do të angazhohej që Ambasada amerikane në Tiranë të mos favorizojë biznese të lidhura me presidentin amerikan, Donald Trump, familjen apo aleatët e tij.

Murphy përmendi disa raste në rajon, përfshirë projektin e propozuar për ndërtimin e një hoteli Trump në Beograd, si ndërtimin e një gazsjellësi në rajon “nga aleatë të Trumpit”.

Senatori tha se ka edhe një rast në zhvillim në Shqipëri, ku, sipas tij, disa konsulentë politikë të presidentit amerikan “po fitojnë miliona” duke këshilluar opozitën në Shqipëri.

Wendt tha se nuk ka njohuri për investime personale familjare në Shqipëri, por shtoi se detyra e tij, nëse konfirmohet ambasador, do të jetë mbështetja e bizneseve amerikane pa trajtim preferencial.

“Puna ime është të sigurohem që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur, që sundimi i ligjit të respektohet dhe që fusha e lojës të jetë e barabartë”, tha Wendt.

Seanca e 20 majit nuk përfshiu votim për Wendtin apo për të nominuarit e tjerë për poste në Australi, Norvegji, Korenë e Jugut dhe në Departamentin amerikan të Shtetit.

Në fund të seancës, kryetari i Komitetit, senatori republikan James Risch, i vlerësoi të nominuarit si një panel “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se komiteti “nuk e sheh gjithmonë këtë lloj cilësie në një vend”.

Ai tha se senatorët mund të dorëzojnë pyetje shtesë me shkrim deri më 21 maj. Pas kësaj, nominimet pritet të shqyrtohen për votim në komitet dhe, nëse miratohen, t’i dërgohen Senatit të plotë.

 

Rutte: Tërheqja e 5000 ushtarëve amerikanë nga Gjermania nuk do të ketë ndikim te NATO

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr rreth 5,000 ushtarë nga Gjermania nuk ka ndikim në aftësinë e NATO-s për të mbrojtur veten, tha sot në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

“E dimë që do të ketë rregullime, por këto do të bëhen gradualisht dhe në një mënyrë të strukturuar”, u tha Rutte gazetarëve.

Ai përmendi se “Forca Model”, një grup forcash ushtarake i disponueshëm në 32 vendet e Aleancës, përfshirë SHBA-në, i cili mund të mobilizohet, nëse është e nevojshme, në më pak se 180 ditë, mund të zbulohet së shpejti.

Disa diplomatë evropianë në Bruksel thanë se prisnin që SHBA-të të njoftonin reduktimin e forcave të disponueshme, pa dhënë detaje apo shifra.

Zvogëlimi i forcave amerikane i njoftuar nga Pentagoni në fillim të majit do të hyjë në fuqi në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm dhe do të jetë rreth 15 përqind e 36,000 trupave të stacionuara në Gjermani, ku prania luan një rol kyç në siguri dhe ekonominë lokale. bw

Çmimet shtrenjtohen me hapa të shpejtë- Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë

Rritja e pagave po zhvlerësohet nga inflacioni i lartë tregojnë të dhënat e INSTAT. Edhe pse paga nominale mesatare ka kapërcyer kufirin e 86,000 lekëve në tremujorin e fundit 2025 vlera reale e saj ka mbetur shumë pas, për arsye se paga reale për të njëjtën periudhe ishte vetëm 72,225 lekë, 14,759 lekë më e ulët ose 17 % më pak se nominalja.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 86 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 72 mijë lekë.

Ndonëse pagat e qytetarëve janë rritur në vlerë monetare, fuqia e tyre blerëse po bie me hapa të shpejtë. Në tremujorin e fundit të 2025 hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale ishte -17% dhe ka pësuar zgjerim vitin e kaluar.

Në fillim të vitit 2023 kjo diferencë ishte më e ulët, me vetëm 12 %. Duke qenë se baza e krahasimit është viti 2020 çdo tremujor reflekton inflacionin e akumuluar duke e rritur me tej hendekun ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale.

Këto të dhëna tregojnë se standardi i jetesës po përballet me presion, pasi pagat më të larta nuk kanë arritur të neutralizojë shtrenjtimin e jetesës, duke e lënë konsumatorin me një fuqi blerëse dukshëm më të dobët se në fillim të dekadës.

Rritja e çmimeve po ecën me një hap shumë më të shpejtë sesa rritja e të ardhurave.

Një faktor tjetër është vonesa e reagimit të tregut të punës. Ndonëse punëdhënësit po rrisin pagat nominale për të mbajtur stafin, këto rritje shpesh janë nuk arrijnë të kompensojnë plotësisht shtrenjtimin e jetesës që ka ndodhur muajt e mëparshëm.

Gjithashtu, politikat fiskale luajnë një rol negativ përmes fenomenit ku rritja nominale e pagës e kalon individin në një fashë më të lartë tatimore, duke bërë që një pjesë e mirë e rritjes të shkojë për taksa, ndërkohë që fuqia blerëse reale vazhdon të tkurret.

Goditjet e njëpasnjëshme në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmëria e monedhës kanë bërë që vlerësimi real i parasë të pësojë rënie.

Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet edhe për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave./monitor/

Drejtuesit e partisë shqiptare VLEN takohen me Mickoskin, garantojnë studentët: Provimi i jurisprudencës do jepet në gjuhen shqipe!

Koalicioni VLEN ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, çështje e cila ngriti sërish në protestë mijëra studentë ditën e sotme, po shkon drejt zgjidhjes konkrete, duke theksuar se ky problem, sipas tyre, nuk është adresuar për më shumë se dy dekada nga pushteti i kaluar.

 

Në një reagim të publikuar në Facebook, VLEN thekson se ajo që nuk është zgjidhur nga BDI për 20 vite, po realizohet tani me “veprime konkrete”, duke shtuar se provimi i jurisprudencës do të mund të jepet në gjuhën shqipe.

“Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.”, thuhet në reagim.

VLEN shprehet se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore mbeten shtylla të një shteti modern, duke premtuar zgjidhje “të plota, të zbatueshme dhe afatgjata” në interes të studentëve dhe qytetarëve.

Reagimi i plotë: 

VLEN po dëshmon se çështjet e shqiptarëve nuk zgjidhen me deklarata boshe e as me improvizime politike, por me punë konkrete institucionale dhe me zgjidhje të plota e të qëndrueshme.

Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Për dallim nga pushteti i kaluar, i cili për më shumë se dy dekada e mbajti të pazgjidhur këtë çështje dhe e përdori vetëm për propagandë politike, VLEN po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë.

VLEN beson se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore janë themel i një shteti modern dhe të drejtë. Prandaj, zgjidhjet nuk do të jenë gjysmake, por të plota, të zbatueshme dhe afatgjata, në interes të studentëve dhe të gjithë qytetarëve. Panorama


Send this to a friend