Partia Demokratike dhe aleatët e saj mbajtën Foltoren e dytë para Kryeministrisë në bulevard, ku kërkuan dorëheqjen e Belinda Ballukut, e marrë e pandehur dhe me masë sigurie nga GJKKO, e të qeverisë.
Tubimi para mbështetësve u hap nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili denoncoi tenderat abuzive të qeverisë dhe ministres Balluku, duke zbuluar edhe atë të “Ekoparkut” në Durrës, ku shpjegoi se janë grabitur 12 milionë euro pikërisht një javë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke ia dhënë Klodian Zotos.
“11 maji është gjeneza e kësaj qeverisjeje, që sot po e tregon në sy të gjithë botës se si po i grabit shqiptarët jo me pak miliona, por me qindra miliona. Edhe korrupsioni si vepër penale u rri ngushtë. Kjo është një grabitje, kanë hequr maskën e grabitësit dhe po e bëjnë hapur. Kemi folur edhe për inceneratorët në Elbasan, Fier, Tiranë, Ecoparkun dhe të tjerët. Tuneli i Llogarisë nuk është vetëm, ka dhe të tjerë, janë pak ato 190 milionë, ato 50 milionë nuk janë asgjë, sepse në Durrës janë grabitur miliona të tjera. Ia kanë dhënë Klodian Zotos, janë mbi 6 milionë euro, po 12 milionë euro të tjera me kompani që u kanë dhënë tenderin, vetëm një javë pas tërmetit në Durrës, që të mos lodheshin me makinacione e t’ia jepnin kompanisë para se të dilte Edi Rama, e t’i jepnin Ecoparkun. Kanë futur 12 mln euro në xhep një javë pas tërmetit, kur familjarët qanin për dëmet, kanë hequr kapuçin, po grabisin ditën për diell, nuk pyesin aspak. Mjafton të shohësh Belinda Ballukun për të kuptuar se ku kanë arritur”, tha Bylykbashi në fjalën e tij.
Ai denoncoi edhe koncesionin me portin e Durrësit, duke shpjeguar se do i kushtojë shqiptarëve jo vetëm 1 mld euro nga buxheti, por edhe 150 milionë të tjera që do i vilen nga taksat shtesë. Deputeti nënvizoi se ky aset i rëndësishëm i vendit po i jepet miqve të kryeministrit nga vetë ky i fundit.

“Po Porti i Durrësit, kushton 1 miliardë euro, me breza kanë lënë atje shqiptarët, aseti më i madh i vendit, por jo, do ia dhuronte mikut të tij arab për të bërë mijëra apartamente dhe për të zhdukur atë port, do hidhen 1 mld euro, është e njëjta skemë si ajo e Llogarasë, një kompani greke. Do e marrë kompania që është përcaktuar dhe 1 mld euro do i paguajnë shqiptarët një më një. E quajnë buxheti i shtetit, por nuk është buxheti, po planifikojnë t’i marrin edhe 150 milionë euro taksa nga xhepat e qytetarëve. Kanë arritur aty ku nuk fshihen më”, u shpreh ligjvënësi demokrat.
Bylykbashi theksoi se Rama po mbron ministren dhe vartësen e tij Belinda Balluku, që akuzohet për abuzimet milionëshe me tenderime e prokurime, pasi është vetë pas aferave.
“Edi Rama i bën edhe avokatin Ballukut në Kushtetuese, deri këtu arrin. Pse nuk e shkarkon Rama, kjo është pyetja. Sepse ka vetëm një arsye, është kokë e këmbë ai. Po mbron veten e vetë. Së bashku t’ia shkurtojmë ditët kësaj qeverie”, përfundoi deputeti.

“Mund të ishte një rrugë vdekje”- Deputetja e PD-së: Qukës-Qafë Plloçë nisi me kosto 70 mln euro, sot është trefishuar! Në cilin vend ndërtohen kaq shtrenjtë?!
Deputetja e PD-së Ledina Aliolli mbajti fjalën e saj në foltoren numër 2 përpara kryeministrisë këtë të hënë.

Ajo vuri theksin te problemet me rrugën Qukës Qafë-Plloçë, që për të është kthyer në një rrugë vdekjeje. Sakaq, shton se kosto e kësaj rruge është trefishuar.
Ledina Aliolli: Rruga Qukës Qafë-Pllocë, nisi me një kosto 70 mln euro. Sot ajo kushton xhepave të qytetarëve shqiptarë 262 mln lekë. Kosto e trefishuar vetëm 43 km rrugë e ndërtuar për 14 vite. Më thoni në cilin vend ndërtohen rrugët me një kosto kaq të madhe. Mund të ishte një rrugë vdekje. E patë çfarë ndodhi.
Në rrugën Korçë Ersekë, plot 80 mln euro investim, kjo qeveri e inauguroi vetëm për fushatë pa kolaudim. Sot nuk interesohen për jetët e njerëzve por vetëm për karriget e tyre. Këto janë probleme të mbarë Shqipërisë, po i largon të rinjtë, po i varfëron dhe më tepër familjet shqiptare. Largimi i Edi Ramës është një domosdoshmëri jetike që këtij vendi ti rikthehet besimi te shteti. Shqipëria ka nevojë për një qeverisje, vetëm opozita do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rikthimin e besimit te shteti. Atdheu është i shqiptarëve dhe ne duhet ta mbrojmë atë.
“Bela hap krahun”- Foltorja e PD para Kryeministrisë, protestuesit: Nëse vjedh një bukë të fusin në qeli, nëse vjedh në popull, të japin ministri
Sot 24 nëntor mbahet foltorja e radhës e PD-së para Kryeministrisë.

Opozita dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Në këtë protestë nuk mungojnë as pankarta me mesazhe për qeverinë.
Disa nga mesazhet e protestuesve
Bela hap krahun
Na gjeti Bela-ja
Nëse vjedh një bukë të fusin në qeli, nëse vjedh në popull, të japin ministri


