Në ranishten buzë oqeanit
luajnë fëmijët e luftës
mbinë si zambakë të bardhë
kanë filluar këngën, zogj të rinj,
Çdo ditë u forcohet zëri.
Zemra bëhet qiell, qielli lule dielli.
Vizatojnë një hartë gjigande
dhe e ndajnë në teritore.
Shkruajnë emrat e shteteve nga erdhën
Irak, Avganistan, Kosovë, Siri, Ukrainë.
Sytë e tyre kanë një vështrim të tretur larg.
“Unë këndova në një strehë,
teksa bombat binin mbi Kiev
tani unë s’kam frikë nga asgjë”
– thotë 7 vjeçarja Amelia Anisovych,
“dje këndova në një skenë të madhe të Polonisë
Duartrokitjet që s’pushonin nga salla
m’u bënë krahë, më ngritën lart
m’u duk se pashë fushat e Ukrainës
mbuluar me lulëkuqe dhe bar.
Binte një shi i imët si për të ritur gjelbërimin”.
Në ranishten buzë oqeanit
fëmijët e luftës ngrejnë shtëpi në rërë
valët e oqeanit janë ninullat, i vënë në gjumë
ku shohin ëndrrat më të bukura.
në kuriz të njjeri tjetrit fëmijët e luftës riten!
4/4/2022
Komentet