Një epokë iku bashkë me vjeshtën e vjeme.
Frymë e shpirt i ri shtyhet mes klithmash të humbësve dhe zilisë së atyre që mbajnë “lidhje organike” me botën!
Ndërsa i mendoj përftimet e kohës, kujtoj shpesh të urtin, sllovenin J. Stanovnik, dinjitar i hershëm i Okb-së, tek thoshte se kurrë në jetë s’kishte parë njeri të madh politik që t’mos ketë qenë burrë e guximtar!
Përse, prandaj, ansambli i djeshëm politik i Kosovës dhe i sotmi i Tiranës s’kishin e s’kanë shtyllë kurrizore përballë Pranisë së huaj e, sidomos nga komuniteti i ambasadave? Ndaj ndonjërës që, në shkelje konventash ndërkombëtare,
ushtron në mënyrë agresive
zejen e saj?
Udhëheqja e re e Kosovës është referenca shëmbullore e të kundërtës.
Pa dëmtuar aleancat e miqësitë, rreshtohet të mbrojë vertikalisht e dinjitetshëm një pozicion të shpallur. Nuk do të thyhej, pra, as nga trysnia e çuditshme e Quint-it për votim referendar të serbëve në Kosovë.
Kasta politike e Republikës së vjetër përulej, servilosej e përjargej saherë tehu i kësaj trysnie afrohej të cënonte privilegjet e Fuqisë pushtetare.
Mirëpo, përse hesht dhe opozita e rinuar? Janë stërvitur, me gjasë, qysh kur ishin klyshër dhe sehirpritja e ligë i shkon bukur staturës së tyre…
Apo madje, fjala vjen, si ndodh të mos bëzajë i potershmi prijës i Aak-së dhe s’i bëhet krah qeverisë në temën madhore të sovranitetit shtetëror?
Lojë, prapaskenë, matematikë e imtë mbijetese në Arenë, është çelësi i betejave të errëta…
Ndryshe, kosovarët nuk e kishin të lehtë. Shqipëria 100 vjeçare nuk do t’u shërbente asnjëherë si Mësimnxënje e shtetit dhe demokracisë.
Akoma sot, më shumë se Republika e re shqiptare e derivonshme, s’di ç’të bëj me shtetin dhe pavarësinë kombëtare. E shtyp, shkallmon, përbuzë, e nxjerrë në treg plaçkash, e poshtëron, braktisë…
Ja, dhe këto ditë rrëmujtare politika e lartë përtall demokracinë dhe kërruset nën këmbët e Instancës së jashtme: emisarë, ambasadorë, gazetarë, analistë…
Mjafton t’mos jenë shqiptarë!
Ndërkaq, dihet që, pa ulur shpinën, nuk të shalon kush Unin, Qenien as Lirinë!
Komentet